Dëshmi III – Halil Gashi

Dëshmi III – Halil Gashi

”’QËLLIMI I LUFTËS SONË ISHTE ÇLIRIMI DHE BASHKIMI KOMBËTAR ”’

 

– Si dhe kur filluat veprimtarinë tuaj atdhetare

 

– Unë jam i lindur në vitin 1934 në Pejë. Rrjedh nga një familje, e cila gjatë gjithë regjimeve të huaja, nis prej atij të Perandorisë Osmane, të Serbisë, të ish-Jugosllavisë edhe të ish-Jugosllavisë së Titos, ishin në përleshje të përhershme dhe shumë nga pjesëtarët e familjes nga gjyshi, axhët, prindërit e mi, kushërijtë e afërm e të largët, pësuan shumë. Bie fjala, në vitin 1918, në lagjen e Karagaçit, u vra axha më i madh në përleshje me gjandarmërinë e Jugosllavisë dhe atë e patën tërheq me kali, me tru përjashta dhe shëtit nëpër qytet. Më vonë, në periudhën e pasluftës së dytë botërore në përleshje m’u vranë shumë kushërinj, djali i hallës, djali i axhës, axha u burgos, babai im prapë u zu te kazerma e vjetër dhe u shëtit i lidhur nëpër tërë qytetin dhe në periudhën e pushkatimeve të mëdha të janarit të vitit 1945 u pushkatua dhe as sot nuk ia dimë varrin. Më vonë, menjëherë pas luftës, në moshën më të re, u organizova në një organizatë nacionaliste, të cilën e udhëhiqte një Skënder Kosova, i cili vuajti shumë vite burg në Shqipëri dhe Nijazi Gega, të cilin e kishim edhe kushëri më  të largët, i cili kishte edhe të vllain e vet të pushkatuar në atë kohë.

 

Në vitet e para të rinisë kam pasur shumë shokë. Shokë të gjimnazit, të lagjes, e më vonë edhe të punës, si Shefqet Deçanin, Kadrush Shalën, tani jeton ne Turqi, Nijazi Gegën, i cili ishte më i moçëm dhe e udhëhiqte grupin tonë të parë ilegal në Pejë. Me vonë, punën e organizuar e kemi filluar me Shefqet Deçanin, Hivzi Kollqakun, Kurtesh Purrinin, më vonë  doktor shkence, Abdylaziz Dacin, Selaudin Dacin, nga Peja, Mehmet Krasniqin, Nezir Gashin, Hajdar Balën, Qamil Kaliqanin, Ejyp Kastratin, Ahmet Zekën dhe shumë të tjerë nga rethina e Istogut, Lugu i Baranit, Deçanit, Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës.

 

Në vitin 1963, edhe pse ishim të lidhur me disa organizata në Pejë dhe jashtë Pejës,  në Prishtinë e gjetiu, ku kishte shumë grupe të vogla të organizuara, aty kah muaji tetor i vitit ‘63 ramë në kontakt edhe me Adem Demaçin, i cili ishte një nga veprimtarët, që kishte qenë edhe përpara në burg për shkrime kundër shkuarjes në Turqi dhe i cili në vitin ‘61 kishte dalë nga burgu. Këtë kontakt e vumë nëpërmjet Hysen Dacit, po ashtu nga Peja, i cili jetonte e punonte ne Mitrovicë. Atje ishte njoftuar me Adem Demaçin dhe kështu na e organizoi një takim në shtëpinë e mikut të Adem Demaçit, Arif Hoxhës, në Mitrovicë. Aty ishte edhe Mustafa Venhari, i cili ishte veprimtar i hershëm, më i moshuar se ne dhe ishte mësimdhënës i matematikës nga familja Venhari e Vushtrisë. Pastaj i bëmë edhe disa takime të tjera në Prishtinë në shtëpinë e Adem Demaçit dhe në shtëpinë e një kushëririt të tij, Ahemet Haxhiut, tash i ndjerë. Më në fund u morëm vesh që të harmonizojmë punën e të gjitha organizatave, t’i shkrijmë ato dhe t’i lidhim në një organizatë të përbashkët, të bëhet puna edhe më e organizuar. Meqenëse vepronim edhe në ilegalitet duhej patjetër me u vu edhe një kontroll mbi lëvizjet tona, lëvizjet e armikut dhe të tjera.

