Kujtim VI – Mehmet Krasniqi

Kujtim VI – Mehmet Krasniqi

”’ME INTELEGJENCË E KUJTESË TË JASHTËZAKONSHME DHE KARAKTER SHUMË TË FORTË ”’

Shkruan: Mehmet KRASNIQI, Pejë

Foto: Mehmet Krasniqi (portret)

 

Me Ramadanin jam njoftuar ne vitin 1948 në vitin e parë te shkollës së mesme, gjimnaz. Në të njëjtën klasë ishim unë, Mehmet Krasniqi, Shefqet Deçani dhe Ramadan Shala. Qysh në atë kohë u njoftuam mirë. Ramadani ishte një njeri shumë intelegjent, me një kujtesë shumë të zhvilluar dhe të jashtëzakonshme, me një karakter shumë të fortë dhe asesi nuk ka dëshiruar t’ia imponojë dikujt mendimin e vet nëse nuk ka qenë i bindur. Ramadani ka qenë shumë i aftë në mbrojtje, një karakter i vendosur. Ramadani kur ka thënë ”jo”, si para hetuesve apo para gjykatësve, ka marrë fund.

Ramadani ishte i besnik, i dhembshëm, human dhe gjithmonë është përpjekur të udhëheqë, ta bashkonte dhe ta forconte grupin. Ramadan Shala ka qenë një atdhetar i fort, njohës i mirë i rrethanave të vendit dhe i përkushtuar dhe i vendosur për të ruajtur dhe mbrojtur traditën kombëtare. Ramadani e ka dashur lirinë në rend të e parë.

Mbasandej, jeta na ndau dhe unë shkova në Prizren, në Shkollën e ulët teknike, kurse Ramadani u mor me arsim. Ramadani punonte diku në fshatrat e Klinës dhe çdo të diele shiheshim pas punës. Në Pejë shiheshim shpesh, rrinim bashkë, më së shumti në Hotel Korza. Diskutonim për gjendjen, si atë familjare, por edhe atë momentale politike në Kosovë. Kështu kontaktet me Ramadanin u shpeshtuan. Bisedat me Ramadanin anonin rreth diskutimeve të gjendjes shoqërore në Kosovë. Më vonë filluam të diskutonim më gjerë edhe për çështje politike.

 

Fillimi i organizimit ilegal

 

Një ditë më drejtohet dhe më tregon për organizatën. Më tha se punën që po ma propozonte t’ia nisim do të jetë shumë e vështire dhe e rrezikshme. M’u lut që të matem dhe të mendohem mirë. Pas disa dite u hapëm krejt. Më pyeti se a ma merr mendja të jem anëtar i një organizate, që do ta formojmë ne, kemi edhe disa shokë të tjerë. Përgjigjja ime ishte shumë e shpejtë, sepse unë e kisha menduar këtë. U përgjigja se pranoja me gjithë kënaqësi. Mandej, ai më tregoi se organizata ekzistonte në Pejë dhe në Prishtinë.

Gjate kësaj periudhe, në shtëpinë e Ramadanit në Karagaç, në Pejë, Ramadani me Ademin e kanë hartuar së bashku Statutin dhe Programin e LRBSH-së. Mandej unë bisedova me Nezir Gashin, i cili tha se dëshironte të angazhohej në organizatën tonë. Pas një kohe,  ne Grupi i Pejës mbajtëm një takim në Stadiumin e Pejës, ku shikuam një lojë të futbollit. Pas lojës së futbollit shkuam te Pishina e madhe te Parku i madh. Gjatë qëndrimit në Pishinë biseduam gjatë dhe vendosëm të bëjmë themelimin e organizatës dhe të zgjedhim kryesinë. Të pranishëm ishin: Ramadan Shala (Kryetar), Nezir Gashi (Sekretar), Mehemet Krasniqi (Anëtar Kryesie), Shefqet Deçani dhe disa të tjerë. Këtu i ndamë disa detyra. Një ditë bëmë një mbledhje në Stacion të trenit. Aty biseduam se si të hapim organizatën, por të ishim shumë të kujdesshëm dhe konspirativ ndaj njerëzve, me të cilët bisedojmë, sepse rreziku ishte i madh nga përcjelljet e UDB-së.

