Kujtim XII – Hajdin Abazi

Kujtim XII – Hajdin Abazi

”’EMRI I RAMADANIT, PËR MUA E PËR BREZIN TIM, ISHTE EMËR LEGJENDË ”’

 

Shkruan: Hajdin Abazi

 

Po dihet se pas brezit te Luftës së Dytë Botërore, ku NDSH u bë flamurtare e çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi, është brezi i dytë ai me Adem Demaçin dhe Ramadan Shalën, e të tjerët, që e morën flamurin e lirisë dhe të pavarësisë për ta shtyrë më tutje, gjë që e trasoi rrugën për gjeneratën e re, të cilës i takoj unë dhe të tjerët dhe pastaj rrugës për liri deri më sot.

Për mua, emri i Ramadan Shalës, qysh sa kam qenë në Kosovë, si i ri dhe në atë pjesë të organizimit, të cilës i kam takuar unë, ka qenë një emër legjendë, sa që kurrë nuk kam besuar që do të kem fat në jetë që të takohem me të drejtpërdrejt. Kur në vitin 1992,  për herë të parë jam takuar në Suedi me të nuk kam mund t’i besoj vetes se vërtet pata fatin e jetës që të takohem me të. Sepse Baca Ramadan Shala ka qenë legjendë e gjallë për shkak të qëndresës së tij, për shkak të rrugës, që e ka trasuar në përpjekje për liri dhe pavarësi. Në kuadër ë organizimit të ne, mërgimtarëve këtu në Suedi, Ramadan Shala ka qenë një figurë e shquar, një figurë, e cila çdo herë ka qëndruar në nivelin kombëtar dhe kushdo, kudo dhe në çdo vend, jo vetëm në Suedi, por edhe në Skandinavi dhe më gjerë, që ka pasur një organizim kombëtar, ai gjithherë ka qenë i pranishëm. Ka qenë nder për ne, organizatorët, që ka qenë i pranishëm Ramadan Shala në ato protesta, demonstrata dhe forma të tjera të organizimit, që ne t’ia jepnim fjalën atij dhe ai të na mbante një ligjëratë atdhetare dhe çdo herë fjala e tij ka qenë aktuale, çdo herë ka qenë fjala e tij një orientim dhe një busullë sesi, ku jemi dhe kah duhet të shkojmë më tutje.