 

Kështu, u morëm vesh edhe të bëjmë një program, një platformë. Këtë punë  vendosëm ta bëjmë në Pejë. Kështu, më 27 janar të vitit 1964, Ademi vjen në Pejë dhe deri më 31 janar në shtëpinë time e shkruam Programin e Organizatës, që ishte në formim e sipër. Natyrisht ia dhamë këtë edhe njeriut të tretë,  Mustafa Venharit, që të jepte sugjerimet e tij. Më vonë,  ai Program u miratua në Komitetin Qendror të sapoformuar. Organizatën e emërtuam: Lëvizja Revolucionare për Çlirimin e Bashkimin e Shqiptarëve. Shpejt vendosëm edhe t’i formojmë edhe komitetet e vendeve. Në Pejë kryetar i Komitetit ishte Mehmet Krasniqi, arsimtar i Gjeografisë, Nezir Gashi ishte sekretar, anëtarë ishin Ejyp Kastrati, Ahmet Zeka, Selahudin Daci dhe disa të tjerë. Për Istog, kryetar ishte  Nimon Podrimaj,  për Gjakovë kryetar ishte Kadri Kusari.

I mbajtëm edhe shumë takime me Ademin, herë në Mitrovicë e herë në Prishtinë, në shtëpinë e Ademit dhe në shtëpinë e Ahmet Haxhiut. Pas shumë takimeve vendosëm më në fund,  të ndërmarrim aksionin e ngritjes së flamujve, të cilin e realizuam në mes të datës 12-13 prill të vitit 1964. Në të njëjtën kohë, në të njëjtën orë, në 40 vende e lokalite, nis prej skajit më të lartë, të Podujevës e deri në Podgor, Deçan, po mendoj në komunën e Deçanit, të Istogut, Gjakovës.

 

Në Gjakovë flamujt i ka ngritur Teki Dervishi. Në Pejë Ahmet Zeka. Kemi dalë tri net përpara, së bashku me Ahemt Zekën dhe i kemi caktuar vendet, nis prej Kapeshnicës e deri te Kombinati i këpucëve, e poshtë te varri i Haxhi Zekës, kryesisht nëpër lagjet, ku banonin shqiptarët dhe ku lëvizin në orët e mëngjesit punëtorët, që shkonin në punë.

Aksioni u krye me sukses, por pastaj me pasoja. U burgosëm më 7 dhe 8 qershor, e disa edhe më vonë. E vazhduam veprimtarinë dhe u zbuluam në korrik. U lirova nga burgu aty kah viti 1971. U pritëm mirë nga popullata, na përkrahnin dhe ishim të kënaqur edhe ne me ta. Veprimtarinë tonë e vazhdoi rinia, e vazhduan brezi i ’68-ës. Ishin disa grupe, që i organizuan ato demonstrata, që kishin mbetur pa u burgosur më 1964  ose nuk ishin burgosur për shkak të moshës së re dhe u burgosen në vitin 1968.

 

Lufta jonë nuk u ndërpre asnjëherë

 

Rrjedh nga një familje, që ishte nga viti 1913 në konflikt me shovinistët serbë e malazias, të cilët e robëruan një pjesë të Shqipërisë. Si dihet fatin e Shqipërisë e zgjidhen të tjerët.

