Kujtim XIV

Kujtim XIV

FLET LIBURN SHALA, DJALI I ATDHETARIT RAMADAN SHALA NGA PEJA

 

Intervistuan: Muhamed Krasniqi dhe Elhame Zhitia, Suedi, Uppsala, nëntor 2013 (dorëshkrim)

 

Ideali dhe tiparet e babait tim, qëndrimi  dhe besnikëria e nënës sime frymojnë në mua nga fëmijëria e deri sot, ato janë edhe fati im dhe jeta ime…

Jeta e pejanit Ramadan Shala, atdhetarit të shquar për një Shqipëri, një mozaik i pasur lirie, ishte dhe mbeti shembull e frymëzim për shumë breza si inspirator, frymëzues dhe organizator shembullor.

Liburn Shala bashkë me familjen e tij jeton e punon në Stokholm dhe aktualisht është  drejtor i një kompanie, që ofron sistem të analizave të tregut dhe të nëpunësve  nëpër kompani të mëdha si dhe ato globale.

Liburni kur kujton babanë Ramadan Shalën,  është shumë i saktë,  por edhe i mbushur me ndjenja, të dhembjes e të krenarisë.

“Nëse dëshiron të mësohesh të lexosh shpejt mundohu t’i  lexosh të gjitha reklamat, që i sheh nëpër dritaret e shitoreve….”

 

 – Cili është kujtimi nga të parët për babanë tënd në rolin e prindit?

– Kujtimet janë të shumta. Babi kishte një afërsi të jashtëzakonshme ndaj fëmijëve dhe familjes në tërësi. Një kujtim, që tërë kohën më paramendohet është kur unë kisha një aksident në Ulqin. E kisha thyer këmbën duke luajtur futboll. Babi ishte shumë i qetë në raste të tilla dhe më thoshte se do të bëhet mirë, do të shkojmë në spital dhe do të shërohesh në një ndër spitalet më të mira. Edhe ashtu ndodhi sepse isha nën mbikëqyrjen e mjekëve  më të mirë të Malit të Zi, ishte një mjek hungarez. Në këtë spital u shtriva pothuajse 3 javë. Shërimi dhe forcimi i këmbës zgjati, sepse nuk isha operuar dhe mjekët ma kthyen këmbën në vend pa kurrfarë trajtimi kirurgjik. Javët në vijim erdhi Asim Vula nga Gjakova (axha Asim ishte një ndër shokët e idealit të babait tim dhe në jetën private ishte një ndër bletarët më të mirë të Kosovës) të më transferonte për në Pejë.

Më kujtohet koha në Banjën e Pejës, ku unë rehabilitoja dhe bëja ushtrimet e gjimnastikës dhe tërë kohën isha bashkë me babin.

Më kujtohen shëtitjet me babin, ai me thoshte se “nëse dëshiron të mësohesh të lexosh shpejt mundohu t’i  lexosh të gjitha reklamat, që i sheh nëpër dritaret e shitoreve”.

 

– Ai punonte shumë në ilegalitet. Si reflektohej kjo në raport me fëmijët dhe familjen?

 

– Megjithëse angazhohej çdo ditë nëpër aktivitete të ndryshme ilegale, babi mundohej që në pjesën më të madhe të kohës të ishte prezent në jetën tonë.

Burgosjet e tij të shpeshta, izolimet dhe maltretimet e familjes atëbotë unë nuk i kuptoja dot se ishin veprimtari patriotike. Por, si sot kujtoj rastin kur unë gjendesha në shtëpi, isha 8 vjeç, së bashku me motrën time Labeaten (në atë kohë 2 vjeçe). Gjyshja jonë përkujdesej për ne. Unë dëgjova sinjalet e policisë dhe dola në oborrin e shtëpisë  për të shikuar se ç’kishte ndodhur. Më kujtohet se atëherë unë mbërrita të llogaris 6 furgona të njësisë speciale, të shoqëruara me së paku një veturë normale të policisë, të cilat rrethuan të gjashtë shtëpitë, tonën dhe të axhëve të mi.

