KUJTIM I – ALI ALIU

KUJTIM I – ALI ALIU

”’NJERI I BESËS DHE I GUXIMIT TË PATHYESHËM ”’

Shkruan: Ali Aliu

Foto: Ali Aliu

 

 

Me Ramadan Shalën nga Peja, aktivistin e revolucionit të Lëvizjes Kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e popullit dhe të trevave, të mbetura nën okupimin e Jugosllavisë me amën shqiptare, kam pasur fatin të njoftohem në pranverën e vitit 1965 në burgun e Nishit, kur i patën sjellë të dënuarit e kësaj Lëvizjeje, me në krye Adem Demaçin. Në atë kohë, unë gjendesha në izolim, i dënuar nga ministria e punëve të brendshme të Serbisë, me kërkesë të drejtorisë së burgut. Dënimin e mbaja në ndërtesë të burgut, të ashtuquajturën ”Shtëpia e bardhë”.  Sipas rregullores kisha të drejtë të dilja në shëtitje për çdo ditë nga një (1) orë prapa kësaj ”shtëpie”, në hapësirën për karshi murit rrethojës, mbi të cilin ishte ndërtuar njëra nga karakollët e rojave që vëzhgonin lëvizjet brenda oborrit të burgut. Paralelisht me ”Shtëpinë e bardhe” nga ana tjetër, gjendej ambulanca. Një ditë nga njëri qosh i ambulancës, dëgjova një zë:

– Ali, çoje kokën dhe ktheje këndej të më shohësh (shëtitja bëhej me kokë të ulur dhe duarlidhur prapa shpine), unë jam Ramadan Shala nga Peja, njëri nga të dënuarit politikë, këto ditë i  ardhur në këtë burg!

E çova dhe e ktheva kokën nga vinte ky zë (pas gati shtatë muajve në izolim, për herë të parë dëgjova zërin e një të dënuari politik, shok të idealit. M’u duk sikur isha në ëndërr, me që isha në gjendje të rëndë fiziko-psikike, i dobësuar dhe i lodhur nga torturimi ditë e natë, pandërprerë, me zhurmën therëse të ”sharruarit të hekurit”.

Me të parë Ramadanin, duke mos besuar që kishte pasur guxim dikush nga shokët të rrezikojë për të m’u drejtuar, i fërkova sytë: o zot, thashë me vete, nuk më paske harruar! Fuqishëm nisi të më rrahë zemra, sigurisht edhe pse u shqetësova mos do ta vërejë kush këtë trim dhe kështu për shkak timin të pësojë, madje dënim edhe më të rëndë. Ia bëra me kokë të largohet, por ai as që lëvizi nga vendi dhe filloi të më tregojë shokët, që ishin dënuar dhe ishin sjellë me të në këtë burg të mizantropisë, si dhe të më njoftojë me ngjarjet brenda dhe jashtë burgut. Pasi e kreu ç’kishte të më thoshte, më dëshiroi shëndet dhe forcë, më përshëndeti me dorë dhe me gaz në buzë dhe u largua.

Mbeta i habitur, por ndjeva përtëritje shpirtërore, e morali për t’i përballuar sfidat e tjera, që do të mund të pasonin. Mandej, Ramadani edhe dy herë të tjera më vizitoi. Më pat informuar, mes të tjerash, se me Adem Demaçin ishin duke e përgatitur të ndërmerret diç në mbrojtje të drejtave, që u takonin të burgosurve.

Pas vizitave të Ramadanit papritmas m’u ndërprit dalja në shëtitje. Mendova se mos ishte zbuluar ardhja e Ramadanit, por më vonë e mora vesh se ishte organizuar greva nga të dënuarit politikë, siç më kishte paralajmëruar Ramadani.

Pasi mbajta pesë muajt e fundit të dënimit me izolim, shokët më treguan se Ademin dhe Ramadanin dhe disa të tjerë shokë të Lëvizjes i kishin pas transferuar nëpër burgjet e tjera të Serbisë.

Ndërkohë, do të bie nga posti Rankoviqi, krimineli sadisto-gjenocidist, i akuzuar me bashkëpunëtorët për krimet e bëra antinjerëzore. Një vjet pas rënies së Rankoviqit, të dënuarve politikë shqiptarë do t’ua zvogëlojnë dënimin për një të tretën dhe shumicën do ta lëshojnë të shkojnë në shtëpi. (Ky ”amnestim” vetëm mua nuk më kishte ”përfshirë” me gjithë që nga tetë (8) vjetët e dënuar me gjyq, më pati mbetur diç më tepër se një vjet e gjysme (1,5) deri në skadimin e dënimit).