U linda në Shqipërinë e robëruar në qytetin e Pejës, e cila shtrihej në të dy anët e lumit të kthjellët, Bistrica (Lumëbardh), që buron në Grykën e Rugovës pitoreske. Në rrënëzat e Bjeshkëve të Namuna, në Shqipërinë e robëruar. Nuk e them rastësisht këtë Shqipëri, sepse gjithmonë e konsiderova Shqipëri. As si bijtë e nënës Shqipëri, as si ndonjë pjesë me ndonjë emërtim tjetër. Për arsye se kjo është Shqipëri dhe do të mbetet Shqipëri. Derisa të jetë edhe pjesa tjetër e Shqipërisë. Deri sa të jetë edhe populli shqiptar, si popull autokton, që jeton në të.

 

Shqipërinë, si dihet e copëtuan të huajt. Vendosi për të Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 dhe e copëtoi kështu në dysh. Të tillë e pranoi dhe  vendosi Konferenca e Paqes  e Versajit pas Luftës së parë botërore.

 

Këta kufij, të Shqipërisë së copëtuar, i pranoi edhe Konferenca e Paqes pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1945 në Paris. Por,  Jugosllavinë e Versajit gjithmonë shqiptarët e quanin krijesë artificiale, por jo edhe vetëm shqiptarët.

 

Më 31 dhjetor të vitit 1943 dhe 1 e 2 janar të vitit 1944 në fshatin Bunjaj të Malësisë së Gjakovës u mbajt e ashtuquajtura Konferencë e parë e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafshin e Dukagjini, e cila nxori Rezolutën e njohur për bashkim të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë me Shqipërinë.

 

Pas luftës, më 18 shkurt 1945, Fadil Hoxha, së bashku me Miladin Popoviqin u thirrën në Beograd dhe atje e nënshkruajnë njëfarë marrëveshjeje që Kosova të mbetet nën Serbi, pra t’i aneksohet Serbisë. Për ta përligj këtë mbahet një Konferencë, më 9-10 korrik 1945 në Prizren, që përfundimisht vulosi nënshtrimin nën Serbi.

Por, rezistenca shqiptare nuk pushoi. U formuan organizata, që kishin për qëllim çlirimin e bashkimin e shqiptarëve, ashtu siç ishin aspiratat e kahmotshme të popullit shqiptar.

Atëherë kishte dalë nga burgu edhe luftëtari i madh për të drejtat kombëtare, Adem Demaçi, i cili kishte vuajtur një burg prej 3 vjetësh, i cili kishte kundërshtuar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, qoftë me fjalë apo me veprën e tij të njohur, “Gjarpijt e gjakut”.

Shpejt ramë në kontakt me Adem Demaçin, aty në muajin tetor. Pas shumë bisedimeve me të dhe me  rreth 300 patriotë të Dukagjinit në atë kohë, me Mustafa Venharin e Vuçitërnës, Kadri Kusarin, profesor nga Gjakova, Xhafer Mahmutxhikun nga Prishtina, Sabit Ratkocerin, jurist, Hazir Shalën, profesor i gjuhës dhe letërsisë nga Prishtina, e me shumë shokë të tjerë nga Gjakova, Murteza Nurën, Hyda Dobrunën, e të tjerë, u përcaktuam për një punë sa më të organizuar, sa më serioze. Kërkohej edhe një Program, i cili nuk ekzistonte atëherë. U morëm vesh me Adem Demaçin, për shkak se shtëpia e Adem Demaçit ishte nën thjerzën e agjentëve të policisë, vendosëm të  bëjmë Programin  në një vend tjetër, ndaj për këtë punë e zgjodhëm kasollën time në Pejë. Adem Demaçi erdh më 27 janar 1964 dhe deri më 31 janar të po atij viti e bëmë gati Programin. U përpoqëm që Programi të jetë sa me adekuat, të jetë sa më i qartë për të gjithë anëtarët e Lëvizjes dhe popullatën shqiptare. Në program, Organizatën tonë e emërtuam me një emër të kuptueshëm: “Lëvizja Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve”. Nuk e di pse tani, në intervista të ndryshme të botuara në gazetat jugosllave, po edhe ato jashtë atdheut shqiptar, quhet si Lëvizje Revolucionare për Bashkimin e Shqiptareve dhe hiqet fjala Çlirim. Fjala Çlirim kishte dy kuptime, kishte dy aspekte. Shqiptarët ishin të robëruar nga Jugosllavia, pra nuk e kishin lirinë, nuk ishin të çliruar, ndaj duhej lufta për çlirim. Shqiptarët, gjithashtu, ishin të robëruar nga ideja komuniste, që komunistët nuk luftojnë për kufij dhe kjo ne na pengonte sepse gjysma e atdheut ishte jashtë kufijve të shtetit të pavarur të vitit 1912.