Mami nuk kishte pranuar që nga puna të sillej me veturë policie në shtëpi.

Mbaj mend se në çastin kur erdhi në shtëpi mami përcillej nga shumë UDB-ash shqiptarë, njëri nga Peja iu drejtua mamit: ”Hape derën moj pelë, sepse përndryshe do të shtrij në tokë duke të dhënë dajak!” Mbaj  mend se si të njëjtit shfletonin fjalorët e gjuhës shqipe me qindra faqe për të shikuar mos kishte harruar babi ndonjë gjurmë. Gjithashtu, kur gjyshja ime mbante motrën e vogël në dorë dhe UDB-shi detyron t’ia heqë pelenën motrës për të kontrolluar vallë mos kishte fshehur gjë gjyshja aty. Këtë ditë mora vesh se dy axhët e mi, Musa dhe Aliu, si dhe vajza e axhës Gjyladija ishin arrestuar.

Izolimi i babës dhe pritja e gjykimit për mua ishin shumë të rënda! E mbaj në mend, isha 9 vjeç dhe sapo e kishin dënuar babin me 6 vite burgim, kurse unë në mendjen time fëmijërore gjatë tërë kohës llogaritja se kur babi do të dalë nga burgu unë do të mbërrij të jem 15 vjeç, kur gjithçka edhe njëherë do të bëhet normale, kur përsëri do të jemi bashkë si familje e plotë. Kjo dëshirë, ky mendim, ishte një mendim që më gëzonte, më jepte kurajo dhe fuqi shpirtërore që ta lehtësoja gjithë mungesën që kisha për babin. Duke menduar për kohën kur do të dalë babi nga burgu e sërish të dalim të shëtisim e të lexojmë reklamat nëpër shitore, më kalonte koha më shpejt dhe fitoja fuqinë shpirtërore e kurajo për përballimin e çdo vështirësie.

 

– Kur je ndie më i fuqishëm?

– Regjimi serb në momentet më të rëndësishme të jetës sonë na e largonte babain nga mesi ynë. Unë mendoj se mungesa e babës ka ndikuar njësoj edhe te vëllezërit e mi dhe te motrat e mia. Largimi i prindit të lëndon shumë, të bënë të paralizuar në një aspekt shumë të veçantë, sepse në ato vite ne të gjithë ishim të vegjël dhe kishim nevojë për babin në masë të jashtëzakonshme. Prania e prindit të forcon, të ndërton dhe të fuqizon. Sepse çdo fëmijë kur i copëtohet fëmijëria sikur një xham i thyer ai/ajo lëndohet shpirtërisht.

Momenti kur unë e kam ndier veten shumë të fuqishëm është kur si fëmijë në horizont të korridorit kufitar në Malmo unë e shihja babin tim. Ishte i veshur, si zakonisht me kostumet e tij, gjithmonë pedant. Kisha muaj pa e parë!

Megjithëse idealist dhe me jetë i përkushtuar për çështjen kombëtare. Duhej të merrte një vendim në jetë kundër vetë principeve të tij. Ishte e vështirë dhe e rëndë sepse ai gjatë aktivitetit të tij në mobilizimin e grupeve dhe të celulave  për një rezistencë maksimale si dhe përgatitjen për luftë eventuale kishte dhënë besën të rezistojë deri në vdekje, duke luftuar kundër pushtuesve të huaj. Kështu në momentet më të vështira,  ai detyrohet të marrë vendimin e rëndë për shpëtimin e familjes, diku jashtë vendit.

Vonë e kam kuptuar dhe analizuar sa e vështirë ishte kjo situatë. Këtë e dëshmon edhe fakti se pak kohë para se të migrojmë nga Kosova mu të njëjtit UDB-ash shqipfolës filluan të përndjekin vëllezërit e mi Arbenin dhe Dardanin, të cilët edhe i maltretuan fizikisht.