 

Letërkëmbim në burg me Ramadanin

 

Nga fundi i Tetorit 1968, pesë  muaj para përfundimit të afatit tim të dënimit, një ditë në kohë të drekës, në oborrin e punishtes së burgut, më doli përpara një i dënuar ordiner, që banonte në ”Shtëpinë e bardhë”, më thotë: merre këtë letër, e ke nga Ramadan Shala. Të dënuar më izolim, e kishin sjellë nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe e kishin vendosur në njërën nga vetmitë e ”Shtëpisë së bardhë”. U habita, por letrën e mora. Ramadani në letër më dëshironte shëndet dhe dalje së shpejti nga burgu, duke shprehur njëkohësisht keqardhje që s’ma kishin zvogëluar dënimin si të tjerëve, por që kjo s’duhet të më çuditë, duke i ditur ”lojërat” e këtyre, madje, më thoshte se duhet të ndihem krenar që të pamëshirshmit nuk më kishin ”mëshiruar”! Përgjigjen ia ktheva, po ashtu, duke i dëshiruar shëndet, e sa i përket përballimit të dënimit, i shkrova që e dija se s’kisha nevojë për këshillime dhe dhënie kurajo, por për gjendjen brenda burgut dhe situatën e jashtme, për të cilat kisha shprehur interesim të dija. I shkrova me kujdes, duke dyshuar se letra mund të bie në duart e udhëheqësisë së burgut. Në letrën e dytë, siç ishte mendjemprehtë dhe e kishte kuptuar rezervën time, Ramadani më bëri me dije që s’duhet të dyshoja, meqë letërpërcjellësi ishte një djalë besnik. Kështu, deri në ditët e fundit para skadimit të dënimit tim me 3 prill 1969, korrespondencën me Ramadanin kurrë nuk do ta ndërprejmë. Ramadani kurrë s’kishte rezervë në shkrim, kurse unë vazhdimisht ruhesha të mos ”shkretoj diçka”, që do të mund të shkaktonte, jo vetëm për mua, por më së rëndi, për Ramadanin, të cilin e pata kuptuar se ishte burrë i rrallë.

 

Kur Ramadani doli nga burgu, vazhduam kontaktimin dhe shoqërinë

 

Më pas, kur edhe Ramadani doli nga burgu, vazhduam shpesh të kontaktojmë dhe shoqërohemi. Me kohë, Ramadani u martua dhe për koincidencë iu shtua familja me lindjen e katër djemve dhe dy vajzave, sa i kisha edhe unë. Pasi edhe bashkëshortet tona ishin me të njëjtat bindje ndaj idealit kombëtar, edhe ato si dhe fëmijët tonë u afruan sa që u bëmë dy familje të ngushta miqësore.

Në vitin 1986 Ramadan Shalën përsëri e burgosën. U pata shqetësuar për së tepërmi, duke ditur vendosmërinë e tij për t’iu kundërvënë të panjerëzve, e situata politike shkonte gjithnjë duke u keqësuar. Edhe familjen e Ramadanit e kishin pas marrë në sy të e keq dhe e izoluan. Me bashkëshorten time biseduam për hallet e kësaj familjeje dhe një ditë vendosëm që të shkojmë për ta vizituar. Të gjithë fjetëm mirë dhe me befasi kur pamë se edhe familja ishin moralisht të fortë. Mandej, edhe disa herë, unë i pata vizituar, por kur Ramadani e kreu dënimin dhe doli nga burgu i dytë me shëndet nuk ishte mirë (Ramadani kurrë s’ka treguar për torturimet që ia kanë bërë, e jo më të lavdërohej për qëndrueshmërinë stoike). Për t’u mjekuar ishte detyruar kohë pas kohe të shkojë edhe në Zagreb, por suksesi s’ishte arritur i plotë. Për shkak të sëmundjes së rëndë dhe përndjekjes së pandërprerë nga organet serbe të sigurimit, një ditë dashjepadashje, Ramadani vendos të largohet dhe më bashkëshorten e fëmijët e tij të dalin jashtë dhe të strehohen në Suedi. Por, njëkohësisht vë kontaktet me shokë në diasporë dhe aktivizohet. Me përkushtim do t’i qaset dhe do të vazhdojë me veprimtarinë politike, duke kontribuar me devotshmëri në dhënien e ndihmës, si aktivist me përvojë për përgatitjen dhe zhvillimin e Luftës Çlirimtare në Kosovë.

Pas largimit të forcave kriminale dhe pushtetarëve të Serbisë okupatore, Ramadani, si dhe fëmijët e tij, disa herë do të vijnë në Kosovë, me qëllim të parapërgatitjes së kushteve për kthim në vendlindje, por sëmundja kishte mbizotëruar dhe në vitin 2004 Ramadani ndërron jetë në moshën relativisht të re, 70-vjeçare. Varrimi do të behët në Pejë me nderime, siç e ka merituar. Në përkujtimin në sallën e Shtëpisë së Kulturës, m’u bë respekt, që edhe unë të shpreh kujtimet për këtë burrë të rrallë!

Ramadan Shalën e veçonte karakteri i tij, me këto veti: Besa – filozofia e kuptimit të jetës; Sinqeriteti – thënia e të vërtetës pa ngurrim; Dinjiteti – mospërkulja para forcës së errësirës; Guximi – i pathyeshëm, stoik në mbrojtjen e të drejtave dhe Nderi – sjellja me dashuri ndaj njerëzve dhe me përbuzje ndaj të panjerëzve! Të përkujtosh, Ramadan Shalën, do të thotë të njoftosh breznitë me vlerat e idealit njerëzor, trashëguar nga të parët që nga lashtësia, simbolikisht të emërtuar si popull hyjnor.

 

                                                               Ali Aliu, Prishtinë, më 25 5. 2005.