Kujtim IV – Xajë Nura

Kujtim IV – Xajë Nura

”’NJËRI PREJ TRIBUNËVE TË MËDHENJ TË KOMBIT ”’

Intervist me Murteza Xajë Nuren, 2010, Banja Nëna Naile

Më në fund një fillim i mbarë që të flitet për njerëzit e sakrificave sublime, për njerëz që kohës dhe historisë i kanë dhënë kontribut të veçantë. Njëri prej këtyre tribunëve të mëdhenj të kombit tonë dhe kujtesës historike të kohëve të fundit dhe kohëve të vona aktuale është zotëri Ramadan Shala, të cilin me respekt e dashuri e thërrisnim Rami.

Si vizionar, i cili me dashuri e përkushtim ishte shembull i veçantë për progresin kombëtar, njëherësh për realizimin e idealeve dhe aspiratave që i kishte populli shqiptar në kohën kur pandalshëm vepronte, zotëri Ramadan Shala. Ai ishte një prej hartuesve, bashkë me Adem Demaçin, të cilët e kanë bërë dhe e kanë hartuar skeletin e parë për Lëvizjen e Çlirimit Kombëtar dhe Bashkimit Kombëtar, të denjë të Programit dhe  të Statutit, të cilët veprimtarëve iu shërbenin si udhërrëfyes se si duhet të sillen të organizuar në organizatë të veçantë, pra në Lëvizjen për Bashkimin e trojeve shqiptare, LRBSH. Është njëherësh organizatori dhe figura më e devotshme, që e ka pasur Dukagjini në vitet ‘50-ta, ‘60-ta, por edhe në vitet ‘70-ta, por i cili në mënyrën më direkte e elaboronte krejt realitetin, që e kishte kombi në kohën e represioneve dhe në kohën e tmerreve, që i përjetonte prej shtetit zullumqar, pushtetit, i cili vepronte kundër popullit në mënyrë institucionale.

 

Një emblemë shumë e rëndësishme historike

 

Për Ramadanin mund të shkruhet dhe flitet shumë, sepse është një prej figurave, e cila ka shkëlqyer në kohën kur u dashke me sakrifica sublime, me sakrifica të mëdha e me përkushtim burrëror t’iu jepet realizimit të aspiratave dhe idealeve kombëtare, të cilat ishin të nëpërkëmbura, ishin bukur të fjetura, bukur me zë të shtjerrur dhe të padëgjuara, të cilat u lipsej që Ramadani me shokë me i nxit dhe përgatit në kushtrime të vazhdueshme të luftës, e cila na priste që të zgjidhen problemet e nivelit kombëtar në rrafshin historik. Rami, pra Zotëri Ramadan Shala, mbetet një emblemë shumë e rëndësishme historike, sidomos për Rrafshin e Dukagjinit, në kujtesën e këtij populli dhe të gjithë dashamirëve e njerëzve, me të cilët ka bashkëpunuar dhe komunikuar Ramadani.

Është kënaqësi e veçantë që figura e tillë, siç ka qenë Ramadan Shala, të mbetet në kujtesë historike si një dëshmi se është punuar me këmbëngulje që idealet e aspiruara të realizohen sa më shpejt dhe sa me drejt. Sepse ky popull, si popull i lashtë e ka merituar edhe angazhimin e gjithë të tjerëve e posaçërisht e njerëzve prirës, siç ka qenë Ramadan Shala.

 

Trashëgimia revolucionare e atdhetare – me origjinë nga babai

 

Ramadanin e kam pasur shok fëmijërie. Trashëgimia e tij revolucionare dhe atdhetare vjen me origjinë prej babait të tij, i cili si gjahtist i njohur i kohës, kur nuk dinim kah të orientoheshim sikur popull, por ai ka qenë i prirë që me Lëvizjen e Ballistëve, ta bëjë ringjalljen e ekzistencës së vatrave shqiptare, të cilat kishin filluar të tjetërsoheshin dhe të humbnin identitetin kombëtar. Ai me pak shokë ka qenë prirës i disa aksioneve të vyeshme, disa aksioneve te njerëzore e burrërore. Ramadan Shala është trashëgimtar i një babai të tillë, i cili në kohën e vet e ka kryer detyrën e vet si patriot, si njeri që e donte vendin e vendlindjen.

Rami, më kujtohet, me modestinë e tij, me nivelin e një kulture properëndimore, me një edukatë të përkryer falë vatrës, djepit dhe shembujve, që i ka pasur në familje. Kur u pat martuar, flamurin e nderit dhe respektit për aktin solemn të tij e patën shpalos dhe e bartën katër individë në qytetin e Pejës. Aty ku urrejtja sllavo-komuniste, pansllaviste, e serbizmit të spikatur në gufim e sipër ka qenë shumë e njohur si qëllim me energji me tendenca asimiluese ndaj popullit shqiptar.