 

Babi kishte një retorikë të jashtëzakonshme

 

Edhe këtu në migracion babi vazhdoi të mobilizojë shumë e shumë bashkatdhetarë që nga jashtë të vazhdonte rezistenca ndaj të huajit. Në vitet e ‘90-ta, babi mbante mitingje të shumta nëpër Suedi dhe merrte pjesë në shumë prej atyre të organizuara në të gjithë qytetet e Evropës. Gjatë kësaj periudhe e mbaj në mend se kërkohej nga rinia organizime të ndryshme dhe sa herë që e dëgjoja babin duke mbajtur fjalim i thosha vetes: babi, ti je krenaria ime!…E si mos të krenohesha, ai kishte një retorikë të jashtëzakonshme, kishte një zë shumë të këndshëm dhe ishte një ndër njerëzit, që kishte një dijeni dhe njohuri të historisë në një nivel që s´mund të përshkruhet. Tani pas vdekjes së tij krenohem me respektin që të tjerët e tregojnë për jetën e tij, krenohem që  puna njëshekullore e familjes së tij rezultoi me atë që bota të kuptojë se kush janë shqiptarët!

E mbaj në mend se si tregonte mami për një deklaratë të babait në Gjyqin e Pejës… ”Nuk kam dashur të mbijetoj për veti dhe për familje, por për të dëshmuar se çfarë ndodhë në Kosovë”!

Këto fjalë që babai im i tha nga fuqia e idealit dhe brendia e shpirtit atdhetar më sillen në kokë, i dëgjoj  sa herë që bie fjala për babin dhe punën e tij. Besoj se këto fjalë babit i kanë dhuruar fuqinë më të madhe për të mbijetuar gjatë maltretimeve psikike dhe torturave fizike. Për babin mendoj se ribashkimi me familjen, takimi me nënën apo që të jetojë i lirë ishin sekondare në krahasim me idealin e lirisë e të bashkimit si proces të pandalshëm. Këto fjalë më bëjnë të them prapë,”Babi, krenohem me ty!”.

 

 

“Mes familjes time dhe Serbisë ishin varret”

 

Ramadan Shala

 

– Sikur të veçoje tiparet e babait tënd, ndonjë thënie të tij..

– Babi ishte ushtar i veçantë, i cili deri në momentet e fundit luftonte me metodat më demokratike, që ekzistonin në rruzullin tokësor, ishte me mish e me shpirt i përkushtuar të luftonte pushtuesin e huaj. E mbaj në mend se gjithmonë referohej në gjyshërit e stërgjyshërit e tij si trima të veçantë, që kishin luftuar kundër pushtuesve me dekada të tëra. Mbaj në mend një ndër fjalët e tij në një intervistë para shumë vitesh kur thonte: “Mes familjes time dhe Serbisë ishin varret”. Babi kishte njohuri të jashtëzakonshme politike, duke u bazuar në histori, të cilën e  njihte në detaje si rrallëkush. Ai pos që e njihte jetën tonë kishte edhe njohuri për funksionimin e pothuaj shumë shteteve perëndimore.

Shumë shpesh thoshte se të njohësh gjuhën e armikut është me shumë rëndësi. Babi njihte gjuhën serbe shumë mirë e gjithashtu gjermanishten. Gjermanishten e mbaj mend se e kishte mësuar vetë nëpër kazamatet e Serbisë.

Një ndër tiparet e tjera të tij ishte edhe zotërimi i debatimit, komunikimit e fjalimit. Armë e tij më e fortë ishte retorika, ajo ishte shumë e përsosur me një nivel të liderëve të mëdhenj ndërkombëtarë dhe bindëse që mblidhte masa të mëdha të bashkatdhetarëve në mitingje të ndryshme.

Babi ishte ekonomist i diplomuar dhe e njihte matematikën shumë mirë. Më pat thënë se një pjesë të madhe të Kushtetutës amerikane, si dhe të asaj gjermane e njihte shumë mirë. Për të kuptuar këto, ai i kushtoi shumë kohë gjuhës gjermane në burg, të cilën e zotëronte si në shkrim dhe lexim. Ligjet për të drejtat e njeriut i dinte shumë mirë dhe gjithmonë fliste dhe bazohej në ligje të ndryshme ndërkombëtare. Politikën e njihte jashtëzakonisht mirë dhe shumë shpesh thoshte se diplomacia serbe është diplomaci ruse në çdo pikëpamje.

