NË VEND TË PARATHËNIES

NË VEND TË PARATHËNIES

PAK FJALË NË VEND TË PARATHËNIES

Dashuria për lirinë e atdheut mbi të gjitha

Një vit pasi Baci Ramadan Shala ndërroi jetë, i biri i tij, Liburni, më njoftoi se familja kishte vendosur të mblidhte në një libër kujtimet e shokëve dhe të bashkëpunëtorëve të babit. E përgëzova dhe i premtova se do të shkruaja me kënaqësi kujtimet e mia për të. Meritonte Ramadan Shala që për jetën dhe veprën e tij atdhetare t’i ngrihej një lapidar i tillë i shkruar.

Të shkruhej për të, për mua kishte domethënien të shkruhej për një pjesë të historisë sonë kombëtare, ndër më të lavdishmet. Andaj, ky libër për Ramadan Shalën nuk do të ishte vetëm një relikt i shenjtë  për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij, por një histori për një nga figurat më të shquara të luftës sonë për liri, demokraci dhe pavarësi. Me botimin e këtij libri, ky premtim i Liburnit, tashmë, po realizohet.

Libri  “Babai ynë, Ramadan Shala, simbol i qëndresës kombëtare shqiptare” ndahet në dy pjesë. Në pjesën e parë janë përfshirë intervistat më të mira të Ramadan Shalës, dhënë mediumeve të ndryshme gjatë  mërgimit në Suedi në vitet 1990-2004. Këto intervista janë dëshmi të gjalla për biografi të këtij atdhetari të shquar dhe dokumente e të dhëna  parësore për historianët, që merren me shkrimin e kësaj pjese të historisë sonë kombëtare të kësaj periudhe, në të cilën jetoi dhe veproi  kryepersonazhi  i këtij libri Ramadan Shala.

Ndërkaq, pjesën e dytë të librit e përbëjnë kujtimet e miqve të jetës dhe ta bashkëpunëtorëve të idealit, të bashkëveprimtarëve në organizata ilegale atdhetare dhe të bashkëvuajtësve në burgjet serbojugosllave, të cilët e kanë njohur më së miri veprimtarinë atdhetare të tij dhe e kanë njohur atë vetë edhe shpirtërisht. Në fund të librit, si kapak floriri përmbyllës i librit jepet një intervistë e birit të tij, Liburnit, ende e pabotuar, në të cilën me dashuri e sinqeritet të jashtëzakonshëm flet për madhështinë dhe për veprimtarinë atdhetare të babait dhe qëndrimin e tij në rrethin familjar. Libri përmbyllet me disa pak shënime autobiografike, të cilat vetë Ramadani i kishte shkruar me kërkesën e disa miqve, pasi kishte mbërritur në Suedi.

Në të dy pjesët e librit përshkruhet veprimtaria atdhetare e Ramadan Shalës, që nga rinia e hershme dhe deri në kalimin e tij në amshim, më 12 shtator 2004.

Nga këto shkrime shihet se edhe pas viteve të ’90-ta, Baci Ramadan, mbështeti të gjitha proceset, që ndodhen në botë, në Shqipëri dhe në Kosovë. Me entuziazëm mbështeti formimin e partive shqiptare demokratike në botën shqiptare, Deklaratën kushtetuese të 2 Korrikut, Kushtetutën e 7 shtatorit, Referendumin për pavarësinë më 1991, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 1992, qeverinë dhe institucionet,  që dolën nga këto zgjedhje.

Aktivitet atdhetar, Ramadan Shala zhvilloi edhe në Suedi, ku ishte në qendër të të gjitha zhvillimeve, jo vetëm në mërgim, por  ishte i pashkëputur edhe nga zhvillimet në Kosovë. Kur okupatori serb imponoi luftën e armatosur në vitet 1998-1999, ai mbështeti edhe UÇK-në dhe ndonëse në moshë të shtyrë u paraqit vullnetar të marrë pjesë në radhët e saj.

Ai  gjithmonë ishte unifikues dhe nuk përjashtonte askënd ë mundohej të punonte e luftonte për çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. “Dikush tjetër, që nuk mendon si unë, nuk është armik imi”, e kishte zakon të thoshte Baci Ramadan. “Unë fatin tim e kam lidhur me idealin tim të shenjtë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar”,  “Mes familjes sime e Serbisë – ishin varret!” , e përkufizonte ai  portretin e vet atdhetar në mënyrë lakonike proverbiale.

Ndërkaq, miku i tij, Ali Aliu, i cili miqësinë me Ramadan Shalën e kishte lidhur dhe kalitur në burgjet jugosllave, në kujtimet e tij, e jep portretin atdhetar e moral të  mikut, duke veçuar  karakterin e tij me këto virtyte: “Besa – filozofija e kuptimit të jetës; Sinqeriteti – thënia e të vërtetës pa ngurrim; Dinjiteti – mospërkulja para forcës së errësirës; Guximi – i pathyeshëm, stoik në mbrojtjen e të drejtave dhe Nderi – sjellja me dashuri ndaj njerëzve dhe me përbuzje ndaj të panjerëzve!”.

Po kështu, e çmon edhe bashkëveprimtari dhe bashkëthemeluesi i LRBSH-së, Adem Demaçi, i cili në kujtimet për Ramadan Shalën thotë:

“Ka qenë një luftëtar i pandalshëm, këmbëngulës, ka qenë me orientim kombëtar gjithmonë, është përpjekur për pavarësinë e Kosovës, është një shembull i një njeriu të palodhshëm”.

