Dëshmi I – Shefki Oseku

Dëshmi I – Shefki Oseku

”’VETERANI DËSHMON PËR HISTORINË LËVIZJES KOMBËTARE ”’

 

Shefki Oseku: Intervistë me Ramadan Shalën për gazetën “Drita”, 3/96

Në fillim të majit të këtij viti bëmë një intervistë për gazetën “Drita” me veprimtarin Ramadan Shala. Duhet thënë se qe vërtetë e vështirë. Me dhjetëra here biseda u desh të ndërpritet, sepse Ramadani s’donte të fliste për veten. E si të bisedohet për vitin 1964, ta zëmë, e të tejkalohet pa u përmendur Ramadan Shala? Një kompromis duhet gjetur. Meqë po inçizoja bisedën, ngadalë, ashtu padiktueshëm, Ramadanit iu përvodhën disa detaje, të cilat unë me xhelozi do t’i ruaj. E di se ato detaje nuk janë të miat, po as të Ramadanit. Ato i takojnë historisë sonë ende të pashkruar, për fat të keq!

 

”Mes familjes sime e Serbisë – ishin varret!”

 

Drita: Ju lutem që me pak fjalë të na thoni se kur ia keni filluar aktivitetit patriotik dhe kur keni rënë në kontakt me Adem Demaçin?

 

Ramadan Shala: Edukatën themelore patriotike nuk e kam marrë në ndonjë organizatë apo ndonjë libër, edhe pse librat nuk kanë qenë pa ndikim. Themeli im patriotik është ngritur nga tradita familjare, e cila nuk u pajtua as me sundimin turk, e aq me pak me atë serb, i cili pësoi me vonë. Një mixhë më vritet me 1918, në përleshje me xhandarmërinë serbe, ai bie heroikisht mes qytetit të Pejës. Babanë tim e pushkatojnë me 1944, djali i hallës me vritet në përleshje, djali i mixhës pushkatohet në Istog, mixha zihet në mal në krahun e rezistencës, dënohet me 16 vjet burg, një djalë i hallës ka qenë në NDSH dhe dënohet me 8 vjet burg. Vetë qesh i dënuar njëherë 14 vjet burg, e njëherë 6 vjet, kurse një herë  në izolim 2 muaj. Për Serbinë, në shtëpinë time asnjëherë nuk është folur mirë sepse ai shtet na ka vrarë, e mes nesh kanë qenë varret, që na kanë ndarë Në rininë time, unë jam takuar me njerëz të njohur, si Nijazi Gegën, i cili ishte i organizuar.

Qëllimi im ishte sabotimi i shkuarjes së shqiptarëve në aksione të rinisë, manifestimi i festes së 28 nëntorit. Në mesin tonë kishte edhe studentë, si Kurtesh Purrini, Hivzi Kollçaku. Këta kishin në shoqëri Shefqet Deçanin, dhe Musa Haxhinë. Para se ta njihja Adem Demaçin, 15-16 ditë përpara, ka pas ikur për Shqipëri Esat Myftari. Ky ishte këmbëngulës që doemos duhet të lidheshim me Shqipërinë, në mënyrë që ta zgjerojmë sa më shumë organizatën tonë. Unë isha ithtar i teorisë se ne së pari duhet të krijojmë kapital politik. Në këtë kohë njoftohem edhe me një grup ilegal të Pejës, e ku ishin Ramzi Baloku, me do të tjerë.

 

Demaçin e njihja si shkrimtar dhe i dënuar

 

Më vonë, përmes Hysen Dacit, nga Peja u takova me Adem Demaçin, për të cilin dija se ka qenë i dënuar politik dhe se është shkrimtar. Në takimin tonë të parë ishte edhe Mustafa Venhari, i ndjerë. Pas kësaj herë ne jemi takuar shpeshherë. Në njërin nga këto takime u mor vendim që Organizatën tonë ta pagëzojmë Lëvizja Revolucionare për Çlirimin e Bashkimin e Shqiptarëve. Kështu vijuam deri në qershor të vitit 1964, kur na arrestuan. Mua me dënuan 14, kurse Demaçin e dënuan 15 vjet burg. Shokët e tjerë nga e tërë Kosova morën dënime të ndryshme, por, mjaft të rënda për atë kohë.

