Dëshmi II – Milaim Zeka

Dëshmi II – Milaim Zeka

”’TASH TË GJITHË E KANË KUPTUAR SE ÇKA DO TE THOTË T’IA KTHESH SHPINËN POPULLIT TËND ”’

 

Milaim Zeka: Bisedë me Ramadan Shalën për Radio Suedia, 90-99

 

Ramadan Shala, njëri nga pionierët e Lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për pavarësinë nga Jugosllavia e Serbia, u lind më 1934. Në Kosovë mbaroi shkollën e lartë ekonomike dhe punoi një kohë si gazetar në të përditshmen Rilindja. Më 1964 u burgos me korifejt e kësaj Lëvizjeje në krye me Adem Demaçin. Pas qëndrimit shumëvjeçar në kazamatet jugosllave dhe aktivitetit të tij patriotik, Ramadan Shala, viteve të fundit jeton në Suedi.

 

Çlirimi dhe bashkimi kombëtar ishte arsyeja dhe qëllimi i formimit të LRBSH-së

 

– Çka ju ka shtyrë të krijoni organizatën tuaj (Lëvizja revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptareve) në vitet e gjashtëdhjeta?

 

– Mendoj se kjo pyetje nuk ka vend në një situatë të tanishme kur golgota milosheviqiane i ka ngulitur kthetrat mbi popullin shqiptar. Do të ishte shumë më me vend sikur të shtrohej pyetja: Ç’të bëjmë për të dalë nga kjo situatë? Si ta ndalojmë ekzodin e shqiptarëve nga Kosova? Si të organizohemi për ta penguar kolonizimin e Kosovës me serb. Të merremi me atë se çka duhet ndërmarrë konkretisht kundër ekzodit të shqiptarëve dhe kolonizimit me serb. Ma merr mendja se në momentin e tanishëm nuk mjaftojnë më reagimet me intervista, deklarata, protesta e tryeza të rrumbullakëta, të cilat, jo që janë të bollshme, por edhe të tepruara në ditët e sotme. Këto bëhen për shkak se mungon guximi për ndërmarrje konkrete kundër dukurive të përmendura. Individë, gazetarë e politikanë me intervistat, deklaratat e polemikat e tyre, për të kaluarën kanë për qëllim që masave të painformuara t’u hedhin hi syve dhe vetën ta promovojnë si patriotë, intelektualë e politikanë të kohës.   Me disa intervista, deklarata, e sidomos me disa polemika të tyre, nuk bëjnë gjë tjetër veç se fyejnë dhe denigrojnë njeri-tjetrin. Kështu, populli mashtrohet, dezorientohet dhe dezorganizohet. Ose nuk dinë se si të organizohet për realizimin e aspiratave të tij. Unë u hamenda shumë a t’u përgjigjem pyetjeve tuaja apo mos t’u përgjigjem. Por, me shpresë dhe besim të plotë se nuk do t’i kontribuoj intrigantëve dhe intrigave, vendosa me në fund t’u përgjigjem këtyre pyetjeve. Këto pyetje me mirë kishte me qenë t’i shtroni kështu: Çka i parapriu themelimit të Lëvizjes Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin të shqiptarëve?

Atë që i parapriu themelimit të kësaj Lëvizjeje, unë e kisha ndarë në tri periudha: gjendja në Kosovë fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore deri te mbarimi i viteve të dyzeta: periudha e viteve pesëdhjeta dhe periudhën e viteve të gjashtëdhjeta.Periudhën e fundit të viteve dyzeta e karakterizon dhuna, terrori, masakrat, pushkatimet e plaçkitjet e pasurisë se shqiptarëve. Që në fillim populli shqiptar e diktoi tradhtinë e periudhës ”për çlirim, pavarësi e bashkim kombëtar”, që ishte sanksionuar edhe me Rezolutën e Bujanit.