Po citoj një pjesë të programit, programi ynë fillon me pyetjen:

 

Cili është qëllimi i luftës sonë?

 

Përgjigjja:

  1. Qëllimi i luftës sonë është çlirimi kombëtar
  2. Qëllimi i luftës sonë është bashkimi kombëtar

Pastaj, në Program shtrohet pyetja:

Çfarë do të jetë lufta jonë dhe sa do te zgjasë ajo?

Përgjigjja:

  1. Lufta jonë do të jetë e gjatë dhe do të jetë e rëndë, me shumë peripeti, me shumë vështirësi në organizimin e saj.
  2. Lufta jonë do të jetë e gjatë me shumë sakrifica, me shumë viktima dhe do të zgjasë deri sa të çlirohet çdo pëllëmbë toke, e banuar me shqiptarë, deri sa të bashkohet çdo pëllëmbë toke, e banuar me shqiptarë dhe deri sa të bashkohen të gjithë shqiptarët.

 

Menjëherë pas nxjerrjes së Programit filluam edhe aksionet tona konkrete. E filluam me ngritjen e flamurit kombëtar në 48 vende e lokalitete, nis nga Podujeva e gjer në vise të Podgorit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës, Drenicës, etj. Por, me këtë aksion deshëm të dëshmojmë se shqiptari gjithmonë ka shkuar në luftë si të shkojë në dasmë dhe e zgjedhin si krushk të parë të dasmës sonë flamurin kombëtar.

Por, ky aksion u bë shkas të zbulohemi dhe kështu edhe të burgosemi. Burgjet ishin të rënda, jo vetëm për ne, por edhe për familjet tona. Pësuam tortura të mëdha nga policia serbe. Pas një kohe shumë të shkurtër u dënuam mbi 50 veta me burgje të rënda me kohëzgjatje prej 2 deri ne 15 vjet burgim. Me dy vite u dënua Isa Bajrami nga Gjilani, ndërsa me 15 vite Adem Demaçi, unë, Ramadan Shala, me 14 vite, Hazir Shala, me 13 vite, Xhafer Mahmutxhiku, nëpunës nga Prishtina, me 11 vite, Sabit Ratkoceri, jurist nga Podujeva, me 11 vite,  Kadri Kusari, profesor nga Gjakova me 11 vite dhe të tjerët kështu me radhë deri te i fundit. Shumë të tjerë u dënuan për kundërvajtje dhe kështu, si thonë edhe shënimet e analeve policore, mbi 300 veta. Së shpejti na dërguan nëpër kapedome, si u thoshin këta, shtëpive ndëshkuese. Burgjet i vuajtëm në kapedomin e Nishit, atë të Pozharevcit, të Sremska Mitrovices,  të Zenicës, të Poqes, të Lepogllavës, Dobit të Sllovenisë, të Stara Gradishës e të Goliotokut.

