RAMADAN SHALA, NJË JETË E TËRË PËR REALIZIMIN E IDEALEVE MADHORE

RAMADAN SHALA, NJË JETË E TËRË PËR REALIZIMIN E IDEALEVE MADHORE

”’RAMADAN SHALA, NJË JETË E TËRË PËR REALIZIMIN E IDEALEVE MADHORE ”’

 

Familja e nënë Habibes dhe babait, Avdurrahmanit, me gjithë varfërinë e madhe kishin ngritur 7 fëmijë si 7 lule te bukura. Fëmija i tretë i tyre ishte Ramadani. Ai, pasi kishte kryer arsimin e lartë, për një kohë kishte shërbyer si mësimdhënës, por rininë dhe tërë jetën ia kushtoi realizimit të idealeve sublime. U nda vetëm fizikisht nga gjithë ne më 12 shtator. Varrimi në gjirin  e tokës nënë me nderime të larta u bë të premten, më 17 shtator.

Pejë, shtator. Në Pejë e Dukagjin ka tingëlluar dhembshëm lajmi i ardhur nga Suedia, se të dielën ka ndërruar jetë veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Ramadan Shala. Baca Dan kaloi në pavdekësi pas një jete të tërë kundër pushtuesit dhe në angazhime për realizimin e idealeve sublime të kombit tonë. Në shtëpinë e këtij veprimtari të devotshëm i presin, si zakonisht, miqtë, bashkëmendimtarët dhe qytetarët e shumtë. Ata kishin ardhur për të ndarë dhembjen në këtë familje atdhetare dhe për të shprehur edhe një herë respektin e lartë për jetën dhe veprën e Bacës Dan.

”Ditëve të fundit ishte keq nga shëndeti dhe unë e kam vizituar shpesh. Ai edhe ashtu i lodhur gjente forcë për të na dhënë këshilla për gjërat me rëndësi. Familja e dërgoi në Suedi për shërim, por kaq e kishte jeta e madhe e këtij burri dhe veprimtari të çmuar të Lëvizjes”, shprehet me mallëngjim kryetari i LPK-së për Rrethin e Pejës, Hilmi Zeka, i cili pastaj bashkë me familjarët Shala shpalos kujtime nga biografia e pasur e me plot data të shënuara të Bacës Dan. Duke shpalosur fletë të ndritur nga biografia e tij dhe duke u ndalur në shkrimet për të, edhe për t’u veçuar mendimi i atdhetarit Avdyl Krasniqi, botuar në ”Rilindja”, të datës së 16 nëntorit 1999. ”Ta dini se Ramadan Shala dhe Metush Krasniqi qenë dy vetë, të cilët më së shumti iu qëndruan burrërisht torturave të burgjeve”, kishte kapur penda e gazetarit vlerësimin e atdhetarit Avdyl për Bacën Dan dhe qëndresën e tij burrërore nëpër kazamatet e pushtuesit. Familja Shala me krenari shpalos edhe kujtime të tjera nga jeta e Bacës Dan. ”Gjithmonë e kujtonte me përmallim momentin e bisedës së tij në telefon me Fehmi Lladrovcin. Kjo figurë e ndritur e luftës sonë i kishte thënë Danit: ”Bacë shkova për të luftuar për Kosoven”, e kujtonë këtë bisedë familja Shala.