Faktikisht lufta për shqiptarët nuk mbaroi, por ajo vazhdoi pa ndërprerje nga grupet e arratisura dhe me kryengritjen popullore, që e udhëhoqi Shaban Polluzha. Kryengritje kjo që kishte për qellim realizimin e Rezolutës së Bujanit  dhe  që u shua me gjak e masakra të mëdha mbi popullin shqiptar. Dhuna e terrori nga Jugosllavia e Serbia nuk pushoi, por, vazhdoi me intensitet të shtuar dhe u sanksionua nga Asambleja Jugosllave; shtetrrethimi i 8 shkurtit 1945. Ky shtetrrethim vazhdoi deri me 10 korrik të vitit 1945 kur u mbajt e ashtuquajtura mbledhje e dytë e Këshillit Krahinor në Prizren. Kjo mbledhje ishte vërtet një llakërdi. Me dhunë e nën tytat e armëve u krye aneksimi i Kosovës nga Serbia. Kosovës atë botë iu pranua statusi i një  ”oblasti” në kuadër të Serbisë. Periudhën e viteve të pesëdhjeta, Jugosllavinë  karakterizohet me një krizë të thellë ekonomike shoqërore e politike, e cila në Kosovë manifestohej më rëndë se gjetiu. Jugosllavia prishi marrëdhënie me Byronë informative, pra edhe me Bashkimin Sovjetik. Marrëdhëniet e Jugosllavisë me Shqipërinë arritën pikën më kritike. Tani tutje shqiptarët e Kosovës me një ligj të Sekretariatit të punëve të brendshme, shpallen si kombësi e dyshimtë dhe, çdo akuzë ndaj shqiptarëve të Kosovë vihej edhe mbi Republikën e Shqipërisë. Revolta e popullit shqiptar sa vinte e shtohej. Rezistenca vazhdonte. Burgjet jugosllave mbusheshin përplot me shqiptarë. Jugosllavia e intensifikonte dhunën shtetërore mbi shqiptarët. Në këtë kohë nën diktatin e dhunës, shqiptarët e përkatësisë së fesë myslimane detyrohen të regjistrohen si turq, hapen shkolla turke me të vetmin qëllim që të zvogëlohet numri shqiptarëve. Me dekret shtetëror fillon realizimi i Memorandumit të Çubrilloviqit, Andriqit e Vukoviqit. Në këto vite kryhet ekzodi i madh i shqiptarëve në Turqinë aziatike. Në këtë gjendje e rëndon edhe me shumë aksioni famëkeq i mbledhjes së armëve (dimri 55-56). Këtë periudhe e karakterizon edhe një varg procesesh gjyqësore kundër shqiptarëve, por këtu duhet përmendur të ashtuquajturin procesin famëkeq të Prizrenit të vitit 1956. Si rezultat i këtij procesi nxirren qindra shqiptarë para gjyqeve jugosllave, shumë intelektualë, politikanë, klerikë si dhe shtetarë të Kosovës. Në këtë akuzë përfshihej edhe shteti shqiptar. Të gjitha këto procese nuk mundën ta ndalin popullin shqiptar në rrugën e tij të shenjtë për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Shi për këtë lindnin për çdo vit grupe dhe organizata ilegale në mbarë trevat shqiptarë nën robërinë sllave. Vitet e gjashtëdhjeta në Kosovë karakterizohen me një organizim masiv të grupeve dhe organizatave ilegale, të cilat kishin të vetmin qëllim: çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Në vitin 1961 nga burgu del Adem Demaçi. Ai menjëherë vazhdon veprimtarinë e tij patriotike në fushën e organizimit ilegal. Po në këtë kohë në mbarë trevat e Kosovës ishin themeluar grupe e organizata patriotike ilegale. Vetë ekzistenca e tyre ndiente nevojë të madhe për ndërlidhje ndërmjet vete dhe për një udhëheqje qendrore, me njerëz të aftë e konspirativ. Pas daljes së Adem Demaçit nga burgu, ai bie në kontakt me Hysen Dacin, orëndreqës nga Peja me punë në Mitrovicë, i cili e njofton për mua edhe ekzistimin e grupeve ilegale në Pejë. Ademi kërkon të kontaktojë me mua. Nga gjysma e tetorit të vitit 1963, Hysen Daci na aranzhon takimin e parë me Ademin. Ky kontakt bëhet në Mitrovicë, ku ishte i pranishëm edhe Mustafa Venhari, profesor nga Mitrovica. Në këtë mbledhje, në përbërje: Ademi, Mustafa dhe unë. Shqyrtuam