NJERIU QË I TAKOI IDEALIT DHE NJË SHQIPËRIE

NJERIU QË I TAKOI IDEALIT DHE NJË SHQIPËRIE

”’NJERIU QË I TAKOI IDEALIT DHE NJË SHQIPËRIE ”’

 

Shkruajnë: Muhamed Krasniqi e Elhame Zhitia, Suedi, Uppsala, nëntor 2013.

 

Foto:

Njëri ndër protagonistët kryesorë të Lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës, Ramadan Shala për disa vite jetoi dhe veproi edhe në Suedi. Vitet e qëndrimit të tij në Suedi ishin vitet kur mërgimtarët këtu organizoheshin në të gjitha format e mundshme për të ndihmuar Kosovën në luftën e drejtë për liri e pavarësi.

 

Ramadan Shala dhe vepra e tij e madhe kombëtare       

 

Veprimtari dhe patrioti liridashës, Ramadan Shala, i takon plejadës së njerëzve të idealit të paepur për lirinë dhe për një Shqipëri.

Ai tërë jetën e tij ishte i përkushtuar që të realizojë ëndrrën e gjithë shqiptarëve që një ditë të jetojnë e të marrin frymë lirisht në trojet e tyre, në një shtet,  që do të quhej Shqipëri, sepse për të Kosova dhe Shqipëria ishin një.

Ramadan Shala një pjesë të jetës së tij e kaloi në mërgim. Shumë vite ai jetoi dhe veproi në Suedi, në qytetin  e Malmos, ku ishte njëri ndër ideatorët, nxitësit, frymëzuesit dhe shtyllat kryesore në organizimin kombëtar. Njihet si njeriu që bashkoi dhe afroi njerëzit, që ishte i të gjithëve që për ideal e kanë lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve.

Pos tjerash, e cilësonte largpamësia, vizioni dhe guximi, dashuria për shkollën dhe librin, për kulturën, që ua mbolli edhe fëmijëve të tij, por edhe të gjithë atyre që bashkëvepruan me te.

Fjalimet e tij ishin të brumosura me idealin dhe vizionin, por edhe me vendosmërinë që të bëjë atë që duhej  bërë për kombin. Sikur ende i kemi të freskëta fjalitë e tij, por sidomos qëndrimin e paluhatshëm e plot emocione, në një tubim të bashkëkombësve në Malmo,  se pas luftës të gjithë, të gjitha partitë duhet  të jenë në një rrugë, në një front dhe në një fjalë, pavarësia dhe bashkimi…

Ramadan Shala shkollën e mesme e kreu në Pejë ku edhe i vijoi studimet ekonomike komerciale. Studimet në shkollë të lartë i ndërpriten nga regjimi serb. Shkollën e studimeve financiare e kishte të kryer në Beograd.

Ka punuar si mësues në shkolla të ndryshme  nëpër Kosovë, kryesisht në Rrafshin e Dukagjinit. Punon një kohë të shkurtër edhe gazetar në Radio Prishtinë. Punon si drejtor i një shkolle fillore në rrethin e Dragashit.

Pos tjerash, ka punuar ekonomist në shtëpinë e mallrave në Pejë në sektorin e financave dhe kredive.

Veprimtaria atdhetare e Ramadan Shalës zë fill qysh në fillmvitet ’60-ta. Në vitin 1963/64,  së bashku me Adem Demaçin themelon LRBSH-në, ku bashkohen disa grupe ilegale në një organizatë. Mirëpo, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, Ramadan Shala burgoset më 1964 dhe dënohet me 14 vjet burg. Për herë të tretë burgoset më 1986 dhe dënohet me 6 vjet burg. Është edhe pjesëmarrës në formimin  e LPK-së. Nga regjimi i atëhershëm është izoluar  në periudha të ndryshme, kohë pas kohe.

Derisa vuante dënimet në burgje, takon disa kroatë, të cilët më vonë i ndihmojnë të nxjerrë pasaportën kroate dhe i bëhet e mundshme të migrojë jashtë Kosovës.

Ramadan Shala gjatë qëndrimit në Suedi ishte mjaft aktiv.

Ai ishte kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë, ishte themelues i saj dhe aktiv  në të gjitha manifestimet shqiptare për lirinë e Kosovës..

Kohë pas kohe mban mitingje, fjalime të shumta dhe zhvillon aktivitete të tjera nëpër vendet tjera të Evropës perëndimore.

Në vitin 1999 Ramadan Shala lajmërohet vullnetar për të shkuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ramadan Shala u lind më 17 janar 1934 në Pejë e vdiq më 12 shtator 2004.