Në këtë familje përmendet me respekt edhe veprimtari Adem Demaçi, me të cilin Baca Dan ishte njohur që moti dhe kishin punuar bashkë në realizimin e idealeve të larta kombëtare. Ata të dy në shtëpinë e familjes Shala kishin shkruar edhe Programin e Statutin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e trojeve Shqiptare, iu kujtohet njerëzve që njihnin mirë jetën dhe veprën e Bacës Dan. Familja Shala në bisedë për ”Epokën” thonë se krahas shkrimeve në shenjë përkujtimi e respekti për Ramadanin meritojnë të përmenden me të njëjtin respekt edhe bashkëveprimtarët e tij nga Peja: Hysen Daci, Shefqet Deçani, Mehmet Krasniqi, Remzi Baloku, Nezir Gashi, Sylë Shala, Selajdin Daci, Ejup Kastrati, Ahmet Zeka, Avdyl Shala, Vesel Shala, Zeqir Shala, Rexhep Shala, Ukshin Shala, Nimon Podrimja, Qamil Kaliqani etj. Gazeta jonë i bashkohet lartësimit të kujtimit për ta bashkë me familjen Shala. Aktivitetin atdhetar, burgosjet, Ramadan Shala i kishte filluar që në rininë e hershme. Ai në mesin e moshatarëve të tij kishte krijuar respekt të lartë, ngase kishte vyrtyte të larta dhe shquhej me besnikëri, me qetësinë e të shprehurit dhe me trimërinë. Baca Dan kishte rënë në kontakt me veprimtarin e shquar Adem Demaçi dhe bashkarisht kishin e themeluar Lëvizjen Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e trojeve shqiptare. Për ta vënë në veprim  programin e saj dhe për ta ngritur dashurinë për lirinë dhe atdheun, Ramadani kishte krijuar një organizim të shkëlqyer bashkë me atdhetarët e bashkëveprimtarët e tij. Ata pasi organizuan dhe futën në veprim ngritjen e flamurit kombëtar nëpër vende kyçe në rajonin e Dukagjinit ishin burgosur dhe në të gjithë ata ishte ushtruar dhunë e paparë për të ngarkuar gjyqësia sllave, më 21 gusht të vitit 1964, me një varg veprash e akuzash, që atëherë vargoheshin nën akuzën për ”Bashkim kundër populit dhe shtetit” (Neni 117, me alinetë 1 e 2 të Ligjit famëkeq penal serbosllav). Në akuzën e asaj dite, të nënshkruar dhe vulosur nga Zhivojin Cvejiqi, për Bacën Dan, ishin radhitur 15 akuza për veprimet e tij atdhetare. ”Ramadan Shala bashkë me Shefqet Daçanin dhe të akuzuarit e tjerë, që i takonin të njëjtit grup ilegal armiqësor, nga nëntori i vitit 1963 e deri në vitin 1964, kanë punuar për zgjerimin e grupit, për krijimin e grupeve të reja, në mënyrë që bashkërisht të sigurojnë mjete teknike, të sigurojnë e ruajnë armë dhe me to të kryejnë aksione të armatosura dhe diverzione dhe pastaj të shpërndajnë afishe për propagandim të atyre aktiviteteve, thuhet në atë akuzë, e cila kishte shënuar edhe piken 4, në të cilën Baca Dan akuzohet se ”Më 4 prill 1964, në Prishtinë, përmes Adem Demaçit ka siguruar 25 flamuj shqiptarë, të cilët ai i ka sjellë në Pejë dhe i ka shpërndarë te bashkëmendimtarët e tij. Këta flamuj me qëllim të propagandës armiqësore janë vënë në natën mes 12 dhe 13 prillit në vendet më të dukshme në Pejë, Gjakovë, Novosellë dhe Carrabreg”. Baca Dan gjatë aktivitetit të tij atdhetar kishte krijuar lidhje të mira edhe me bashkëmendimtarët në Gjakovë. Në shkrimet për të, gjejmë se ai është takuar atje me Teki Dervishin për të siguruar një makinë të thjeshtë për shtypjen e materialeve dhe me Myrteza Nurën, me të cilin janë angazhuar për të zgjedhur një veprimtar të dalluar që do të vinte lidhje bashkëpunimi me shtetin amë Shqipërinë. Duke parë qëndrimin dinjitoz të Bacës Dan dhe të gjithë të burgosurve tjerë shqiptarë dhe duke ndjerë se aktiviteti i tyre do të ndikonte në zgjimin e ndjenjës së dashurisë për gjuhën, flamurin dhe lirinë e kombit, gjykata serbe, e instaluar atëbotë në Pejë shqiptoi dënime mjaft të rënda, që ishin nga 14 vjet burg të rëndë për Ramadan Shalën e deri në burgun prej 5 vjetësh për të akuzuarin e fundit. Qëndrimi dinjitoz i Ramadanit gjatë tërë kohës sa qe i burgosur nëpër kazamatet sllave, kishte lënë përshtypje të larta te të burgosurit tjerë dhe u kishte dhënë edhe atyre kurajo për të qëndruar të papërkulur para torturave barbare, që çdo ditë ushtroheshin ndaj tyre. Baca Ramadan edhe pas daljes nga burgu nuk kishte lënë as për një çast aktivitetin e tij atdhetar. Ai bëhet shembull edhe i organizimeve të Levizjes, duke shkuar nga vendi në vend, e duke ndihmuar edhe vemprimtarinë atdhetare të rinisë shqiptare. Ai burgoset përsëri dhe me 18 qershor të vitit 1986, Gjykata e Qarkut në Pejë, i shqipton atij dënimin prej 6 vjetësh burgim të rëndë. Ishin ato seanca gjyqësore kur qenë  dënuar për aktivitete atdhetare edhe Sahit Berisha, Feriz Hoti, Zymer Gashi, Sali Kabashi, Rifat Beringjiku dhe Destan Bujupi. As kjo burgosje dhe torturat jonjerëzore të ushtruara ndaj tij nga policë e gardianë nuk e ligështuan për as një çast, por ia shtuan fuqinë, krenarinë dhe vendosmërinë për të hapëruar nëpër kohë të liga drejt realizimit të idealeve sublime. (Gazeta “Epoka e Re”)