dhe analizuam gjendjen e grupeve ekzistuese. Shumë lehtë ramë në ujdi për veprimtari të përbashkët të të gjitha grupeve ekzistuese, u morëm vesh që t’i njoftojmë grupet, organizatat dhe individët, me të cilët kishim kontakt për marrëveshjen tonë, ashtu edhe vepruam. Brenda vitit 1963, por edhe më vonë pata shumë takime me Adem Demaçin e me veprimtarë të tjerë, si me Mustafa Venharin, Ahmet Haxhiun, Zeqir Gërvallën, Kadri Kusarin, Din Spahiun, Hyda Dobrunën, Teki Dervishin, Shefqet Deçanin, Seladin Dacin, Nezir Gashin e Ahmet Zekën, A.B.A.C.A.D., Ejup Kastratin, Jahja Turjaken, Mehmet Krasniqin e shumë veprimtarë të tjerë në Rrafshin e Dukagjinit dhe të Kosovës. Gjatë këtyre takimeve biseduam për nevojën e zgjerimit të grupeve dhe për përpilimin e një programi serioz e të mirëfilltë kombëtar. Me rastin e një mbledhjeje, që u mbajt gjatë pritjes së Vitit të Ri në shtëpinë e të ndjerit Ahmet Haxhiut me Adem Demaçin, u dakorduam që për përpilimin e programit të Lëvizjes sonë, për shkaqe konspiracioni Adem Demaçi të vinte në Pejë (sepse shtëpia e tij dhe e Ahmet Haxhiut ishin në vrojtim të rreptë të policisë serbe). Më 27 janar të vitit 1964, Adem Demaçi vjen  në Pejë në shtëpinë time. Nga 27 deri me 31 janar të vitit 1964 përpiluam programin e organizatës që e emërtuam: Lëvizja Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve. Udhëheqjen qendrore të kësaj Lëvizje e morëm përsipër: Adem Demaçi, Mustafa Venhari dhe unë, si udhëheqje kolektive (Komitet Qendror i Lëvizjes). Kurse zgjerimin vendosëm ta bëjmë nga veprimtarë e intelektualë të dalluar. Sa i përket organizimit në terren, atë e organizuam në Komitete Lokale, në grupe të sistemit të pesëshit dhe të treshit. Atje ku nuk ekzistonte mundësia për këtë të mbanim kontakt me individë. Në komitetet lokale u përfshin njerëz, që kishin dhënë prova më parë me veprimtarinë e tyre patriotike, që gëzonin autoritet në shtresat popullore. Aktivistë kishim në disa universitete të atëhershme të Jugosllavisë, si në Beograd, Sarajevë e Zagreb. Karakteristikë e Lëvizjes sonë ishte se tërësia e saj në vitet e gjashtëdhjeta përbëhej nga të gjitha kategoritë shoqërore, nga zejtarë, nxënës, studentë, mësues, profesorë, shkrimtarë, juristë, ekonomistë, ish-luftëtarë, ish-anëtarë të grupeve dhe organizatave, që kishin vuajtur dënimet me burg, si endesheistë e tjerë dhe nga profilet e tjera. Nuk mund të mos i përmendi disa emra eminentë të organizatës sonë, si: Hysen Dacin, Mustafa Venharin, Asim Vulën, mikun tim me të ngushtë, Bacën Din (Nuredin Spahiu), Bacen Sylë (Sylë Shala, ish i burgosur si endëshesit nga Peja), profesor Avni Lamën, ish i burgosur politik edhe më parë, Hyda Dobrunën, ish i burgosur edhe më parë, Shefqet Deçanin, jurist, Sabit Ratkocerin, jurist, A.B. ,  jurist, Ahmet Zekën, ekonomist, Sabri Novosellën, që nuk iu nda asnjëherë veprimtarisë se tij patriotike, Ahmet Haxhiun, Xajë Nurën, Esat Myftarin, të ndjerin Fazli Grajqevcin, i cili ra dëshmor në burg, Fehmi Elmazin, Adil Pirevën, Fatmir Lamën, Hilmi Rakovicen, Remzi Balokun, Avdyl Shalën, Hazir Shalën, Teki Dervishin, Ejyp Kastratin, Nimon Podrimën, Vezir Ukën, Azem Beqirin, Enver Mehmetin, K e J. Turjakën, Nezir Gashin, Xhafer Mahmutxhikun, Mehmet Krasniqin, H. Balën, e shumë e shumë të tjerë. Të gjithë këta ishin njerëz të shkëlqyer e të denjë në aksione e që posedonin shpirt të sakrifices. Sa i përket pyetjes suaj se cilat ishin qëllimet programore, në programin tonë vetes i patëm shtruar që në fillim këtë pyetje: cili është qëllimi i Lëvizjes edhe për këtë kemi dhënë këtë përgjigje:

 

  1. a) – Çlirimi kombëtar
  2. b) – Bashkimi kombëtar

 

Çlirimi kombëtar. Shqiptarët ishin dyfish të robëruar; gjysma e kombit ishte fizikisht e robëruar nga Jugosllavia. Në Shqipëri,  shqiptarët ishin të robëruar nga parulla e ideologjisë komuniste: ”komunistët nuk luftojnë për kufinj” .

Bashkimi kombëtar. Shqiptarët ishin të copëtuar në shumë pjesë. Prandaj, na duhet organizimi për bashkimin kombëtar në një shtet etnik shqiptar. Në program pastaj patëm shtruar pyetjen, sa do të zgjasë lufta jonë dhe çfarë do të jetë ajo? Dhe si përgjigje dhamë se lufta jonë do të zgjasë shumë, deri sa ta çlirojmë çdo pëllëmbë toke, të banuar me shqiptarë. Ajo kërkon sakrifica të mëdha dhe do të marrë shumë viktima.

Pyetja e tjetër, që shtruam në program ishte: Cilat mjete do të përdoren për realizimin e qëllimeve programore. Përgjigja jonë ishte: Të gjitha mjetet propagandistike paqësore. Por, meqenëse armiku ynë është i egër dhe barbar, atëherë nuk besuam, andaj shtuam se duhet të punojmë vazhdimisht në përgatitjen e kryengritjes së armatosur. Edhe një pyetje tjetër qenësore, që i shtruam vetes në Programin e Lëvizjes ishte: Çështja jonë a do të zgjidhet nga poshtë apo nga lart, nga brenda apo jashtë. Përgjigja u dha në bazë të të dhënave të atëhershme: çështja e jonë kombëtare duhet zgjidhur nga brenda e nga poshtë, që do të thotë se zgjidhjen e çështjes sonë e shihnim nga organizimi i brendshëm i vet popullit shqiptar dhe nuk kishim besim ndonjë parlament jugosllav apo ai kosovar se do ta organizonte popullin për rezistencën. As nga jashtë nuk besonim, sepse në rrethanat e atëhershme, kur Kosova dhe Shqipëria ishin në izolim total se do të mblidhej ndonjë parlament evropian apo botëror, i cili do të këmbëngulte se çështja e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera të robëruara duhet zgjidhur drejt dhe parimisht, çka edhe deri me ditën e sotme nuk ndodhi.

 

– Në çfarë rrethanash u zbulua aktiviteti i organizatës? Si e përjetuat kohën e hetuesisë? Si silleshin gjatë hetuesisë hetuesit shqiptarë?

 

Sistemi ushtarako-policor, rrjeti i madh i bashkëpunëtorëve të UDB-së, pasyçeltësia e jonë, sidomos pas ngritjes së flamujve, që u krye në 48 vende e lokalitete (midis 12 e 13 prillit të vitit 1964).

Vendimi për ngritjen e flamujve ishte marrë në mars të vitit 1964 në shtëpinë e Adem Demaçit, në rrugën Xhavit Mitrovica, Prishtinë, ku morën pjesë: Adem Demaçi, Ramadan Shala dhe Selaudin Daci. Në këtë rast u vendos që asnjë aksion të mos ndërmerret pa u bërë analiza e situatës konkrete. Për këtë aksion pëlqimin e vet e dha edhe Mustafa Venhari. Padisiplina e disa anëtarëve, por edhe shkelja në mina e disa grupeve tona në rastin e pranimeve të anëtarëve të rinj në bazë të besës shqiptare. Këto dukuri shkaktuan zbulimin e organizatës. Dhe për këtë pësoi organizata. Rreth 50-të të dënuar me dënime të rënda dhe 300 të tjerë të dënuar me kundërvajtje apo të maltretuar nga policia.

Si e përjetova hetuesinë së bashku me shokë, më së miri tregojnë rastet e viteve të fundit, kur i shtohet edhe një dozë pak me e rëndë. Unë në vitin ‘64 nuk pata hetues, prokuror, gjykatës, avokat a drejtor burgu shqiptar. Me rastin e dënimit, në vitin e dënimit 1986, të gjithë këta ishin shqiptarë. Për sjelljen e tyre, s’kam për të thënë gjë, me që dihet fakti se ata i kryenin të gjitha veprimet, të cilat i kryejnë sot kolegët e tyre në Kosovë. Duhet theksuar se disa nga këta ishin edhe për disa shkallë më të vrazhdët se kolegët e tyre serbë. Ishin besnikë të atij sistemi. Shpresoj se sot këta e kanë të qartë se çka do të thotë t’ia kthesh shpinën popullit të vet dhe ndaj bijve të tij të ushtrosh dhunë dhe torturë në llogari të okupatorit.

 

– Si përjetove ndryshimin në Kosovë gjatë viteve të 1990-ta?

