Statuti dhe Programi i LRBSH-së

Statuti dhe Programi i LRBSH-së

Pas një pune intensive të Adem Demaçit dhe të Ramadan Shalës, arrihet të përpilohet Statuti dhe Programi i LRBSH-së, i cili shkruhet në Pejë, në shtëpinë e Ramadan Shalës. Për nevojat e ngutshme të organizatës vendoset që Statuti të shumëzohet në sa më shumë kopje me qëllim të shpërndarjes në komitetet e qyteteve, si dhe në mesin e anëtarësisë, në mënyrë që të njihen për së afërmi me parimet kryesore dhe me rregullat e veprimit të anëtarëve të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Sipas propozimit të Zeqir Gërvallës, kryetari i LRBSH – së pajtohet që aktiviteti rreth shumëzimit të Statutit t`i besohet Vezir Ukës, veprimtar i dalluar i LRBSH – së nga Dobraja e Lypjanit, i cili atyre ditëve punonte në redaksinë e revistës letrare ”Jeta e Re” në Prishtinë. Vezir Ukaj do ta kryejë këtë detyrë të rëndësishme me përkushtim, duke i shumëzuar qindra kopje të Statutit në objektet e redaksisë, ku punonte. Padyshim, Vezir Ukaj, do ta kryejë me sukses këtë detyrë për nevojat e Lëvizjes duke pasur mirëkuptimin, apo pajtimin në heshtje, të poetit të njohur dhe kryeredaktorit të revistës ”Jeta e Re”, dr. Esat Mekuli.

 Statuti i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve kishte një mbarështrim logjik dhe vizionar politik.

Duke qenë në vijën e drejtpërdrejtë të rrymës irredentiste kombëtare dhe vazhdimësi autentike e saj, LRBSH – ja, që në nenin e parë hiqte çdo dilemë eventuale për qëllimet e saja politike. Aty, pa kurrfarë ekuivokësh, thuhej:

Neni 1.

Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht sigurimi i të drejtës për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banueme në shumicë prej shqiptarësh, që gjenden ende nën administrimin e Jugosllavisë, domethënë, qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t`aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimin e këtyre krahinave me nanën e vet – Shqipninë.

LRBSH – ja parashihte që në veprimtarinë e saj të përdorte dy forma kryesore të aktivitetit: paqësore dhe jopaqësore, që do të thotë lufta e armatosur dhe kryengritja e përgjithshme popullore. S’ do mend se udhëheqja e LRBSH – së, fillimisht, ishte e përcaktuar të zbatonte të gjitha metodat e veprimit paqësor, si: propagandën, agjitacionin e forma të tjera të veprimit. Megjithatë, si organizatë patriotike që ishte, LRBSH – ja parashihte edhe mundësinë e kryengritjes së armatosur. Prandaj, neni i dytë i Statutit, thoshte:

Neni 2.

Lëvizja jonë, për të mbërrijt qëllimin e lartpërmendun, ka me përdorë të gjitha mënyrat dhe mjetet që i vijnë përdore – prej atyne politiko – propagandistike – mjete paqësore, e deri te lufta e armatosun dhe kryengritja e përgjithshme popullore – mjete jopaqësore.

Ndonëse, fillimisht, LRBSH – ja parashihte që aktivitetin e vet ta mbështeste vetëm në forcat e veta, megjithatë, ajo ishte e vetëjshme se për luftën e gjatë që e priste drejt ribashkimit kombëtar, do të duhej, patjetër, të kërkonte dhe të pranonte ndihmesat dhe kontributet edhe nga jashtë Kosovës. Gjithashtu, udhëheqja e LRBSH – së ishte mirënjohëse po qe se do t’ i ofroheshin ndihma materiale, financiare, ushqimore, ushtarake e të tjera. Gjithashtu, edhe ndihmat morale për luftën dhe përpjekjet e LRBSH – së do të ishin të mirëseardhura, nga do që ato do të vinin. Të gjitha këto theksohen në mënyrë të qartë në nenin e tretë të Statutit:

Neni 3.

