Kujtim XIII – Nasim Haradinaj

Kujtim XIII – Nasim Haradinaj

”’BACA RAMADAN NA SHTONTE MORALIN, NA JEPTE KURAJO DHE VETËBESIM ”’

 

Shkruan: Nasim HARADINAJ

Foto: Nasim Haradinaj

 

Për bacën Ramadan me kishte treguar babai im, Smalj Haradinaj. Por, kur isha unë në burg, isha në të njëjtin burg sikur Ramadan Shala dhe Shefqet Deçani. Pasi dolëm prej burgut u takuam disa herë, por ishim të rezervuar. Pasi Ramadani doli ne Suedi u angazhuam dhe filluam, ose vazhduam punën tonë rreth veprimtarisë për një organizim me qëllim të një force të armatosur. Normal që ideja nuk ishte as jona, por ishte filluar nga shumë e shumë gjenerata të ndryshme që prej okupimit të tokave tona. Pra, ne ishim gjenrata e re, të cilat ishim frymëzuar dhe mësuar nga gjenerata e Ramadanit për të vazhduar punën për çlirimin e tokave shqiptare nga okupimi. Baca Ramadan me Shefqet Deçanin më kanë këshilluar se si të vepronim, si të punojmë dhe si të sillemi ndaj autoriteteve të shërbimit informativ. Gjithmonë Baca Ramadan ishte për aktivitetet, që kontribuonin në drejtim të organizimit të radhëve të UÇK-së. Baca Ramadan na ndihmonte shumë në themelimin e fondit “Vendlindja Thërret”. Në masë të madhe fjala e Bacës Ramadan ishte si vulë kualitative, e cila ndihmonte të bindë masën e madhe për të ndihmuar luftën. Këshillat e bacës Ramadan edhe sot na ndihmojnë dhe na këshillojnë se si të veprojmë.

Baca Ramadan dëshironte të hynte në front dhe me këmbëngulje dhe katergorikisht dëshironte të hynte në frontin e luftës. Në fund ne pranuam ta marrim me vete, por dikur patëm sukses ta bindim që të qëndrojë me të plagosurit. Baca Ramadan ishte një ndër këshilltarët tonë më të mirë në ambiciet tona, ai ishte shumë i afërt me Xhavit Halitin e shumë e shumë të tjerë.

Ramadan Shala ishte i pa kompromis. Natyra, puna, veprimtaria, burgosja, represaliet e detyronin atë që të sillej në atë mënyrë. Ai ishte i pa kompromis për çështjen tonë kombëtare. Ai ishte i bindur dhe i përkushtuar që nga fillimi i veprimtarisë së tij dhe kurrë nuk ndryshoi synimin e tij rreth çlirimit nga okupatori. Kjo ne na shtonte moralin e punës, na jepte kurajo dhe vetëbesim që të vazhdojmë punën.