Kujtim II – Adem Demaçi

Kujtim II – Adem Demaçi

LUFTAR I PANDALSHËM DHE KËMBËNGULËS

 

Shkruan: Adem Demaçi

Foto: Adem Demaçi (portret)

 

Ramadan Shala ishte një prej atyre nga grupi i Pejës, i cili duke ndërmjetësuar Hysen Daci, që ishte anëtarë i Komitetit të Mitrovicës, duke hulumtuar për të gjetur një grup të përshtatshëm në Pejë ka hasur në Ramadan Shalën. Ramadan Shala kishte qenë anëtar i një Grupi ilegal, që kishte ekzistuar qysh përpara në krye me Remzi Balokun. Ramadan Shala ka luajtur rolin ndërmjetës të lidhjes me grupin qendror të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve dhe ka qenë pastaj, me kalimin e kohës, edhe një nga pjesëtarët e udhëheqjes së lartë, ka marrë pjesë edhe në takimin e Mitrovicës, më 28 nëntor, në banesën e Hysen Dacit në Mitrovicë, ku ka qenë edhe Mustafa Venhari dhe aty është caktuar si njëri prej nënkryetarëve të Lëvizjes, bashkë me Mustafa Venharin.

Ka qenë shumë aktiv, është përpjekur me të gjitha forcat edhe ka bërë mjaft për zgjerimin e kësaj Lëvizjeje në anën e Pejës. Ka marrë pjesë, gjithashtu, edhe në shkrimin e programit, ku e kam shtruar programin dhe ai e ka pas kopjuar, i ka pas llogaritur ato përqindjet e pjesëmarrjes së shqiptarëve në të gjitha fushat, në parti, në ekonomi, andej-këndej, ku ishte disproporcion i madh midis numrit te shqiptarëve dhe pjesëmarrjes së tyre nëpër të gjtiha instancat e pushtetit të atëhershëm të Serbisë.

Si njohës i mirë i këtyre gjërave, që ishte, ai këto punë, jo vetëm i dinte, por ishte shumë i angazhuar t’i përcillte në jetën e përditshme. Ramadan Shala ka qenë shumë i angazhuar, gjithashtu, edhe në shpërndarjen e programit dhe statutit të Lëvizjes dhe të materialeve të tjera. Ka marrë pjesë edhe në mbledhjet e shumta, që i kemi pasur në Prishtine, në Pejë, etj. Ka rënë  në burg dhe është dënuar me 14 vjet burgim. Burgun e ka vuajtur në disa burgje, ndamas prej neve. Mirëpo, dikur ka ardhur koha edhe u bë njëfarë rishikimi i lartësisë së dënimeve tona dhe kështu pas shtatë vjetësh doli nga burgu. Por,  Ramadani edhe pas daljes nga burgu ka rënë prapë në burgje, prapë lidhur me çështjen e Kosovës, duke u munduar që të zhvillojë aktivitet në favor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Më ka pas rënë rasti të takohem me të kur kam qenë në burgun e tretë në Stara Gradishka, kur ai e kishte një burg tjetër, që e kishte fituar dikah tjetër dhe, më duket, pati ardhur nga Lepogllava, a nga një burg tjetër. Por, jemi parë, por kemi pasur mundësi të këmbejmë vetëm ndonjë tungjatjeta, kurse ndeja të gjata dhe biseda të gjata nuk kemi pasur. Ka qenë një luftëtar i pandalshëm, këmbëngulës, ka qenë me orientim kombëtar gjithmonë, është përpjekur për pavarësinë e Kosovës, kudo që ka qenë. Di për përpjekjet e tij, që ka bërë në Suedi sa ka qenë, edhe atje është munduar edhe nëpër revista dhe nëpër gazeta, nëpër tubime, e tjera, e tjera, që ta promovonte dhe ta shtynte çështjen e përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës. Pra, është një shembull i një njeriu të palodhshëm, i cili edhe kur nuk ka qenë në gjendje që të ecte shumë e të bënte veprime të tjera, është angazhuar gjithmonë edhe me gojë, në ndeja e mënyra të tjera, në favor të pavarësisë së Kosovës. Ngushëlloj ata që kanë punuar me të për një humbje të njërit nga përpjekësit e mëdhenj të çështjes së çlirimit të Kosovës, në kohëra të vështira, fort të vështira. Kjo është, po them, nder për ata që kanë punuar me të dhe kënaqësi për ata që kanë pasur mundësinë të rrinë me të dhe të bashkëpunojnë me të.