Në realizimin e të drejtës së patjetërsueshme të popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim, Lëvizja jonë ka me pranue, me miradije të madhe, çdo ndihmë e përkrahje të sinqertë, materiale dhe morale – prej kahdo dhe kujdo që të vije a të ofrohet.

Për qëllimet e qarta politike dhe kombëtare të LRBSH – së më së miri flet neni i katërt i Statutit, ku theksohet se  Lëvizja nuk e drejton luftën dhe aktivitetin e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj, porse aktivitetet dhe lufta e saj do të vazhdojnë vetëm deri sa t’i çlirojë dhe t’ i ribashkojë me shtetin amë territoret e aneksuara nga Jugosllavia. Kjo dëshmonte, përveç tjerash, se LRBSH – ja ishte organizatë çlirimtare në kuptimin e mirëfillt të fjalës. Ja çka thotë neni i katërt:

Neni 4.

Lufta jonë nuk e drejton aktivitetin dhe luftën e vet kundër Jugosllavisë dhe sistemit të saj shoqnoro – politik si tanësi – por aktivitetet dhe lufta e saj do të vazhdojnë, do të shkojnë deri në atë shkallë, sa t’ i çlirojë dhe t’ i bashkojë me Shqipninë krahinat shqiptare  e t`aneksueme prej Jugosllavisë.

Dëshmi e seriozitetit dhe e pjekurisë politike të LRBSH-së ishte, përveç tjerash, se ajo kishte Programin dhe Statutin e saj, ku, më për së afërmi, përkufizoheshin dhe përcaktoheshin të gjitha rregullat e veprimit të anëtarëve të saj, përcaktoheshin në mënyrë decidive qëllimet e Lëvizjes, format e organizimit dhe veprimtarisë, e të tjera. Prandaj, në nenin e pestë, thuhet:

Neni 5.

Lëvizja jonë ka ”Programin” dhe ”Statutin” e vet.

Përveç pjesës së përgjithshme, Statuti i LRBSH – së kishte edhe pjesën organizative të tij. Kështu, neni gjashtë i këtij Statuti përcaktonte parakushtet dhe mundësitë e anëtarësimit në Lëvizje. Ajo që është karaktetirstikë e të gjitha grupeve, organizatave, partive apo lëvizjeve politike – patriotike, vënia e interesave kombëtare mbi ato personale – është karakteristikë e domosdoshme edhe për anëtarët e LRBSH-së.

Andaj, në nenin vijues thuhet:

Neni 6.

Anëtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve mund të jetë çdo kush, që tue vu interesin e përgjithshëm përpara interesit personal përpiqet e lufton me mish e shpirt, që të përkrahë pa rezervë në çdo kohë e kudo që gjindet tue flijue jetën e vet si materialisht, si moralisht -çashtjen e çlirimit dhe bashkimit të Shqiptarëve.

Neni vijues i Statutit të LRBSH-së parashihte që në krye të Lëvizjes të ishte organi më i lartë, i cili do ta koordinonte, organizonte dhe udhëhiqte tërë Lëvizjen për çlirim dhe bashkim kombëtar. Organi më i lartë quhej Komiteti Revolucionar.

Sa i përket zgjerimit të Komitetit Revolucionar me anëtarë të rinj, ky nen parashihte se kjo mund të bëhej vetëm me kooptim dhe në mënyrën më të drejtë dhe më demokratike që ishte e mundur – me pëlqimin e njëzëshëm të anëtarëve të tjerë.

Ky nen thoshte:

Neni 7 .

Në krye të Lëvizjes qëndron Komiteti Revolucionar i Bashkimit të Shqiptarëve. Zgjanimi i tij bahet me kooptim – me pëlqim të njizashëm të anëtarëve tjerë. Sipas Nenit të tetë të LRBSH-së, Komiteti Revolucionar, përveç koordinimit dhe drejtimit të mbarë Lëvizjes, kishte të drejtë të emëronte dhe të shkarkonte të gjitha organet dhe të gjithë përgjegjësit e Lëvizjes.

