SHËNIME AUTOBIOGRAFIKE

SHËNIME AUTOBIOGRAFIKE

Unë, Ramadan Shala, i lindur më 15 janar 1934 në lagjen Karagaç të qytetit të Pejës, qytet në pjesën e robëruar të mëmëdheut tim, Shqipërisë. Në qytetin buzë Bistricës, në grykën e Rugovës pitoreske dhe rrënëz Bjeshkëve të Nemuna. U linda nga babai Avdurrahman dhe nëna Habibe, e gjinisë Gashi, po ashtu, nga Peja. Babai është i biri i Muharrem Shalës, e kishin pas quajtur edhe Muharrem Çeli.

Me prejardhje të mëhershme, familja ishte nga Shkodra, kurse së pari u vendos në Brohiq e Prapaqan afër Baranit të Pejës. Kushërinj të afërm i kishim Rasim e Vehbi Tarakun e Pejës, po ashtu, edhe Ibrahim Sadikajt (Cehajt) e Pejës. E ca të afërm të fisit Shala, të familjes Millaj, pas shpërndarjes nga Malësia, është vendosur diku në rrethinë të Ujmirit të komunës së tashme kosovare, Klinës, dhe ca të tjerë jetojnë diku në rrethinë të Kaçanikut.

Babëgjyshi im, Muharremi,  kishte 3 (tre) djem, Eminin, Nuredinin dhe babanë tim, Avdurrahmanin dhe dy vajza, Nailen dhe Zaden. Familja e Muharremit ishte qysh herët në anën e rezistencës kundër të huajve, që robëruan trevën shqiptare.

Nuredini ishte bashkëpunëtor besnik i Ismail Qemalit. Ishte pjesëmarrës i drejtpërdrejt në ngritjen e flamurit në Vlorë. Ai vdiq më 1971 në principatë të Sanxhakut,

Emini u vra në lagjen e Karagaçit në Pejë, duke i bërë rezistencë ushtrisë Malaziase më 1913. Edhe pas vrasjes u torturua keq, i lidhur pas kuajve u tërhoq zhagas. La pas vetës 5 djem e një vajzë; Mahmutin, Kadriun, Muharremin, Ibraimin dhe Ademin dhe të bijën Zymryten, e cila u martua me Muharremin e Hasreti Latifit nga rrugica e Kurteshëve të Pejës, tash përballë Shkollës Ekonomike-Komerciale  në Pejë. Pasi mbetën pa baba, nga përndjekjet e torturat serbe qenë të detyruar të lënë Pejën dhe të shpërngulën në Tiranë, ku edhe sot jetojnë Muharremi e Ademi me familjet e tyre dhe nipat e mbesat. Lufta e dytë botërore, djemtë e Eminit i gjeti herë në Tiranë  e herë në Pejë,  aty ku e lypte nevoja e rezistencës kundër të huajve.

Nuredini kishte katër djem e dy vajza, Shyqriun, Bajramin, Imerin dhe Januzin, vajzat Gjylizaren dhe Kimeten. (Kimetja bashkë me të ëmën u mbyten nga bombardimi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Pejë).

Babai im, Avdurrahmani, kishte 11 fëmijë, prej tyre dy djem dhe dy vajza kanë vdekur dhe 7 jemi të gjallë, 6 djem: Nazmiu, Azizi, unë Ramadani, Musa, Aliu, Skënderi dhe një vajzë Ajshja.

Edhe Nuredini dhe babai im Avdurrahmani gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin në anën e rezistencës kundër të huajve.

Halla Nailja kishte dy djem, Sejfullahu dhe Nexhijmi. Zadja kishte tre djem Shabushin, Qemajlin dhe Rifatin.

Nuredini, mixha im, babai Avdurrahmani dhe Sejfullahu fill pas kapitulimit të Jugosllavisë, në prill të vitit 1941, u gjendën në anën e rezistencës kundër të huajit. Këta të tre me disa dhjeta burra nga Peja menjëherë u arratisen në malësi dhe zunë vend në majën e malit Gubarle në afërsi të Pejës. Ku grup pati bërë atëkohë bujë të madhe.

Edhe unë, si fëmijë, fillova, ndonëse pa vetëdije, të ndihmoja rezistencën kundër të huajve. Bashkë me vëllanë e madh, në atë kohë ishte mbi 16 vjeç, banim ushqim dhe u çonim të arratisurve në mal. Mua më merrte me vete vëllai si kamuflim.

Në Malmo të Suedisë erdha nga Zagrebi, më 26 nëntor 1990.

 

Malmo,  Suedi, më 26 nëntor 1990.     Ramadan Shala