 

– Në gjysmën e korrikut e vitit 1988, u ktheva edhe njëherë nga kazamati i Lepogllavës. Gjegjësisht nga spitali-burg i Shimunskes së Zagrebit. Arrita në Pejë, do të thotë në Kosovë. Ky ndërrim vendi për mua ishte vetëm një ndërrim i burgut, të rrethuar me mure të larta e me gjemba në burgun që quhet Kosovë. Edhe pse ndodheshim në prag të ngjarjeve të mëdha për një kohë mbeta i izoluar edhe prej njerëzve tanë. Edhe vizitorët e pakët që më kalonin pragun e derës vinin me një frikë të pakuptimtë. Pas një kohe, jo shumë të gjatë zhvillohen ngjarjet e rëndësishme në Kosovë, siç ishin grevat e minatorëve të Kosovës, demonstratat e përgjithshme popullore të viteve 1989 dhe 90-të, aksionet për pajtimin e gjaqeve. Tërë popullin e pashë në këmbë, të gatshëm për sakrificë. Ishte kjo kohë kur pësuan ndryshime të mëdha në të gjithë ish-bllokun socialist, kohë kur rrënohej muri i Berlinit, kohë kjo kur Jugosllavia filloi të shkapërderdhej. Me këto ndryshime u krijua shansi për një organizim me drejtim të zgjidhjes edhe të çështjes shqiptare në Ballkan. Fillon formimi i partive politike. Populli ndjehej më i lirë se kurrë më parë. Por, disa liderë të partive mbanin rezerva ndaj nesh, ish-të burgosurve politikë.

– A mund të arsyetohet heshtja e intelegjencisë shqiptare në Kosovë me rastin e ndryshimeve kushtetuare?

 

– Është i papranueshëm pohimi se intelektualët e Kosovës heshtën me këtë rast. Përkundrazi, një pjesë e tyre, pa pritur shumë iu bashkuan grupit për prishjen e Kushtetutës se vitit 1974 dhe autonomisë se Kosovës. Pra, haptas dolën në krahun e Serbisë, duke dalë haptas dhe publikisht në shërbim të Serbisë. Këtë maskarallëk e bënë pa pikë turpi, duke dalë para popullit me pohimin se shqiptarët nuk humbin asgjë me këto ndryshime, që po i bënte Serbia Kushtetutës se Kosovës. Pjesa tjetër e intelektualëve filloi të këndellet nga demonstratat e viteve 1989 dhe 1990, të cilave u printe rinia përparimtare dhe ish të burgosurit politikë. Kjo gjendje e re, ua ndërpreu relativisht shpejt heshtjen pjesës më të madhe të intelegjencisë sonë. Andaj, kaluan në krahun e kërkesave gjithëpopullore dhe me devotshmëri dhanë ndihmesën në përpilimin dhe shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut. Në këtë mënyrë e luajti rolin e intelegjencisë përparimtare.

Kjo është temë e gjerë, për të cilën mund të flitet me forcën e fakteve dhe të argumenteve.

 

– Pas një dekadë e gjysmë ende po flitet për demonstratat e vitit 1981. Ata që i gjakosen demonstruesit, si Bakalli, Vllasi e tjerë, në kohën tonë mundohen t’i nxjerrin demonstratat si pjellë e shërbimeve të huaja. Mos këta mëkatarë me këto makinacione mundohen ta shfajësojnë veten, kur dihet fakti se të njëjtit, demonstratat e vitit 1981, i shpallen si nacionaliste, separatiste, kontrarevulucionare, armiqësore, irredentiste…?

 

– Është plotësisht i kuptueshëm për mua qëndrimi i tyre. Ata këtë e bëjnë, duke mos pasur guxim që haptas të kërkojnë para popullit rehabilitimin e tyre dhe të politikës së tyre, kreatore të së cilës ishin në një farë dore edhe vetë. Me këtë mundohen haptas ose fshehurazi ta vlerësojnë veten se ishin politikanë më të aftë se politikanët e pas vitit 1990. Këta të fundit, i quajnë si të pasuksesshëm. Ma merr mendja se qëllimi i tyre është që të bëhen pjesëtarë eventualë në pushtetin e ardhshëm, apo ta rrëmbejnë atë tërësisht. Këto polemika nuk më pëlqejnë dhe jam kundër tyre. Siç kam cekur në fillim është e domosdoshme që për vlerësimin e se kaluarës të merren historianët në të ardhmen. Sepse, po ta shohim të arsyeshme të flasim tash, ne ish të burgosurit politikë kemi çka të flasim në mënyrë konkrete dhe me argumente.

 

– Pse edhe sot e kësaj dite në disa qarqe mbretëron frika nga të burgosurit politikë?