Rrinim bashkë, e ka dashur këngën, e ka dashur jetën, por mbi te gjitha e ka dashur lirinë e atdheut, për të cilën është sakrifikuar deri në energjinë e fundit të qenies së tij. Atë energji e ka kurorëzuar me qëndresë burrërore, me qëndresë shumë të zjarrtë, me mbrojtje të konstatuar si vlerë, të cilën rrallë kush e ka pasur në Kosovë çfarë e ka pasur Ramadan Shala.

 

Roli në Ilegale

 

Ramadan Shala ka qenë kryetar i reparteve vepruese të Dukagjinit, Pejës, Gjakovës, Deçanit, Istogut, Klinës dhe fshatrave të rrethit. Pra, në secilin prej këtyre vendeve ka angazhuar njerëzit nëpër oda të fshatrave për të ndihmuar aspiratat kombëtare. Ne tri lugje kryesore, që i ka Dukagjini, sidomos Peja, Lugun e Baranit, Kërshanit dhe atë të Terstenikut. Nëpër oda, duke i ringjallur  idealet e fjetura te njerëzit indiferentë, te frikacakët e strukturat e tjera të papërgatitura akoma që ta thonë fjalën e vet. Por, dalëngadalë duke e pranuar asimilimin qoftë gjuhësor, kulturor, qoftë atë social. Ramadani ishte ringjallës i këtyre idealeve në këto lugje, të cilat i kalëronte prej odës ne odë.

 

Kontakti me Adem Demaçin

 

Me Adem Demaçin ranë në kontakt në fillet e Lëvizjes. Ramadani kishte dëgjuar se edhe në Kosovë janë përpëlitjet, janë intencat që të organizohet rrembi, pjesa e Lëvizjes kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare. Në ndërkohë, në Dukagjin ekzistonin celula të veçanta, ishin veç të formuara dhe u dashke të formohet një Lëvizje, prandaj Ramadani ra në kontakt me Ademin për të filluar formimin e saj. Para se të fillohet  të realizohet e materializohet Lëvizja, kane ra në kontakt dhe janë marrë vesh që të hartojnë Statutin e Lëvizjes dhe kështu në shtëpinë e Ramadanit është hartuar Statuti dhe Programi, bashkë me Ademin.

 

Organizimi i grupit të Dukagjinit

 

Në Dukagjin kishte grupacione të ndryshme, por nuk ishin të organizuara dhe Lëvizja nuk i pranonte të gjitha grupet, por e bënte një seleksionim të vëmendshëm me shumë kujdes për pranim e aktivizim para se të shkrihen grupet e ndryshme në LRBSH. Grupi i Ramadanit ishte më i madhi, por kishte qytetarë, ka pasur djem të Istogut,  të Deçanit, ka pasur djem të rrethit të Pejës, të Raushiqit, të Loxhës e vendeve të tjera. Ne të Gjakovës u bashkangjitëm me Grupin e Ramit dhe së bashku u bashkuam me LRBSH. E mbaj në mend Ganiun, burrë i madh me zanat teneqegji, i cili mi solli 40.000 dinarë, të cilat ia dorëzuam Ramit për nevojat tona të ndryshme. Në grupin e Gjakovës ishim të organizuar me Kadri Kusarin si kryetar i Grupit, kurse anëtarë: Sim Vula, Avni Lama, Teki Dervishi, Hyda Dobruna, unë, e të tjerë. Kontakti me LRBSH ishte direkt dhe vetëm me Ramadan Shalën, me takime në Gjakovë, në Pejë, ose ndonjë vend tjetër, në natyrë, në Deçan. Të gjitha urdhrat për aktivitete i merrnim prej Ramadanit dhe vepronim ashtu me radhë. Aty ishte edhe bukuria, ëmbëlesia, vlera, niveli i gatishmërisë, sepse thithej energjia prej njëri-tjetrit në drejtim të edukatës patriotike dhe atdhedashurisë. Prandaj, kishim këto aktivitete dhe takime liridashëse. Fjala e Ramadanit ishte sikur ligj, fjala e të cilit duhej pa tjetër të respektohej. Deri në ditën kur Rami ndërroi jetë ka qenë një udhëheqës i mirë, të cilit nuk mund t’i thoshim jo. Ka qenë shumë i devotshëm dhe serioz në punët e atdhetarisë. Shumë serioz në kryerjen e detyrave ndaj atëdheut dhe popullit.

Lum populli dhe vendi që e ka pasur Ramadanin e djem të rrallë si ai në Lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Të gjitha energjitë e veta intelektuale, fizike, mendore i ka shkrirë për ato ideale. Dhe ato ideale sot kanë filluar të realizohen me mangësi shumë të madhe, të cilat Rami kurrsesi nuk do të pajtohet t’i pranojë si vlera, me të cilat duhet të ndërtohet dhe shkruhet historiografia e re e kombit shqiptar. Prandaj, kemi qenë të lumtur që e kemi pasur në radhët tona  dhe në krye të radhëve tona, me veprimet e tij aktive njerëzore, shoqërore historike, kombëtare. Rami ka qenë një njeri që e ka dashur jetën, i ka dashur shokët dhe ka qenë i afërt me ta dhe i ka udhëzuar se si duhet të frymojnë kur është çështja e interesit madhor historik të kombit shqiptar.