Prej librave të tij mbaj në mend tituj të ndryshëm romanesh por edhe biografi të shumta të personaliteteve ndërkombëtare, tituj të ndryshëm librash nga lëmi i lëndës së ekonomisë etj.

Babi kishte një kërshëri të jashtëzakonshme për të dëgjuar, shqyrtuar dhe analizuar emisionet e lajmeve, debatet radiotelevizive e të shumë e shumë gazetave të përditshme. S’e mbaj në mend që ka humbur ndonjë emision. Kur erdhëm në Suedi menjëherë ai kërkoi të instalojmë një faks dhe numri i tij u shpërnda në të gjithë botën, materiale të ndryshme vinin aty dhe besoj që së paku një herë në ditë e ndërronte letrën e faksit. Informacione dhe artikuj vinin nga e gjithë bota. Kur e instaluam internetin në banesën tonë në Malmo rreth vitit 1994 atëherë ishte shumë aktiv dhe ne i merrnim artikuj nga interneti, të cilët ia shtypnim dhe ai i lexonte dhe i arkivonte.

 

Nëna ishte më e forta

 

– Krahas babait edhe nëna jote ka dëshmuar atdhedashurinë me kontributin e saj, cila është nëna  jote?

– Nëna ime, Gjylfidanja, ishte shtylla jonë, në të cilën ne të gjithë kërkonim mbrojtje, këshilla dhe udhëzime. Të mbash gjashtë fëmijë me një rrogë mesatare ishte shumë e vështirë të mbijetosh. Pos të gjitha vështirësive, ajo ishte e përkushtuar dhe e përqendruar që të na rriste, të na edukojë dhe të na mbrojë.

Gjatë tërë jetës, ajo ka qëndruar dhe ende i qëndron besnike babait. Edhe për kundër faktit se çfarë metodash të huajt kanë përdorur për të çnjerëzuar një familje të tërë vetëm e vetëm për ta përkulur dhe parandaluar punën e babit. Ne përmes shoqërisë së gjërë kemi kuptuar për keqtrajtimet që nëna jonë kishte pas nga UDB-ja.

Nëna nuk tregonte asnjëherë për gjëra të tilla sepse mendoj që ajo nuk dëshironte të mbjellë urrejtjen dhe hakmarrjen në jetën e fëmijëve dhe të familjes së saj. Të kesh një qëndrim të tillë, siç kishte nëna jonë luan rol tejet të rëndësishëm e në shumë aspekte sa i përket edukimit dhe zhvillimit të një gjenerate të re.

Babi dhe mami gjatë gjithë kohës kishin UDB-në  në përcjellje në çdo shëti familjare, në çdo kafe, në çdo festë, në çdo gëzim, në rast vdekje si dhe në çdo pushim veror. Mami dhe familja e saj e gjerë ishin, po ashtu, të përcjellë. Edhe ne si fëmijë ishim të përcjellë!

Një ngjarje tmerruese, që më kujtohet në këto momente, është se si në gjykimin para vuajtjes së burgut të dytë, kundër babit UDB-ja  ka përdorur një fotografi me mua dhe vëllezërit e mi në foto, duke shkuar për të blerë bukë në furrë të bukës sikur evidencë se babi në këtë mënyrë po bënte propagandë!

Atëherë UDB-ja kishte bërë gjithçka duke filluar nga frika, maltretimet, kërcënimet, trajtimet ç’njerëzore në mënyrë që ta bëjë një qytet të tërin të përbuzin dhe izolojnë familjen tonë.