Ky nen, gjithashtu, përcaktonte mënyrën e marrjes së vendimeve me shumicë votash dhe në fund, po ashtu, parashihte që vendimet që merreshin me shumicë votash nga Komiteti Revolucionar – ishin obliguese për të gjithë anëtarët në të gjitha nivelet organizative të LRBSH-së.

Aty thuhej:

Neni 8.

Komiteti Revolucionar i Lëvizjes koordinon dhe drejton aktivitetin e mbarë Lëvizjes. Emnon dhe shkarkon të gjitha organet dhe të gjithë përgjegjësitë e Lëvizjes. Vendimet e tij merren me shumicë votash dhe janë të detyrueshme për të gjithë anëtarët e Lëvizjes kudo që të gjinden.

Për të vënë disciplinë dhe rregull në radhët e saj, LRBSH-ja përcaktonte saktësisht kompetencat dhe të drejtën e plotësimit apo të ndryshimit të Programit dhe të Statutit të Lëvizjes.

Përkitazi me këtë normë statutare, thuhet:

Neni 9.

Vetëm Komiteti Revolucionar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve ka të drejtë me plotësue ose ndryshue ”Programin” ose ”Statutin” e Lëvizjes.

Në rrethanat në të cilat e zhvillonte aktivitetin e saj, LRBSH-ja, në ilegalitet të thellë, ku konspiracioni ishte jo vetëm i domosdoshëm, por edhe parim që nuk guxonte të vihej në dyshim, ishte e obligueshme që t’ u paraprihej me vendime të posaçme akteve të mundshme të tradhtisë. Ndoshta mund të thuhet se neni 10 i Statutit të LRBSH – së mund të duket tepër i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj akteve të tradhtisë së anëtarëve të saj. Por, duke i pasur parasysh pasojat që rridhnin nga rrethanat e tilla të një akti të tradhtisë, që shpeshherë përfundonte jo vetëm me burgosjen, torturimin dhe gjykimin e shumë anëtarëve dhe patriotëve por ndodhte, fatkeqësisht, që ato akte të tmerrshme të tradhtisë të përfundonin edhe me shuarjen e tërë mekanizmit të organizuar të grupeve, të organizatave dhe të lëvizjeve ilegale patriotike.

Andaj, neni 10 aktin e tradhtisë e ndëshkonte vetëm në një mënyrë – me vdekje! Për të mos e lejuar mundësinë e keqpërdorimit apo të hakmarrjes eventuale në emër të LRBSH – së, këtë vendim suprem mund ta merrte vetëm Komiteti Revolucionar, duke marrë edhe vendimin për zbatimin e vendimit të plotfuqishëm.

 

Neni 10.

Ai që tradhton – në nji mënyrë ose në nji tjetër – ai vetveten e dënon me vdekje. Komiteti Revolucionar i Lëvizjes, konstaton dhe vërteton tradhtinë e bame, njiherit merr masa edhe për zbatimin e dënimit të plotfuqishëm.

Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve trajtonte çështjen e karakterit kombëtar, çështjen e çlirimit kombëtar, çështjen e bashkimit territorial, çështjen e një tregu të përbashkët dhe çështjen e një ndjenje shpirtërore për një gjuhë të përbashkët letrare. Të gjitha këto çështje analizohen në kohë dhe hapësirë, për të nxjerrë mësime se nga duhet të shkohet në të ardhmen historike. Përpiluesi i Programit thekson se zgjidhja e çështjes shqiptare nuk mund të vendoset nga jashtë dhe nga lartë. Kjo do të thotë, theksohet në Program, se çështja shqiptare për zgjidhje nuk mund të bëhet se ” një ditë do të tubohen udhëheqësia e Shqipërisë dhe ajo e Jugosllavisë, ose do ta shqyrtojnë edhe gjithë Bashkimi Sovjetik me Paktin e Varshavës. Zgjidhje nuk duhet të pritet as nga Nju Jorku. E kundërta, thuhet në Program, ne besojmë në ndihmën e Fuqive të Mëdha, por edhe në angazhimin e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, por faktori përcaktues i zgjidhjes së çështjes së Kosovës duhet kërkuar nga brenda dhe nga poshtë.