 

Çështja e Kosovës do të zgjidhet nga brenda

 

Drita: Dihet se në atë kohë për Kosovën askush nuk dinte gjë, apo më mirë me thënë s’donte të dinte. Cilën strategji aplikuat Ju në ato rrethana tejet të renda?

Ramadan Shala: Ne u mbështetëm kryesisht në faktorin brendshëm. Por, kjo ka edhe arsyen e vet. Atëherë Kosova ishte e okupuar, Shqipëria ishte totalisht e izoluar në arenën ndërkombëtare. Ne atëherë nuk prisnim që të mblidhet ndonjë Parlament i Kosovës, i Jugosllavisë e të thotë se shqiptarëve iu duhet liria! Në një pyetje, që shtrohej në programin tonë rreth zgjidhjes se çështjes së Kosovës, se si do të zgjidhet kjo – nga brenda apo jashtë; nga poshtë apo nga lartë, ne këtyre pyetjeve iu kemi përgjigjur: çështja e Kosovës do të zgjidhet nga brenda; ishte dmth. nga populli aty, ku ekziston okupimi edhe qëndresa. Kombi shqiptar gjithnjë ka qenë i pushtuar, por, gjithnjë e ka mbajtur lartë flamurin e rezistencës. Janë të njohura grupet kaçake, grupet guerile, çetat guerile dhe me në fund organizatat ilegale.

 

Drita: Pas shqiptimit të dënimeve, ju dërguan në Nish për ta vuajtur dënimin. Por, nuk ju kanë lënë shumë atje. Pse?

 

Ramadan Shala: E organizuam një grevë për shkak të keqtrajtimit të shokëve tanë. Pas kësaj na degdisen pikë e pesë nëpër burgjet e tërë Jugosllavisë. Mua, Kadri Kusarin, Hilmi Rakovicën na çuan në Lepogllavë (sot Kroaci). Aty s’na linin të takoheshim fare mes veti. Ndërsa ishim aty u bë Plenumi i Brioneve. Tek me 26.09.1966 do të na kthejnë,  mua, Kadri Kusarin e Hilmi Rakovicen nga Lepogllava, së pari në Stara Gradishkë, e pastaj në Mitrovice të Sremit.

 

Kadri Kusari – Dushi, qe trim i pashoq

 

 

Drita: Në dhomën tënde të fjetjes qenka fotografia e Kadri Kusarit – Dushit të ndjerë. Përse veç këtë e keni veçuar nga shokët?

 

Ramadan Shala: Sepse ai me jetën dhe veprën e vet ka qenë i veçantë nga ne të gjithë: ishte solidar, i gatshëm për flijime, për të tjerë më shumë se për vete. Mbi të gjitha ishte trim i pashoq. Më kujtohet sesi njëherë një epror i burgut e provokoi Dushin duke i thënë:

– Ti je Nacionalist!

Dushi dorashkën e hedhur për luftë e pranoi në mënyrë tepër dinjitoze:

Po, i tha, unë vërtetë jam nacionalist!

 

Drita: Qe nga vitet 1945 e deri më 1960 ka pasur lëvizje të djathta, ose NDSH-eja ose Besëlidhja Kombëtare ose grupe të orientimeve të tilla. Por, nga viti 1960, kur është themeluar organizata e Kadri Halimit e Ali Aliut e këndej Lëvizja jonë Kombëtare mori një orientim të majtë, në mbështetje të ideologjisë se shtetit amë. Kjo vlen edhe për Lëvizjen e vitit 1964. Çka mendoni ju lidhur me këtë?

 

Ramadan Shala: Prej vitit 1945 e këndej, të gjitha Organizatat e Lëvizjet, pavarësisht se a kanë qenë ato të djathta apo të majta,  të gjitha kanë një karakteristikë të përbashkët: Programet e tyre kishin si pikë të parë çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Edhe organizata e Kadri Halimit, po edhe Lëvizja jonë, në pikën e parë të Statutit, në nenin 1 të Statutit, thuhet tekstualisht: Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara prej shqiptarësh, të cilët sot gjenden ende nen administrimin jugosllav dmth. qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë është çlirimi i krahinave shqiptare, të aneksuara nga Jugosllavia dhe bashkimi i këtyre krahinave me Shqipërinë.