 

– Ish të burgosurit politikë, me dekada ishin avangardë e përpjekjeve për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ata me dekada dhanë prova të shumta se janë në krahun e synimeve gjithëpopullore. Ata nuk e fituan autoritetin për një natë e as për një dite. Autoritetin e tyre e ndërtuan me përpjekje të mundimshme, gjatë dekadave. Populli, ata i çmoi dhe nderoi me dekada. Nga autoriteti i tyre u trondit mbarë ish-Jugosllavia dhe politika e saj. Andaj, të gjitha ato qarqe, individë, apo parti frikën e kanë nga autoriteti i tyre, nga forca koherente e tyre. Këto qarqe i ndiejnë veten më të ulët. Te ata krijohet psikologjia e inferioritetit kundrejt ish të burgosurve politikë. Kjo psikologji, ato qarqe i bën me arsye të kenë këtë frike. Sepse, këto qarqe luftojnë për pushtet. Por, sipas mendimit tim këto qarqe nuk janë të afta që çështjen kombëtare ta zgjidhin me dinjitet dhe ta qojnë deri në fund.

Qëndrimet e tyre të pabaza, vërsuljet e vrazhda dhe arrogante mbi të burgosurit politikë, i lexojmë nëpër shkarravinat e tyre, nëpër gazetat e tyre të shumta. Por, në i porosisim të lirohen nga kjo fobi. Sepse ne nuk ia vëmë shumë veshin shkarravinave të tyre dhe nuk do të biem në nivelin e tyre për t’u lëshuar në polemika. Sepse, një gjë të tillë ata nuk e meritojnë. Këto qarqe duke mos pasur partnerë për polemika, për çdo ditë lodhen dhe shkapërderdhen dhe një ditë do të humbasin tërësisht. Humbja e tyre nuk do të jetë nga gazetat, por edhe nga balli i kombit. Sepse, të paaftit dhe frikacakët nuk e kanë vendin aty ku gjenden.

 

– Çka mendoni për strukturën e partive politike në Kosove?

 

– Partitë e sotme në Kosovë kanë bërë numrin e anëtarësisë me bollëk dhe pa kurrfarë kriteresh. Edhe pse të emërtuara si demokratike, në to u përfshin edhe komunistë të rryer të ish-sistemit totalitar. Ajo çka është me tragjike se këta ish-komunistë zunë vende qendrore në ballë të këtyre partive. Përçarjet e tyre dramatike, flasin më së miri se çfarë është struktura e tyre.

 

– Pse ka shumë zënka midis ish të burgosurve politikë?

 

– Jo, midis ish të burgosurve politikë nuk ka zënka. Nuk ka as përçarje midis tyre. Këtë gjendje mundohen ta krijojnë ata, për të cilët fola se kanë frike nga ta. I trillojnë zënkat dhe përçarjet midis ish të burgosurve politikë, ata individë që s’i duan as ish të burgosurit politikë, e as popullin e vet. Këto trillime vijnë nga ata të cilët frikësohen nga ish të burgosurit politikë për shkak të ideve të tyre radikale. Dhe nga mosaftësia dhe guximi të shkojnë krah për krah me ta. Këto i trillojnë intrigantët e të gjitha kategorive. Për të gjithë këta intrigantë kam një porosi të butë

vëllazërore, nëse na konsiderojnë si vëllezër, të heqin dorë nga përpjekjet e tyre që ta fusin këtë farë djallëzore në mesin e të burgosurve politikë. Këtë punë duhet t’ia lënë Shërbimit sekret të Serbisë e shërbimeve informative tjera. Jam plotësisht i bindur se këtë ata janë duke e kryer mjaft me marifet në të gjitha qarqet shqiptare. Rezultatet e këtyre shërbimeve po realizohen jo pa sukses.

Midis të burgosurve politikë mund të pranohet se ka luftë mendimesh. Por, jo zënka dhe përçarje. Lufta e mendimeve është dukuri pozitive dhe çon përpara. Tamam puna, sikurse mos të kishte në mesin tonë luftë mendimesh. Dikush tjetër, që nuk mendon si unë, nuk është armik imi. Pra, lufta e mendimeve nuk duhet kuptuar si zënkë dhe përçarje. Duhet dalluar nocionet.

 

– Çka mund t’u thoni lexuesve shqiptarë rreth përçarjes se mërgatës shqiptare në përgjithësi dhe në veçanti të mërgimtarëve shqiptarë në Suedi? Pse u ndanë në dysh Bashkësia e Shoqatave Shqiptare në Suedi? Cilët janë bartësit kryesorë të këtyre ndarjeve?