Kjo do të thotë se çështja e zgjidhjes së statusit të Kosovës është vendimtare nga vetë rreshtimi i popullit dhe nga veprimi politik në kuadër të tij. Taktika e LRBSH-së ishte e konsistuar në këto pozicione, të cilat pasqyrohen në Programin e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve: mos me fjetë asnjë çast; të punohet që sot e jo nesër; Lëvizja të drejtohet nga masat që e pranojnë; Lëvizja mos me pasë karakter kadrovik; mos me u marrë me premtime, gradime, mashtrime, kërcënime dhe me pasoja. Duhet ta bindim vetvetën se armiku jonë ka me humbë luftën. Tek e fundit, çështja shqiptare nuk pritet të zgjidhet as nga pozicioni i demokracisë perëndimore, as nga pozicioni i demokracisë socialiste, por çështja shqiptare do të zgjidhet në pajtim të plotë me zhvillimin historik, sepse shqiptarët janë duke notuar ujit teposhtë, kurse robëruesit e shqiptarëve janë duke notuar jo drejt, turpshëm, prandaj, le të zgjasë lufta jonë sa të dojë, le të jetë ajo e vështirë dhe e përgjakshme sa të dojë, në fund të fundit – ne do të dalim ngadhnjimtarë, faqebardhë – në fund të fundit populli shqiptar do të bashkohet në flatrat e shqiponjës dykrenare legjendare.

 

Analiza e situatës konkrete

 

Që në fillim të Programit të LRBSH-së bëhet një analizë e përbërjes së popullsisë shqiptare në Kosovë, duke konstatuar se rreth 75% e numrit të përgjithshëm të popullsisë e përbënë fshatarësia, punëtoria rreth 10%, pjesën tjetër të popullsisë e përbëjnë zanatlinjtë, kurse vetëm rreth 1% e përbëjnë inteligjencia.

Pas analizës detaje që iu bëhet shtresave tjera të shoqërisë shqiptare të kohës në Program, një vëmendje e veçantë i kushtohet inteligjencisë, për të cilën thuhet:

”Kjo përkah numri nuk kapë ma shumë se 1% të popullsisë sonë, por ndërgjegja dhe vetëdija e saj kombëtare – në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë – asht në shkallën ma të naltë, pjekunia e saj politike ka marrë zhvillim të madh, ndërsa hovi i lëvizjes ëlirimtare të popullit tanë asht ma i madh mbrenda kësaj shtrese.”

Programi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin Shqiptarëve është një dokument tepër i rëndësishëm, në të cilin bëhen analiza detaje, veç e veç, për rrethanat në tokat e okupuara shqiptare nën adminstrimin jugosllav, për Shqipërinë dhe për vet Jugosllavinë. Kështu, në kapitullin e Programit të LRBSH-së ”Analiza konkrete e situatës konkrete mbrenda nesh”, fokusohet në: a) Vështrimin e gjendjes politike, b) Vështrimin e gjendjes ekonomike, c) Vështrimin e gjendjes kulturore-arsimore dhe d) Vështrimin e gjendjes sociale-shëndetësore.

Duke analizuar aspektin politik të problemit të pazgjidhur të shqiptarëve në Jugosllavi, në Programin e LRBSH-së, pasi që citohet pjesa hyrëse e Kushtetutës së Jugosllavisë e vitit 1963, se: ”Popujt e Jugosllavisë, tue u nis nga e drejta e çdo populli për vetëvendosje, tue përfshi edhe të drejtën për shkëputje, në bazë të luftës së përbashkët dhe të shprehjes së lirë të vullnetit në Luftën Nacional-Çlirimtare dhe në revolucionin socialist dhe në pajtim me aspiratat e tyne historike, të ndërgjegjshëm se forcimi i matejshëm i vëllaznimit dhe bashkimit të tyne shkon n`interesin e përbashkët, u bashkuen në nji republikë federative kombesh dhe popujsh të lirë dhe të barabartë e krijuen bashkësinë socialiste federative…” shtrohet pyetja e përpiluesit të këtij Programi: ”A nuk mjaftojnë këto fjalë, nxjerrë nga Kushtetuta Jugosllave, për të pa se populli ynë nuk ka kërkue as nuk po kërkon asgja ma shumë përveç të drejtës së vet për vetëvendosje, tue përfshi edhe të drejtën për shkëputje?”