 

Të gjithë të burgosurit qëndruan trimërisht, burrërisht para policisë

 

Të gjithë shokët e burgosur qëndruan trimërisht, burrërisht,  para organeve policore nëpër të gjitha burgjet e Jugosllavisë. Ishim kompakt nga torturat e padrejtësitë që na bëheshin nëpër burgje, organizonim shumë greva urie. Të deportohemi nga burgu në burg. Dhe të mos na lejohet edhe të mos përdoret gjuha shqipe. Të mos na lejohen edhe vizita të rregullta. Qëllimi i dërgimit në burgje të largëta ishte që të bëhet shtypje edhe më e madhe. Shumë prej neve i kaluam shumë ditë nëpër qelia, nëpër izolime, etj. Qëllimi i dytë ishte të lodhen edhe familjet tona, të varfërohen ekonomikisht, e ndoshta edhe kështu të bëjnë edhe presion mbi ne. Kështu kaluan edhe të tjerët, që u dënuan pas nesh, kështu kishin kaluar edhe ata që ishin dënuar para nesh,  që i gjetëm nëpër burgje. Por, luftën tonë për çlirim dhe bashkim  nuk pat kush ta ndalë. Vazhduan të gufojnë organizatat, të gufojnë grupet anë e mbanë trevave shqiptare për çlirim dhe bashkim. Lufta jonë, pra, nuk u ndërpre asnjëherë.

Pata rastin të takohem edhe me shumë patriotë të rinj nëpër burgjet e ndryshme,  pasi edhe vet e kalova nëpër atë rrugë, në burgun e Pejës, Prizrenit, Nishit, Sremska Mitrovicës, të Lepogllavës, të Zagrebit, Stara Gradishkës, të Gospiqit dhe kështu atje hasa në burrëri të madhe të gjithë atyre trimave, që me të vërtetë në mënyrë të denjë përfaqësonin kombin shqiptar dhe të gjithë të burgosurit politikë që ishin nëpër burgjet jugosllave, na lakmonin dhe respektonin të gjithë burgosurit e tjerë, por edhe ata që ishin politikë, kroatë, sllovenë, serbë, boshnjakë apo të kombeve tjera, që ndodheshin atje. Për ta mund të krenohemi, ata nuk e kanë kaluar kohën kot nëpër burgje, por kanë bërë një kapital të madh politik dhe për atë sot gëzojnë një respekt të madh në popullin shqiptar në të gjitha trevat. Shumica prej tyre qe dënuar edhe më shumë se një herë, shumica pësuan më vonë edhe në izolime, që u organizuan nga policia serbe.

Opsioni i Republikës së Kosovës, pra parulla Kosova Republikë,  filloi të gjallojë që nga viti 1968, e kërkuar nga demonstruesit shqiptarë në nëntor të vitit 1968, në Prishtinë, në Pejë, në Prizren, në Tetovë në Ulqin dhe në disa vise tjera, por edhe nga disa intelektualë akademikë të Kosovës, të cilët ishin për atë opsion.

Në vitin 1981 në demonstratat e mëdha, që u bënë në shumë vise të Kosovës, ky opsion i zgjidhjes së çështjes kombëtare në kuadër të Republikës së Kosovës, e në kuadër të federatës jugosllave, u masovizua aq shumë sa të themi u bë edhe parullë e ditës dhe u bë program i një Lëvizjeje të tërë shqiptare dhe për këtë ranë fli shumë të rinj e të reja, shumë njerëz nga popullata shqiptare.

Në vitin 1989 dhe vitin 1990 u bënë kthesa të mëdha historike në mbarë Evropën lindore. Rranë nga pushtetet qeveritë njëpartiake komuniste dhe filloi një frymë demokratike dhe u formuan sistemet shumëpartiake. Kjo nuk mbeti pa ndikim edhe në Jugosllavi, por edhe në atdheun tonë Shqipërinë, pra edhe në  Kosovë.  Rrezet e diellit të demokracisë filluan të shpërthejnë e shpërndajnë rrezet e zeza 45-vjeçare, që kishin mbuluar këtë trevë dhe shpejt gufuan njëra pas tjetrës partitë me orientim demokratik, shoqatat me orientim demokratik, këshillat me orientim demokratik.