 

Mjetet: paqësore, por edhe kryengritja

Lëvizja udhëhiqej nga Komiteti Qendror prej tre anëtaresh, të tjerët zgjidheshin me kooptim. Në shumë komuna kishte komitete dhe aty ku nuk ishin formuar këto, duhej të vepronin në grupet e treshave dhe të pesësheve. Ndërsa në Program, pra, në Platformë, Lëvizja jonë shtronte pyetjen: cili është qëllimi ynë? Si përgjigje jepej kjo: Qëllimi ynë është çlirimi kombëtar, qëllimi ynë është bashkimi kombëtar. Çështje tjetër që parashtronte Programi ishte: cilat mjete e cilat rrugë do të përdorën? Si përgjigje jepej kjo: të gjitha mjetet propagandistiko-paqësore deri të kryengritja armatosur. Më 17 shkurt 1982, kur formohet Lëvizja për Republikën e Kosovës, aty janë përcaktuar për mënyrën paqësore, e jo për luftë! LDK-ëja veç e ka trashëguar këtë, me të vetmin ndryshim se ka ndërruar emrin. Paksa e çuditshme, si është e mundur që një vend i okupuar mund të çlirohet nga okupatori me politikë, pa lufte?!

 

Bunjaj ishte në të vërtetë një mashtrim

 

Drita: Më 1943 në Prizren, nacionalistët (që në atëkohë ishin në pushtet) vendosën që Kosovës t’ia bashkangjesin Shqipërisë. Pastaj, menjëherë në Bunjaj, me 30, 31, Dhjetor 1943 dhe me 01.01.1944, komunistët shqiptarë vendosën që Kosova, pas luftës, t’i bashkohet Shqipërisë, në bazë të së drejtës së vetëvendosjes. Perse dështuan që të dy këto projekte?

 

Ramadan Shala: Humbja e Gjermanisë në fund të LDB-së shënon edhe humbjen e forcave nacionaliste. Dhe kjo është e kuptueshme. Mirëpo, pas fitores kundër fashizmit, komunistët dolën zotërues në Shqipëri dhe Kosovë, andaj shtrohet me të drejtë pyetja nga Ju, pse dështoi bashkimi i Kosovës me Shqipërinë? Unë e kam një vlerësim timin, personal, paksa të çuditshëm. Ne, shqiptarët, gjithnjë në histori kemi kryer punët mbrapsht. Ne mbledhjen e Bunjajt vendoset për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mirëpo, ne garant për këtë çështje jetësore të kombit tonë e bëjmë Jugosllavinë!, Anglinë, Francën, Bashkimin Sovjetik, Amerikën, por edhe UNÇSH-në(!) dhe kjo pasi që të kryhet Lufta!? Dihet mirë se pas kryerjes se Luftës, e jo më larg se pas gjashte muajsh, në Prizren u vendos Kosova t’i aneksohet Serbisë! E, sa për të mos harruar po ceku se fjalën kryesore kanë pasur shqiptarët! Disa burra si Qamil Luzha,  e të tjerë e dinin ç’kob po i sillej Kosovës vërdallë. I tillë është edhe Halim Spahija, i cili deklaroi hapur se ”na mashtruan”. Pra, Bunjaj ishte në të vërtetë një mashtrim. Dështimi i kësaj Konference ishte mishëruar në vendimin e saj kur për garant të realizimit të vendimeve u mor edhe Jugosllavia! Ky besim ishte tejet naiv, bazohej në materiale proserbe, pas Prizrenit, propagandistike, siç ishte, një artikull i Titos, ku ai kishte shkruar një artikull në “Proleter”, e ku thoshte se nëse kjo luftë nuk do të thotë çlirim edhe për arnautët, atëherë kjo nuk do të jetë luftë çlirimtare. Kuadrot e ndërgjegjshme, pas Prizrenit thoshin u mashtruam, por, populli nuk thoshte kështu, veçse u tradhtuam nga tanët. A ka logjikë këtu? Kuadrot më në zë të luftës: gjeneralë, kolonelë, majorë, komandantë të çetave, të batalioneve të mashtrohen?