Në nënkapitullin e Programit të LRBSH-së, me titull: ”Vështrimi i gjendjes ekonomike”, pasi që jepen të dhënat për pasuritë e Kosovës në përqindje me tërë Jugosllavinë, thuhet: ”52 % të të gjitha rezervave thëngjillore të Jugosllavisë së sotme gjinden në Kosovë-Metohi, gjithashtu 65% të rezervave të plumbit e zinkut gjinden në kët Krahinë, 34 % të surfullit, 31 % të magnezitit, 27 % të kromit, 15 % të kaliumit, etj.” konstatohet, se: ” Përkundër këtyne pasunive që ua ofron natyra, Shqiptarët gjinden në gjendje ma se të mjerueshme , ata janë të shtrënguem me dalë jashtë Krahine dhe me shkue në Beligrad, Zagreb, Sarajevë, Lubjanë e qytetet tjera të Jugosllavisë për me fitue kafshatën e bukës…”

Edhe në nënkapitullin ”Vështrimi i gjendjes kulturoarsimore” jipen shifra dhe statistika të shumta ku pasqyrohet pabarazia totale në mes të popullatës shumicë shqiptare, nga njëra anë dhe asaj serbe e malazeze nga ana tjetër. Aty konstatohet, se: ”Në vjetin shkollor 1962/63, numri i nxanësve të shkollave të mesme ka qenë – 18.002 – të cilëve vetëm-8.715 kanë qenë të kombësisë Shqiptare, ndërsa sipas përqindjes së popullsisë në Krahinë do të duhej t ishin -12.601… Në vjetin shkollor 1962/63, nëpër shkollat e nalta dhe në disa fakultete të Krahinës kanë qenë regjistrue gjithsejt, të rregullt dhe me korespondencë, 4.031 studentë e prej tyne as gjysma nuk ishin shqiptarë… Edhe gjendja e kuadrit arsimor në Krahinë nuk asht aspak ma i kënaqshëm: prej -5.907 mësuesish e arsimtarësh vetëm – 3.096 të kombësisë Shqiptare.”

Në kapitujt e veçantë të Programit të LRBSH-së elaborohen të dhënat për gjendjen politike dhe atë ekonimike në Shqipëri, në Jugosllavi dhe në botë. Këto analiza bëhen në kapitujt: ”Analiza konkrete e situatës konkrete mbrenda në Jugosllavi”, në ”Analiza konkrete e situatës konkrete mbrenda në Shqipëri” dhe ”Analiza konkrete e situatës konkrete në botë”.

Pas analizave detaje, më tutje konstatohet në Programin e LRBSH-së: ”Lufta jonë duhet të zhvillohet në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë mbrenda popullit tonë, në pajtim me kushtet dhe rrethanat të cilat mbretërojnë në Shqipni, në pajtim me kushtet dhe rrethanat që mbretërojnë mbrenda aneksionistëve tanë si dhe në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë në tanë botën e sotshme.”

Në fund të Programit të Lëvizjes Rvolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, shtrohet pyetja: ” A asht lufta jonë e drejtë?” në të cilën jipet përgjigja pa ekuivoke: ”Po asht. Populli Shqiptar nuk po kërkon asgja ma shumë se ate që e gëzojnë të gjitha kombet e Europës – me qenë i bashkuem dhe – siç thot populli – me u fërgue në dhjamin e vet. Populli Shqiptar asht i vetmi popull në Europë , i cili për asnji faj të vetin qëndron i ndamë në dy pjesë.”

Programi i LRBSH-së përfundonte me konstatimin: ”Le ta ngrehim ballin naltë me besim të patundun në zemër se mbas dimnit – sado i gjatë dhe i ashpër qoftë – do të vijë pranvera me behar e lule plotë.”


Kommentera

E-postadressen publiceras inte. Obligatoriska fält är märkta *