Pas një kohe, Ramadani më kontaktoi dhe më dha urdhër për një detyrë që ishte në planifikim e sipër dhe ishte fjala për ruajtjen e flamujve, të cilët ishte duke i punuar Remzi Baloku, i cili ishte me profesion rrobaqepës. Shkuam te Remziu dhe sapo i kishte kryer flamujt, i morëm dhe i vendosëm tek unë. Tek unë qëndruan flamujt bukur gjatë dhe më vonë Ramadani ishte marrë vesh me Ademin, më tha Ramadani që ishte koha të bëhemi gati për aksionin e shpërndarjes së flamujve. Njerëzve të  caktuar iu shpërndamë flamujt. Aksioni për shpërndarjen e flamujve u krye me sukses. Pas disa ditësh,  mora vesh se Ramadan Shalën e kishin burgosur në Hotel Metohi dhe aty e kuptova se dikush na kishte zbuluar krejt organizatën. Më 8 qershor 1964 na morën edhe neve. Ramadanin e kishin dërguar në Prishtinë, kurse ne na vendosën në Burgun e Pejës e pas një kohe na dërguan në Nish. Aty ne na caktuan detyrat e punës dhe u takuam përsëri.

Pas një kohe takuam edhe shumë shokë të organizatës, Adem Demaçin, Shefqet Deçanin, e shumë të tjerë. Ramadani kërkonte të bisedonim vetëm rreth çështjeve të ndryshme kombëtare. Ramadani ishte pedant, politikisht ishte i fortë, i sjellshëm, i respektuar dhe respektonte mendimin e secilit, por në fund nëse ishte i bindur se mendimi i tjetrit nuk ishte i drejtë menjëherë e refuzonte, ishte shumë i drejtë. Gjuhë të përbashkët pat gjetur me Kadri Kusarin nga Gjakova, i cili ishte shoq shumë i mirë i Ramadanit. Këtu ne Nish u forcua grupi dhe organizata u forcua edhe më shumë.

Pas një kohe bëmë një grevë urie dhe e ndërpremë pas dy a tri ditëve. Aty në burg na bënë një gjykim të shkurtër dhe kryekomandanti i burgut, që ishte edhe kryetar i gjyqit na pyeti se mos do pendohemi se kemi filluar grevën e urisë. Ramadani ia ktheu: “Kurrë mos mendoni se ne do të lotojmë para këmbëve tuaja”. Aty filloi gjykimi, dikush u dënua me dy muaj vetmi, dikush me dënime dhe maltretime të ndryshme. Pas disa javësh na shpërndan nëpër burgjet e ndryshme anë e mbanë Jugosllavisë. Unë u dënova me 18 muaj çeli në vetmi. Për Ramadanin morëm vesh që gjendej në Mitrovicë të Sremit dhe aty vazhdoi veprën e tij edhe në burg. Pasi unë u lirova më 1969, Ramadani u lirua në vitin 1971 dhe pritja nga populli ishte madhështore. Në stacion të trenit u bë sikur miting i madh i njerëzve, që kishin dalë të na prisnin. Pastaj vazhduan vizitat në shtëpi që zgjatën disa javë. Pritja dhe respekti ishte madhështor nga populli.

I gjithë grupi, i cili kishim dalë prej burgut, ishim të përcjellë nga autoritetet hetuese. Nëse pinim kafe në ndonjë restoran apo kafene na rrethonin edhe informatorët e UDB-së.

Grupi i Loxhës, ishte një grup tjetër, ne e quanim Grupi i Loxhës, në të cilin ishte Remzi Baloku, si organizator dhe me këtë grup kishte kontakte të shpeshta Ramadani.