 

Drita: Kur jemi të udhëheqësit e LNÇ-së, Fadil Hoxha ka qenë figura më autoriteteve gjatë dhe pas Luftës. Për këtë njeri gjithnjë është thurur një legjendë, sipas së cilës Fadili është çmuar se është më patriot se shokët e tij. Edhe Milija Kovaceviqi thotë se sa herë që Fadili me shokë e kanë pasur punën në pisk, e kanë tradhtuar kombin shqiptar. Por, sa herë që patën mundësi, me shokët e vet punonin për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë? Sa ka të vërtetë në këtë pohim?

 

Ramadan Shala: Është e njohur ajo se frikacakët sapo t’i kërcënojë forca ata tërhiqen. Unë mendoj se Milija Kovaçeviqi e ka njohur shpirtërisht Fadilin me shokët, i ka ditur faktet, lëvizjet e tyre. Shtrohet një pyetje me rëndësi, pse erdhën Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Xhevdet Doda etj. për ta themeluar Partinë Komuniste në Kosovë? Përse u bënë anëtarë të Partisë Komuniste Jugosllave kur ata ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare? Që të dy Partitë në fjalë ishin në ilegalitet, prandaj, fare i qartë ishte qëllimi i vërtetë i këtij konvertimi tejet të çuditshëm? Lëvizja jonë kombëtare nuk ka qenë kurrë e ndarë në pjesë-pjesë që nga Lidhja e Prizrenit, po edhe me herët. S’ka dyshim se kjo ishte pjesë e skenarit jugosllav. Unë mendoj se kësaj i vije era e bajraktarllëkut, mirëpo, kur është fjala të udhëheqja shqiptare e Shqipërisë, ata unë lirisht mund t’i quaj të paaftë, sepse nuk janë largpamës aspak! Ata nuk shohin fare se çdo të thotë ndarja e Komitetit Krahinor nga organizimi unik i LNÇ-së së Shqipërisë! Përse shqiptarët të mos luftojnë së bashku me vëllezërit e tyre nga Shqipëria po këtë luftë e bëjnë nën ombrellën e PKJ-së. Edhe sipas teorisë marksiste, vetëvendosja është njëra nga premisat e domosdoshme për zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare dhe të kufijve.

 

Pse Fadili nuk flet, por heshtë?

 

Drita: Fadil Hoxha para një kohe e kremtoi 80-vjetorin e lindjes se tij. Aty morën pjesë shumë ish-udhëheqës, po edhe përfaqësues të partive politike shqiptare. Fadili me atë rast tha se për mua le të gjykojë historia! Çka mendoni Ju për këtë njeri, po edhe për shokët e tij?

 

Ramadan Shala: Unë mendoj se sikur ata të kishin bërë atë që duhej bërë, nuk do të kishin ardhur në këtë situatë. Unë mendoj se ata që në hapat e parë kanë gabuar, kur kanë lejuar themelimin e Partisë Komuniste për Kosovën. Siç e ceka edhe më parë, kanë gabuar edhe në Cërni Vërh (Maja e zezë), edhe në Bunjaj edhe kur qenë në pozita të larta në Jugosllavi. Po, pse nuk e thotë gjithë atë që e di Fadil Hoxha? E, ai di shumë, sepse sa herë na i ”prenin petkat” në Jugosllavi, ai ishte në sofër të parë, pra dinte se çdo të pësojë populli. Ata që kanë qenë në pushtetin jugosllav kanë bërë vepra të tilla, që po qe se flasin hapur e me sinqeritet, kjo do të jetë një akuzë e rëndë ndaj vetvetes. Është demagogji e vërtetë të thuhet se i ashtuquajturi ”grupi gjakovar” i udhëheqjes është akuzuar se kanë bërë një politikë proshqiptare?! Serbët e shkarkuan edhe Azem Vllasin kur e deshi loja, natyrisht me akuza të njëjta si edhe Fadilin e të tjerët. Atyre nuk iu pëlqen asgjë shqiptare, qoftë edhe shqipfolës!

 

Drita: Ju në vitin 1964 dolët hapur kundër ish-Jugosllavisë, e cila për shumëçka ishte më e fortë, si në planin ndërkombëtar, ashtu edhe në planin e brendshëm. Shtrohet pyetja, a s’mund të gjenden sot njerëz të tillë që do sfidojnë këtë gjendje kaq të rëndë, që na u imponua?