 

– Përçarjet në mesin e mërgimtarëve, si gjithkund në Perëndim, ashtu edhe këtu tek ne, janë reflektim i përçarjeve, që ekzistojnë brenda në atdhe. Nuk do mend, se këto përçarje i shkaktojnë njerëz të ulët, intrigantë e të etshëm për emër e bajraktarllëk. Gjithsesi, këto përçarje janë farë dreqi. Këta intrigantë dhe bajraktarë të rrejshëm, s’ka dyshim, se dashur e padashur, janë vënë në shërbim të agjenturës serbe dhe të tjera. Këta janë njerëz, që shohin vetëm veten e aspak interesin e përgjithshëm kombëtar. Kjo farë e dreqit i ndau partitë në dysh, i ndau shoqatat në dysh, i ndau shqiptarët në shumë copa. Këta përçarës në Perëndim nuk janë asgjë tjetër vetëm gjakim i mësuesve perfidë, që gjenden brenda në atdhe. Kjo farë dreqi, zhvillon përçarje, jo vetëm në mesin e mërgatës, por edhe në midis të qeverisë së partive politike, midis shoqatave të mërgimtarëve.

Këta përçarës herë dalin në një krah e herë në tjetrin për të krijuar tollovi, huti e mashtrim, për të fshehur paaftësitë e tyre për një punë të mbarë e të mirëfilltë kombëtare. Kjo tashmë ka dalë qartazi sheshit dhe çdo njeri është duke e parë këtë maskarallëk. Mirëpo, qartas shihet se edhe këta të ligj janë duke u lodhur. Pa dyshim se do të pësojnë. Por, dhashtë zoti pa ndonjë të keqe të popullit dhe të çështjes kombëtare. Do të ishte shumë më mirë t’i luten perëndisë që t’u japë fuqi të heqin dorë nga veprimet e tyre të ndyra e primitive. Se nga veprimet e tyre pasojat ndihen edhe në Kosovë. Me këta çdo polemikë është e papranueshme, sepse një gjë të tillë nuk e meritojnë.

 

– Disa krerë të qarqeve politike këtu në Suedi të akuzojnë se ke sabotuar aksionin e trepërqindëshit. Çfarë mund të na thoni rreth këtyre akuzave?

 

– Çfarë akuzash, o Milaim! Këto janë fjalë rruge. Sabotatorë të këtij aksioni mund të quhen ata që u kërcënohen vëllezërve të vet, dashamirëve të demokracisë e bashkëpunëtorëve të tyre të deridjeshëm. Ata që zbrazin edhe plumba ndaj tyre. Me këto metoda nuk kane arritur asgjëkundi as pushtetarë të diktaturave me të ashpra, përveç që me to kanë arritur ta shtojnë urrejtjen ndaj tyre. Këto metoda, nuk shërbejnë asgjë tjetër, përveç ta ulin rezultatin e aksionit. Kjo dukuri ka kohë që duket sheshit. Këto janë metoda që u gjasojnë fletërrufeve kineze dhe dosjeve qindra-mijëshe të sigurimeve shtetërore. Janë sabotim i vet aksionit dhe shkaktojnë mosunitetin midis mërgimtarëve shqiptarë. Në favor të sabotimit të këtij aksioni shkojnë edhe disa deklarata, agjitacione të disa liderëve të partive politike. Këta haptas akuzojnë kryeministrin e qeverisë, Dr. Bujar Bukoshin dhe ekipin e tij, për abuzime e keqpërdorime të fondit.

 

– Ç’mendim keni për Qeverinë e Kosovës?

 

– Dr. Bujar Bukoshi nuk e ka nxjerrë në ankand publik Qeverinë e Kosovës! Për mua, Bujar Bukoshi është njeriu simpatik në Lëvizjen tonë. Deklaratat e tij i përcjell me vëmendje dhe për kuptimin tim janë me përmbajtësore, më konkrete dhe me të qëlluara se të kundërshtarëve të tij. Mandej, Xhafer Shatri është pranë tij, me të, bashkudhëtari i vendosur i idealit, i cili ka dhënë prova tash tridhjetë vjet me radhë. Për mua, njëri nga më simpatikët e Lëvizjes sonë kombëtare, me të cilin jam i sigurt të eci deri në cakun e fundit.

