Kujtim VIII – Selatin Novosella

Kujtim VIII – Selatin Novosella

”’PLEJADA E ATDHETARËVE, QË NA FRYMËZUAN NË RRUGËN E LIRISË ”’

 

Intervistë me Selatin NOVOSELLA, 2010, Banja Nëna Naile

 

Për Ramadan Shalën kam dëgjuar në vitin 1964 kur u bë burgosja e anëtarëve të LRBSH-së. Nga afër madhështinë e Ramadan Shalës, personalitetin e papërsëritshëm të Ramadan Shalës, guximin epik të Ramadan Shalës, e kam prekur me dorë, vetëm në burgun e Nishit, ku na dërguan edhe ne, organizatorët e demonstratave të 27 Nëntorit të vitit 1968,  që ishim të dënuar me burgim më të rëndë. Në mesin tonë ishin: Osman Dumoshi (i ndjere), Adil Pireva, Hasan Dermaku.

 

Ramadanin e kishin sjellë aty nga Mitrovica e Sremit. Për ne ishte një kënaqësi e madhe të shihemi me atë burrë, për të cilin kishim dëgjuar shumë, por kurrë s’e kishim parë. Takimi i parë me të ishte një takim me një njeri tepër origjinal, tepër spontan, ishte i guximshëm, ashtu siç  ne dëshironim të ishim, sepse ne mëtonim të ishim të tillë. Një burrë trupshkurtër, i plotë, por jo shumë, me një shikim depërtues dhe në të vërtetë shumë i këndshëm për biseda. Prandaj, Baca Ramadan ne na frymëzoi, na motivoi, sepse ishim në fillim të burgimit dhe pritnim të vuanim nga 5 vjet burg. Duke e parë qëndrimin stoik të Bacës Ramadan, kurajon e tij, faktikisht na dha neve kurajo, na dha trimëri dhe e ndienim veten shumë mirë.

 

Bacën Ramadan e njoh shumë mirë dhe mund të flas edhe për takimet më të edhe në kohën pas burgut, edhe pas burgut të dytë, edhe në Prishtinë, edhe në Pejë, edhe në Tiranë, edhe në Vlorë, me rastin e 80-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Në Vlorë ishte i ftuar nga ish-kryeministri Aleksandër Meksi, me të cilin kishte edhe lidhje farefisnie. Pra, u takuam përsëri edhe në Vlorë pas disa vitesh në mërgim.

Për mua, sa herë e kujtoj Bacin Ramadan, e kujtoj një ndër atdhetarët, prej të cilëve kam marrë mësim nëpër burgjet e Serbisë dhe jam shumë i lumtur që e kam njohur dhe isha me të. Ai  i takon plejadës së atdhetarëve, që na frymëzuan ne të rinjve në rrugën e lirisë, si Metush Krasniqi, Mulla Ramë Govori, Kadri Kusari – Dushi, Rexhep Elmazin, Avni Lama, etj.

Në vazhdim po jap disa fragmente shumë të shkurtra kujtimesh, që flasin për një shpirt revolucionar, një njeri shumë të guximshëm, siç ishte Ramadan Shala.

 

Kujtesë e pashlyeshme nga viti 1969

Ramadani gjithmonë refuzonte dhe kundërshtonte urdhrat e komandantëve të burgut. Në një rast e kishin dërguar në një punë shumë të rrezikshme, ku mund ta humbte edhe jetën, por kishte refuzuar. Duhej të shkonte në raport  te Komandanti i burgut. Aty duhej të prezantohej me numër, sa vite ishte dënuar, etj. Ai nuk prezantohet dhe kështu detyrohet që të dalë jashtë dhe të hyjë përsëri që të prezantohej. Por as kësaj herë nuk prezantohet. Komandanti i thotë se pse nuk po sillej si i burgosur dhe të prezantohej. Ramadani i thotë, unë nuk po të kuptoj asgjë se çka po thua.

Pikërisht në këtë rast Komandanti i thotë:

– Çka doni ju? Ti dhe Adem Demaçi dhe shokët tuaj? Dëshironi të bashkoheni me Shqipëri, Kosovën nuk do ta çlironi kurrë! S’e dini ju se kush është Marshal Tito! S’e dini kush jemi ne. Kush është Shqipëria? Shqipëria është kryesisht shkëmbinj.

Baca Ramadan i thotë trimërisht:

– Po ti  nuk po e njihje gjeografinë mirë. Fushat,  që i ka Shqipëria në Ballkan asnjë shtet  nuk i ka.

Komandanti i thotë:

– Po ku po e di ti?

– Baca Ramadani thotë:

– Po unë jam i lindur në Shqipëri.

– Komandanti i hap dokumentacionet në tavolinë: aktakuza, gjykime, dokumente, e tjerë.

– Sipas dokumenteve të mija, i thotë, që i kam këtu, je i lindur në Pejë.

– Baca Ramadan i përgjigjet me të shpejtë:

– Pse çka është Peja për ty, Peja është Shqipëri.

Komandanti, duke humbur durimin dhe bërtitur, e urdhëron të dalë nga zyra e tij, duke thënë:

– Dil prej zyrës se me ty nuk po u biseduaka.