 

Lufta jonë do të jetë e rëndë, e gjatë…

 

Ramadan Shala: Edhe sot gjenden asi djem, e asi burra. Edhe ne e dinim se Jugosllavia nuk do të rrëzohet lehtë. Ne, në një pikë të programit tonë kemi thënë se: ”Lufta jonë do të jetë e vështirë, e rëndë, e gjatë, do të kërkojë viktima, do të kërkojë flijime të shumta”. Ne nuk e kishim kundërshtare veç Jugosllavinë, po edhe komunistët shqiptarë, të cilët ishin mashtruar nga parulla: se komunistët nuk luftojnë për kufij! Pra, ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë luftohej edhe nga radhët e tanëve, si një ide e tejshkuar, anakronike etj. Pra, atëherë nuk ishte me lehtë se sot. Por, në kishim një strategji tjetër, u mbështetëm veç në faktorin e brendshëm dhe nuk pritëm kurrfarë ndihme nga faktorët e jashtëm.

 

Për qeverinë e Kosovës jam përgjigjur moti

 

Drita: Në Qeverinë e Kosovës e kemi kryeministrin, Dr. B. Bukoshin, Xhafer Shatrin, Isa Mustafën, Halit Muharremin, etj. cilin do ta kishit dalluar ju?

 

Ramadan Shala: Unë edhe me parë kam thënë se i çmoj dr. Bujar Bukoshin, z. Xhafer Shatrin, sepse këta njerëz kanë dhënë prova në Kosovë, po besimin më të madh e kam të z. Xhafer Shatri. Sot Dr. Bujar Bukoshi, si kryeministër, po ashtu, është njeri me peshë e autoritet të pakontestueshëm. Është me rëndësi që të mos jemi në defanzivë të përhershme, sepse shih se si u shtua aktiviteti i organizmave ndërkombëtarë pas ngjarjeve të këtyre ditëve në fund të prillit! Pra, për tri ditë Kosova ishte në qendër të vëmendjes së faktorëve, që vendosin për fatin tonë. Duhet të ndërmerren poteza revocionare, tek atëherë ia ke qëlluar! Po ndërlidhem prapë me pyetjen tënde. Njëherë, një njeri, në një shoqatë, më pyeti, baca Ramadan, a e pranon Qeverinë e Kosovës? Atij iu kam përgjigjur: unë nuk lejoj as Ibrahim Rugovën, as Bujar Bukoshin, as edhe Sali Berishën, apo ndonjë kryetar të partive politike të Kosovës apo të Shqipërisë që të ma shtrojnë këtë pyetje.

Unë në këtë pyetje jam përgjigjur moti dhe atë para prokurorëve, para hetuesve, para policëve, para ministrave të judikaturës të ish-Jugosllavisë, para drejtorëve të burgjeve. Jam përgjigjur me pranga në duar; me grushta të mbledhur, sepse nuk me hapej pëllëmba e dorës nga torturat e barbare të hetuesve. E, ty dashamir, i thashë atij, ende pas tridhjetë vitesh, madje, në një klimë shumë më të favorshme politike, nuk po të bie ndërmend të kërkosh atë që unë e kam kërkuar atëherë!

 

Drita: Rrugëdalja nga kjo situatë e rëndë dhe apatike?

 

Rezistencë aktive, e jo pasive…

 

Ramadan Shala: Të paaftit t’ua lëshojnë vendet të aftëve; frikacakët trimave, të bëhet një operacion i thelle kirurgjik në strukturat e udhëheqëse. Të aplikohen edhe metoda të tjera të rezistencës aktive. Ne duhet t’iu imponohemi të huajve. Mendoj se në vitin 1990 ishim më afër sesa që jemi sot, sa i përket zgjidhjes se çështjes sonë kombëtarë. Mua më habisin disa deklarata të papërgjegjësi të disa liderëve shqiptarë, të cilët më se njëherë kanë shprehur brengosje për stabilitetin e Maqedonisë?! Lëvizjes sonë Kombëtare i intereson në radhë të parë Uniteti Kombëtar, për të cilën gjë u flijuan patriotë nga të gjitha viset shqiptare. Ne nuk jemi të ngarkuar me hipoteka historike ndaj askujt, prandaj, s’kemi arsye fare të brengosemi për shtete fqinje.