Në të gjitha kujtimet e miqve e bashkëveprimtarëve të idealit  të Ramadan Shalës, të përmbledhura në këtë libër, jepet figura atdhetare, morale e njerëzore e një idealisti të madh e shembullor të çështjes së çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.

Kështu, miku, bashkëveprimtari dhe poeti i shquar kombëtar, Xajë Nura, pasi thekson se “Ramadan Shala ka qenë kryetar i reparteve vepruese të Dukagjinit, Pejës, Gjakovës, Deçanit, Istogut, Klinës dhe fshatrave të rrethit”, e quan “organizatori dhe figura më e devotshme, që e ka pasur Dukagjini”, e cilëson si “njëri prej tribunëve të mëdhenj të kombit”, përfundon se “Ramadan Shala mbetet një emblemë shumë e rëndësishme historike, sidomos për Rrafshin e Dukagjinit”.

Ndërkaq, miku, bashkëveprimtari dhe bashkëmërgimtari, Sabri Maxhuni- Novosella, në kujtimet e tij veçon se  “qëndrimi burrëror, qëndrimi heroik i Ramadan Shalës në gjyq, i tmerroi gjykatësit, prokurorët dhe UDB-ashët, që qëndronin në sallë dhe prapa tij” dhe vazhdon: “Ramadan Shala ishte bir i një dëshmori, i një heroi, i cili e vazhdoi punën e tij patriotike dhe kombëtare deri në frymën e fundit. …Ramadan Shala sa qëndroi në Suedi dhe në Evropë, ishte një tribun me plot kuptimin e fjalës dhe e kishim në ballë të protestave, në ballë të demonstratave, tubimeve, ishte orator dhe kishte një gjuhë atdhetari dhe kombëtari. Çështjen e kombit e mbronte me vendosmërinë më të madhe. Ramadan Shala ishte i pakompromis dhe në çështjen kombëtare kurrë nuk bënte lëshime. Ishte i palodhshëm për aktivitete të vazhdueshme, i pakursyeshëm deri në frymën e fundit, që ia dha atdheut”. …

Ndërkaq, Selatin Novosella, që i takon një brezi më të ri të atdhetarëve,

konstaton se Ramadan Shala “ i takon plejadës së atdhetarëve, që na frymëzuan ne të rinjve në rrugën e lirisë”.

 

Po kështu, Hajdin Abazi, atdhetari e luftëtari i UÇK-së, thotë se “emri i Ramadanit, për mua e për brezin tim, ishte emër legjendë”.

Kurse Nezir Gashi, mik e bashkëveprimtar dëshmon se “Ramadan Shala ishte ndër më të torturuarit në Kosovë”.

Nasim Haradinaj, i biri i atdhetarit të shquar të brezit të ’81-it, Smail Haredinaj  dhe luftëtarë i UÇK-së tregon se “Baca Ramadan na shtonte moralin, na jepte kurajo dhe vetëbesim” .

Ndërkaq, djali i tij Liburni, në pyetjen për trashëgiminë e babait në  intervistën e tij  thotë se “trashëgimi është liria, që ne të gjithë sot po e gëzojmë”… “Objektivitetin dhe qëndrimin e tij neutral në aspektin politik e shoh edhe si një trashëgimi tjetër. Ai asnjëherë nuk na ka këshilluar të zgjedhim njërin apo tjetrin krahë politik. Gjithmonë ishte i fokusuar, që bashkimi i kombit të vijë në rend të parë”.

Kur flet për përcaktimin kombëtar të babait, ai citon fjalët e babait: “Lufta jonë vazhdon derisa të gjitha trojet tona shqiptare të bashkohen dhe të ndërtojmë një shtet shqiptar, të fortë dhe sovran, të jemi solidar dhe human ndaj njëri tjetrit”. …”Kur fliste (babai) për Kosovën dhe Shqipërinë, vëreje ndryshime fytyre e shpirti tek ai. Eh, për këtë mendoj se të gjithë shqiptarët kanë ndjenja të veçanta rrëqethëse. Babi e kishte princip që në të gjitha bisedat familjare, takimet e ndryshme, debatet publike, intervistat etj. të fliste vetëm për Shqipërinë. Rrallë kam dëgjuar kur ka folur për këto dyja si të ndara, gjithmonë e theksonte se ne jemi të lindur, të rritur dhe do të plakemi e të vdesim në Shqipëri”.

Ramadan Shala ka lënë gruan Gjylfidane Kelmendin-Shala, me të cilën ishte martuar më 1971 dhe me të kishte gjashtë fëmijë, katër djem:Arbenin, Dardanin, Astritin dhe Liburnin dhe dy vajza: Arianitën dhe Labeatën.

Në kujtesën e kombit tonë, Ramadan Shala do të mbetet simbol i përjetshëm, i pavdekshëm dhe i veçantë i qëndresës kombëtare shqiptare  kundër robërisë serbe. Për një jetë të njeriut, nuk di çka mund të jetë më e madhërishme.

E mua, më jep kënaqësi prore bamunia që në rrugëtimin tonë drejt lirisë, të kem qenë mik i ngushtë i tij, i jetës dhe i idealit.

 

Prishtinë, shkurt 2014. Adil PIREVA