Kujtim VII – Sabri Maxhuni Novosella

Kujtim VII – Sabri Maxhuni Novosella

”’ME QËNDRIM BURRËROR E HEROIK NË GJYQ ”’

Intervist me Sabri MAXHUNI-NOVOSELLA. 2010, Banja Nëna Naile

 

Në vitin 1963 jam organizuar në LRBSH, themeluar nga Adem Demaçi bashk me Ramadanin, kurse u burgosëm me 8 qershor 1964.

Ramadanin e kam parë kur UDB-a e sollën në Prishtinë për të dëshmuar, posaçërisht për Adem Demaçin. Por, qëndrimi burrëror, qëndrimi heroik i Ramadan Shalës në gjyq, i tmerroi gjykatësit, prokurorët dhe UDB-ashët, që qëndronin në sallë dhe prapa tij. Qëndrimi i tij ishte qëndrim i një patrioti, i një atdhetari dhe faktikisht krejt çka tha ishte në mbrojtje të çështjes kombëtare.

Ramadani ishte i dënuar me 14 vjet burg të rëndë. Këtë e shpjegoi duke u përgjigjur në pyetjen e gjykatësit “Pse flet kështu, pse deklarohesh kështu?”,  Ramadani tha se unë po i mbroj bindjet e mia, për të cilat jam dënuar 14 vjet burg të rëndë.

Gjatë bisedave me shokë, që kishin qëndruar në të njëjtin burg me Ramadan Shalën, në burgun e Nishit, në burgun e Mitrovicës së Sremit, etj., shpesh tregonin për qëndrimin shumë trimëror të Ramadan Shalës në këto burgje, andaj  kishin respekt shumë të madh për të. Posaçërisht ishte Adil Pireva, një ndër shokët tanë, që kishte një respekt të veçantë për Ramadan Shalën. Ai shprehte një simpati jashtëzakonisht të madhe për Ramadan Shalën, me të cilin kishte qëndruar në një çeli rreth një vit në Mitrovicën e Sremit.

Programi i LRBSH-së ishte një program me plotkuptimin e fjalës një vazhdim i lëvizjeve të mëhershme, siç ishte Lidhja e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Lëvizja NDSH etj. Hartues të këtij programi ishin Adem Demaçi e Ramadan Shala.

Ishim njëherë pasdreke në një shëtitje të burgut dhe erdh një agjent i UDB-së dhe i drejtohet Ramadan Shalës se po e thërriste Komandanti i policisë të shkonte në zyrën e tij.

– Ramadani ia kthen me pyetjen: “Pse po me thërret?”

– Agjenti i thotë: “Dëshiron të flasë me ty”.

– Ramadani ia kthen: “Ne çdo bisedë e kemi kryer dhe e kemi përfunduar. Unë me ju dhe me shefin tuaj mund të  bisedoj vetëm përmes grykës së pushkës”.

Të rrallë mund të jenë të burgosurit, që kanë folur me policinë me këtë gjuhë si Ramadan Shala.

Dasma e martesës së Ramadan Shalës ishte për t’u mbajtur mend,  kishte një frymë patriotike dhe kombëtare, me valle e këngë gjatë gjithë rrugës, prej shtëpisë së nuses e deri te shtëpia e dhëndrrit. Ecej këmbë duke kënduar gjithë dasmorët. Një dasmë të tillë nuk kisha parë kurrë. Në dasmë ishin të pranishëm shumë patriotë dhe shokë tanë. Ndër të tjerë më kujtohen Ali Aliu, Din Spahija, Avni Lama, Adil Pireva, e shumë shokë të tjerë nga anë e mbanë Kosova.

 

Ardhja ne Suedi

Ramadan Shala erdh ne Suedi me ndihmën e një pasaporte, që e kishte siguruar përmes Republikës së Kroacisë,  ku i kishte ndihmuar një shok nga burgu, Xhafer Shatri. Pasaporta ia mundësoi që të udhëtojë nëpër Evropë dhe më në fund ai erdhi ne Suedi, në Malmo të Suedisë, ku u vendos dhe kërkoi azil politik. Shumë shpejt u takuam, bisedonim dhe organizonim takime të ndryshme me bashkatdhetarë. Familja e Ramadanit, gruaja me gjashtë fëmijë ende gjendeshin në Pejë. Familja ishte në gjendje tepër të rëndë e të rrezikuar, me shumë vështirësi, me shumë peripeti erdhi ne Suedi.