 

Formimi i partive shqiptare në botën shqiptare

 

Në Kosovë, më 23 dhjetor 1989, së pari u formua partia e parë shqiptare në botën shqiptare, Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga intelektuali i shquar shqiptar, Dr Ibrahim Rugova.  Pastaj u radhitën partitë e tjera.U formua Partia Republikane, Partia Socialdemokrate, Partia Parlamentare, Shoqata Ekologjike, Partia Demokristiane, dega e Lidhjes Demokratike në Zagreb për shqiptarët e Kroacisë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mal të Zi. U formua edhe Partia e

Prosperitetit Demokratik për shqiptarët, prej Kumanove deri në Strugë, me seli në Tetovë. U formua Partia Veprimit Demokratik në Preshevë, u formuan së fundi edhe partitë demokratike në Shqipëri, Partia Demokratike, Partia Demokristiane, Republikane, Ekologjike, e sa e sa parti do të na lindin.

Edhe Partia Demokratike e Shqipërisë,  e themeluar nga doktor Sali Berisha, Gramos Pashko, Azem Hajdari e të tjerë kanë program të qartë kombëtar dhe e pranojnë Republikën e Kosovës.

 

Burgjet e Ramadanit

 

Burgu i parë – 14 vjet burg. U dënuam 48 vetë në krejt Kosovën me burgje të renda. Prej 2 deri ne 15 vite, 15 vite qe dënuar Adem Demaçi, unë 14 vite, e kështu me radhë. Në Pejë u dënuam 11 vetë, në Gjakovë, po ashtu, në Prishtinë 18 vetë, në Gjilan 8 vetë. Grupi i Ferizajit. Në Gjakovë, në krye me Kadri Kusarin, në Gjilan, me Rexhep Elmazin në krye, në Mitrovicë në krye me Zeqir Gervallën, e të tjerë.

Ata që më kanë torturuar gjatë burgimit të parë ishin të gjithë serbë. Të gjithë ishin serbë, që nga rrojtari (berberi) e deri te gjykatësi, drejtori i burgut, komandanti i burgut, hetuesi, prokurori, gjykatësi, të gjithë ishin serbë.

 

Burgu i dytë – 5 muaj e 28 ditë izolim në burg

 

Burgosja ime e dytë ishte në vitin 1981, njëherë administrativisht, prej 2 prillit deri më 2 qershor, kur u dha ai urdhëri famëkeq për shtetrrethim të Kosovës, si person i rrezikshëm. Unë nuk isha aq i rrezikshëm dhe as që mund ta konsideroj veten më të rrezikshëm se ata që më burgosen që ishin të rrezikshëm për këtë popullatë dhe këtë gjendje këtu në Kosovë.

Në burgun e dytë i kam pasur thuaja të gjithë shqiptarë dhe një numër të konsideruar i kam pasur nxënës. Prej rrojtarit e deri te gjykatësi kanë qenë të gjithë shqiptarë. Hetues ishin: Mehmet Loci, Hasan Jakupi, Jakup Llonqari, Demë Muja, Asllan Sllamniku, një Mazreku, Xheladin Beqiri, e disa të tjerë. Kanë qenë edhe më të këqij, edhe më të poshtër se të burgut të parë. Ata ma kanë sharë Shqipërinë për natë, nënën shqiptare, nënën time gjatë pesë muajve e 28 ditëve burgim.

 

Burgu i tretë

 

U burgosa më 17 qershor 1986. U dënova me katër vjet burg. U lirova për herë të fundit më 15 korrik të vitit 1988. Unë që nga viti ‘90-të jam në Suedi dhe kontributi im ka qenë i nduarnduarshëm. Fillimisht në vitin 1991 kam qenë i zgjedhur si kryetar i Fondit gjithëkombëtar, që u formua në atë kohë dhe i kemi konsoliduar të gjitha këshillat. Pastaj, kam qenë një kohë kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve “Naim Frashëri”. Që nga viti 1994 e kam udhëhequr dhe e udhëheq  edhe tash Forumin e ish të Përndjekurve Shqiptarë në Suedi.

Halil Gashi: Intervistë e drejtpërdrejtë me Ramadan Shalën për Radio Peja, në Pejë, më 28.08. 2000.