 

Patriotët i fyen pranimi i autonomisë

 

Më lejoni të shtoj edhe një gjë, ne sikur jemi të prirur që të mos marrim mend. Më 1990 u formuan partitë politike në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanovc, por, edhe kësaj radhe në baza rajonale, e jo kombëtare! Po kështu, u veprua edhe në emigracion, e pastaj edhe në Shqipëri. Në vend se shqiptarët e ndarë me dhunë nga armiqtë e kombit të bënin unitetin shpirtëror e partiak, ata e bënë atë që s’duhej bërë në asnjë mënyrë! Nuk janë për t’u harruar as deklaratat e lidershipve se do ta bashkojmë Kosovën edhe Shqipërinë, kurse më vonë këto deklarata u reduktuan deri në atë masë, që është fyese për patriotët kosovarë! U tha publikisht se do të pranohet autonomia e ’74! Ne, kosovarët, e dimë mirë se çdo të thotë autonomi nën tutelën e Serbisë! Qelitë e burgjeve ne i kemi larë me gjak që nga 1945, pastaj gjatë 1974-ës, po edhe pas kësaj periudhe, deri në ditët e sotme.

 

Drita: Në Tiranë janë duke u strehuar përkohësisht disa kosovarë, patriotë të dëshmuar. Si është rregulluar statusi i tyre juridik dhe ekonomik, a u jepen ndihma nga qeveritë, shqiptare apo ajo kosovare?

 

Ramadan Shala: Për aq sa unë jam i njoftuar, disa gëzojnë njëfarë ndihme simbolike nga Qeveria e Kosovës ose ajo e Shqipërisë. Mirëpo, jeta e tyre kryesisht varet nga ndonjë shitblerje dhe nga ndonjë ndihmë e njerëzve të afërm. Për disa prej tyre, Qeveria e Tiranës e ka bërë trajtimin e barabart me ish të burgosurit e Shqipërisë. Madje, këta kanë marrë edhe dëmshpërblim, sikurse ish të burgosurit e Shqipërisë. Kam marrë vesh se disave nuk iu kanë dhënë as shtetësinë shqiptare! Mirëpo, nuk e di se përse është vepruar kështu?! Ndodh, jo rrallë që këta të marrin kritika sepse ende janë ”kokëfortë”, dmth. ende kërkojnë çlirim e bashkim kombëtar. Trysnitë që iu bëhen këtyre nga disa njerëz të partive nuk ua   lëshojnë rrugën trysnive të atyre të partisë se mëparshme mbi ish të burgosurit politikë. Por, ish të burgosurit politikë janë mësuar gjithë jetën e tyre me këso trysni, andaj edhe nuk çajnë kokën për to. Por, jo veç atje, në Tiranë, po kudo që ndodhen ish të burgosurit politikë, në Kosovë, Bon, Stokholm, Cyrih, Uashington apo kudo, ndaj tyre bëhet trysni. Kjo vjen ngase strukturave të tanishme nuk u interesojnë ish të burgosurit politikë. Le të dihet, ne nuk kërkojmë mëshirë nga askush, po është e kundërta, ne kemi mëshirë të sinqertë për ata që dje na shanin e kritikonin.

 

Drita: Sikur të ishit edhe njëherë i ri a do të kishit dashur që jeta juaj të kishte këtë rrjedhë që e ka pasur deri me tani apo tjetër?

 

Ramadan Shala: Unë nuk jam marrë me politikë nga llogaria e ftohtë aritmetikore: po veprova kështu – do të fitoj, e nëse veproj

kështu – do të humbi! Unë fatin tim e kam lidhur me idealin tim të shenjtë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, për të cilën gjë nuk jam penduar as atëherë kur kjo më ka kushtuar më shumë vite burgim e lëre më sot!

 

Drita: Ju faleminderit për intervistë dhe me lejoni që në emër të redaksisë po edhe të lexuesve t’Ju dëshiroj çdo të mirë në të ardhmen!

Ramadan Shala: S’ka gjë, por, një lutje e kam: që gazetën ta nxirrni të pavarur e jo me censurë, siç po veprojnë disa gazeta pas një periudhe të shkurtër të botimit!