 

Babai i Ramadanit

Babën e kishte pasur luftëtar të Mbrojtjes së Kosovës, të cilin okupatorët serbë e zënë dhe e pushkatuan. Ramadan Shala ishte bir i një dëshmori, i një heroi, i cili e vazhdoi punën e tij patriotike dhe kombëtare deri në frymën e fundit.

 

Angazhimi politik në Suedi

Ramadan Shala sa qëndroi në Suedi dhe në Evropë, ishte një tribun me plot kuptimin e fjalës dhe e kishim në ballë të protestave, në ballë të demonstratave, tubimeve, ishte orator dhe kishte një gjuhë atdhetari dhe kombëtari. Çështjen e kombit e mbronte me vendosmërinë më të madhe. Ramadan Shala ishte i pakompromis dhe në çështjen kombëtare kurrë nuk bënte lëshime. Ishte i palodhshëm për aktivitete të vazhdueshme, i pakursyeshëm deri në frymën e fundit, që ia dha atdheut. Në kohën e fundit ishte shumë i sëmurë dhe i dërrmuar, sepse kishte përjetuar tortura të rënda gjatë hetimeve dhe burgjeve. Natyra e tij ishte që kur mos të ankohet dhe mos të tregonte se ishte maltretuar, rrahur e torturuar. Ramadan Shala e kishte mbijetuar vdekjen, në krahasim me ata shokë që okupatori na i vrau dhe mbyti. Ramadan Shala meriton një përmendore në qytetin e Pejës.

Që nga fillimi i ardhjes në Malmo të Suedisë, ishin shoqatat dhe vendtakimet e ndryshme kur organizonim takime me bashkatdhetarët, por dyqani i Sabri Novosellës ishte një ndër lokalet, ku u takoheshim për planifikimin e aktiviteteve të ndryshme atdhetare. Në çdo aktivitet atdhetar, demonstratë, grevë apo protestë, që organizohej, në Suedi apo në Evropë,  ishim gjithmonë së  bashku me Ramadanin. Në të gjitha aktivitetet e ndryshme në Skandinavi ishte i pranishëm, jo vetëm Ramadani, por edhe e tërë familja e tij.

Unë dhe Ramadan Shala e një varg bashkatdhetarësh të tjerë ishim që me këmbëngulje të bëhen përgatitje për luftë. Ishim të vetdishëm se Kosova nuk mund të çlirohet pa luftë. Ai gjithmonë thoshte se nëse ne dëshirojmë të çlirojmë Kosovën nuk mund ta çlirojmë atë pa luftë. Nëse dëshirojmë të kontribojmë për çështje kombëtare dhe për atdhe, atëherë duhet të sakrifikojmë çdo gjë. Ne mënyrë simbolike: nënat tona, motrat tona, vajzat tona duhet t’i heqin unazat nga gishti, vathin nga veshi, qaforen nga qafa dhe çdo gjë ta japin për atdhe dhe për komb.

Ndërhyrje miqësore e Xajë Nurës gjatë  intervistës së Sabri Novosellës

Bisedën rreth Ramadanit e shtrove sikur lëndë shumë të menqur historike. Ramadani është figurë e kujdesjes historike dhe vizionar i vazhdueshëm, sepse prej orëve të para me Adem Demaçin edhe në hartimin e statutit e dokumenteve të tjera të organizatës ka qenë me shumë këmbëngulje i përgjegjshëm në përpilimin e hartimin e dokumenteve revolucionare për çlirimin tonë. Për Ramadanin do të jetë mirë të bëhet një vlerësim i konsiderueshëm realist për kontributet, që i ka dhënë në rrafshin e atdhetarisë, sepse kanë qenë kontribute të spikatura. Sepse Ramadani për Dukagjin ka qenë figura shëmbullore, figura e parë dhe shumë e rëndësishme, të cilën krejt Dukagjini e ka çmuar. Njohtësitë e ndryshme nëpër fshatra e qytetet e Dukagjinit, në Gjakovë, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, për Ramadanin kanë qenë një familje veprimtarësh, të cilët i kanë kontribuar çështjes sipas udhëzimeve që ai i ka dhënë si i jepte statuti. Ramadani është një ndër figurat që duhet nxjerrë në sipërfaqe, që e vlen në mbamendjen e kohës dhe në mbamendjen e kohës historike.