Kjo pyetje nuk është dashur të më shtrohet mua. Meqë je trim dhe i mençur nuk prish gjë. Edhe kjo i gjason asaj që ma shtrove më parë. Ti e di se kush deklarohet kundër qeverisë së Dr. Bujar Bukoshit! Ti e di se unë nuk jam kryetar i ndonjë dege të LDK-së, e as pjesëtar i Kryesisë së Këshillit Qendror të LDK-së, e as nuk i takoj ekipit të Haviz Gagicës. Këtë e bëjnë nga paaftësitë dhe mosguximi i tyre për të mos ndjekur një kurs më militant, që preferon Dr. Bujar Bukoshi. Këta mundohen ta cilësojnë Bujarin si shkaktar të të gjitha dështimeve në politikën pesëvjeçare. Nuk e di a e shohin si pengesë të avancimeve të tyre, apo kanë të thonë edhe ndonjë gjë më tepër për të. Do të ishte mirë që ata të dalin konkretisht me të vërtetën.

Kundërshtar të kryeministrit Dr. Bujar Bukoshit, Xhafer Shatrit e të tjerëve mund të jenë ata që kërkojnë më pak se Bujari, e kurrsesi ata që kërkojnë më shumë se ai. Unë dëshiroj që Dr. Bujar Bukoshi të jetë edhe më këmbëngulës në përcaktimet gjithëpopullore, me çka do të kishte përkrahje edhe më të madhe se sa sot. Atij, nuk i mungon guximi dhe dituria, çka nuk mund të pohohet për kundërshtarët e tij.

 

– Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

 

– T’i mbetem besnik programit të Lëvizjes Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve.

 

– Sipas teje, cila është rruga e mundshme për të dalë nga kjo gjendje, ku jemi fundosur?

 

– Të dalin në ballë prijës me energjikë, më të palodhshëm. Të atillë që nuk e lodhin popullin me shumë deklarata spekulative e shpresa të pabaza. Njerëz që kanë besimin në veten dhe në forcat e brendshme të popullit. Njerëz që me angazhime konkrete, mund ta ndalin të keqen, siç është ekzodi i fundit i shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës. Pra, të atillë që me veprime konkrete ta ndalin ekzodin shqiptar dhe ta pengojnë me çdo kusht kolonizimin e Kosovës me kolonistë të rinj serbë.

 

– Sa është e fortë Dega e LDK-së në Suedi? Kush i printe dhe i prin kësaj Dege?

 

– Forca e LDK-se në Suedi është konsumuar, nëse shprehem në përqindje, deri në 90%. Deri në maj të këtij viti, Degës se LDK-së në Suedi i printe një bajraktar i shkolluar, i cili tërë veprimtarinë e vet e zhvilloi në bazë të një logjike primitive dhe në bazë të proverbit latin: Devida et impera (përçaj dhe sundo)! Prijësi i LDK-së në Suedi, me shumë ishte prijës i intrigave, përçarjeve e shpifjeve, që i shkaktuan gati të gjitha përçarjet në Suedi, e aspak prijës i LDK-së. Me disa veprime të tij, ai u shkaktoi pasoja edhe njerëzve në Kosovë. Ai me sjelljet e tij, jo vetëm që shkatërroi LDK-në në Suedi, por edhe dëmtoi edhe vetë autoritetin e Presidentit Rugova. Si rezultat i veprimeve të tij të mbrapshta, atij iu larguan shumica e njerëzve të ndershëm, që i kishte pranë vetes, e të cilët ishin edhe themeluesit e LDK-së. Atij nuk i mbeti pothuaj asnjë intelektual. Degën e LDK-së e shndërroi në gërmadhë.

Ky që i prinë tash, me pak i shkolluar, por me siguri me dhunti e mundësi me të vogël për intriga. I besoj që e ka të vështirë t’i rivendosë gurëthemelet pas gërmadhave, që ia la trashëgim prijësi i tij i deridjeshëm. Atij i dëshiroj sukses në punën e tij, më shumë se sa i dëshiron ai vetes.

 

– Çfarë roli ka luajtur Ambasada e Shqipërisë në Stokholm në lidhje me përçarjen e shqiptarëve të këtushëm?

 

– Personelin e Ambasadës e ka vendosur Presidenca dhe Ministria e jashtme e Republikës së Shqipërisë. Denoncimet nuk i kam profesion. Jam i mendimit se personeli i Ambasadës nuk duhet t’i lejoje vetes të manipulohet nga intrigantët imigrantë.

 

– Çfarë ju kam pyetur e nuk është dashur t’ju pyes dhe çfarë kam harruar për t’ju pyetur?

 

– Nëse ke harruar ndonjë pyetje për të ma shtruar, ke mundësi ndonjë herë tjetër. Për këto pyetje nuk e di a janë të mangëta apo të tepërta. Kam frikë se mos e kam munduar lexuesin.