Ky lloj izolimi ka lënë vrragë të mëdha, jo vetëm në familjen tonë, por edhe në jetën sociale të qytetit të Pejës, si dhe tek ato familje nga të cilat ishin edhe shokët e ilegales. Pothuajse i gjithë farefisi u izolua në një mënyrë makabre. Familjet e axhëve, miqtë e axhëve etj. etj. Të vetmit që na vizitonin dhe e mbështetnin nënën time ishin tezja, daja dhe kumbara ynë. Ata përkundër këtyre vështirësive e rreziqeve për burgosje u munduan të na takonin dhe të na jepnin kurajo. Do të theksoja se për kumbarinë me familjen Çeta të katundit Trubohovc mund të thuhet shumë. Qaush Çeta kishte lidhur kumbari me babin qysh në vitet e para 1970-tës. Kjo familje është kujdesur për ne gjatë gjithë kohës kur babi ishte i burgosur dhe ende kemi miqësi të mirë.

Sot kur analizoj se nëna ime para dhe gjatë burgimit të babit ishte e përndjekur, si edhe e tërë familja e saj. Edhe ne fëmijët ishim të përcjellë në çdo hap që e ndërmerrnim. Ishim të izoluar faktikisht. Ishin vuajtjet ato që përshkonin jetën tonë në atë kohë.

 

Trashëgimi është liria që ne sot po e gëzojmë

 

– Çka ke trashëguar nga babai yt dhe çka do të doje të kishe trashëguar nga ai?

– Sa herë udhëtoj nëpër Shqipëri nga Peja për në Tiranë, Durrës apo në ndonjë qytet tjetër, e kujtoj më së shumti Babin, pra se trashëgimi është liria, që ne të gjithë sot po e gëzojmë. E si mos ta kujtoj  babin kur ai e flijoj tërë jetën e tij në ilegalitet, në burgje, u torturua fizikisht dhe psikikisht në mënyra shumë të rënda. Më kujtohen edhe shokët e tij, që u flijuan me të, disa prej tyre edhe u mbyten nëpër kazamatet e Jugosllavisë.

Objektivitetin dhe qëndrimin e tij neutral në aspektin politik e shoh edhe si një trashëgimi tjetër. Ai asnjëherë nuk na ka këshilluar të zgjedhim njërin apo tjetrin krahë politik. Gjithmonë ishte i fokusuar, që bashkimi i kombit të vijë në rend të parë.

Një gjë tjetër, që kam trashëguar, vjen prej dashurisë së tij që të shohë popullin e tij te lirë, si dhe puna e tij në shuarjen e gjaqeve dhe hakmarrjeve. Disa vite me radhë babi punoi së bashku me Anton Çetën në drejtim të pajtimit të gjaqeve nëpër viset e ndryshme të Kosovës.

Babi asnjëherë nuk  ka përmendur se kush ishin fajtorë për torturat dhe maltretimet e ndryshme, ne vonë e kemi kuptuar, në bazë të aktakuzave të arkivuara në Prishtinë, se si shumica e policëve dhe gjyqtarëve në gjykimin e parë në vitet 60-a ishin të nacionalitetit serb, kurse në gjyqin e dytë në vitet 80-a thuajse të gjithë ishin shqiptarë dhe një pjesë e tyre ishin edhe  ish-nxënës të tij. Por, babi kurrë nuk e ka dashur hakmarrjen dhe kurrë nuk preferonte të flasë për atë se kush çka i ka bërë  gjatë kohës nëpër burgje. Një pjesë e madhe e këtyre personave gjendet në liri, në Pejë dhe Skandinavi.

Babi gjithmonë mendonte që populli ka nevojë për vetdijësim dhe punë të përbashkët drejt bashkimit të trojeve shqiptare. Babi kishte një qëndrim se historia do të flasë. E mbaj në mend se e kam pyetur se cilat punë ai ka kryer në rini. Më tregonte se ka punuar sikur mësues, drejtor i shkollës, ekonomist, minator, zdrukthëtar etj. Vonë e kam kuptuar se puna si minator dhe zdrukthëtar në fakt ishin dënimet kolektive për të burgosurit.

 

Suedia është shteti më i mirë në botë për të rritur dhe edukuar fëmijët

 

-Të ka thënë babi diçka për Suedinë, për integrimin, asimilimin, gjuhën?

– Babi ishte demokrat i madh dhe thoshte se arsyeja pse kishte zgjedhur Suedinë ishte se Suedia është shteti më i mirë në botë për t’i rritur dhe edukuar fëmijët, si dhe për të  ndërtuar personalitetin e çdo fëmije.

Unë kujtoj babin për një qëndrim neutral dhe objektiv ndaj mendimeve.

Babi pinte shumë cigare në fillim kur erdhëm ne në Suedi. Unë ia mbushja filterët dhe ai i pinte cigaret. Ne kishim biseda të shkurtra, pasi që unë kisha filluar të shkoj në shkollë. Pyetjet e mia ishin pikërisht se mos vallë tani ne duhet të flasim suedisht, të harrojmë shqipen. Ai më tha që duhet gjithmonë të mendoj se nëse një shteti, kudo që shkon në botë, ia mëson gjuhën, kulturën dhe traditat kurrë nuk do të kesh problem me integrim dhe përshtatje në atë shoqëri, por edhe mos të harrojmë që në horizont gjithmonë të jetë çështja jonë kombëtare. Lufta jonë vazhdon derisa të gjitha trojet tona shqiptare të bashkohen dhe të ndërtojmë një shtet shqiptar, të fortë dhe sovran, të jemi solidar dhe human ndaj njëri tjetrit.

 

– Si punonte dhe si fliste babai yt?

– Për ne të gjashtëve, kryesisht kujdesej mami, e cila me gjithë mundin ia doli të na rritë dhe edukojë të gjithëve. Babi ishte prezent, por puna e tij bëhej aty për aty. Ai shpesh punonte në të njëjtën dhomë, ku ne fëmijët luanim. Ai ishte gjithmonë i  fokusuar në funksionimin e organizatës së tij. Ishim të vegjël dhe nuk e kuptonim rëndësinë e punës së tij. Pas vdekjes së babit kam marrë vesh se edhe statuti dhe programi i LRBSH (Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Shqiptare) është përpiluar në shtëpinë tonë në Karagaç të Pejës. E kemi kuptuar se Adem Demaçi ishte prezent në shtëpinë tonë dhe së bashku me babin në fund të janarit (27-31 janar) 1964 përpilojnë këtë dokument të rëndësishëm.

Ajo që unë mbaj në mend se në fillim të viteve të 80-a në shtëpinë tonë ishte Havë Shala, e shoqëruar me një grup prej dhjetëra personash. Pas kësaj vizite, pas një kohe të shkurtër, shpërthyen shumë demonstrata anë e mbanë Kosovës. Pas pak kohe, babi arrestohet nga UDB-ja dhe këtu e shkëputin babin nga momentet më të rëndësishme të jetës sonë.

 

– Cila ishte porosia e tij për shqiptarët?

– Babi shumë ishte i fokusuar në faktin se do të vijë një kohë kur shqiptarët, që gjenden në migracion do t’i riktheheshin vendlindjes. Gjithmonë iu drejtohej bashkatdhetarëve se duhet të jemi të bashkuar dhe të fuqizohemi kur vendlindja bën thirrje për rezistencë, për ndihmë dhe për sakrifikim. Ishte totalisht i koncentruar, që lufta ishte afër dhe që ndihma jonë do të nevojitej edhe pas luftës. Porosia e tij ishte thirrje për kurajo, vetëbesim dhe lojalitet ndaj atdheut dhe bashkimit të popullit drejt bashkimit të trojeve tona.

Kur fliste për Kosovën dhe Shqipërinë, vëreje ndryshime fytyre e shpirti tek ai. Eh për këtë mendoj se të gjithë shqiptarët kanë ndjenja të veçanta rrëqethëse. Babi e kishte princip që në të gjitha bisedat familjare, takimet e ndryshme, debatet publike, intervistat etj. të fliste vetëm për Shqipërinë. Rrallë kam dëgjuar kur ka folur për këto dyja si të ndara, gjithmonë e theksonte se ne jemi të lindur, të rritur dhe do të plakemi e të vdesim në Shqipëri. Mund ta përmend një tregim të një shokut të babit, Adil Pirevës, kur ka dëgjuar një polemikë në burg mes një komandanti të burgut dhe babit. Komandanti tregonte se kishte luftuar gjatë Luftës ë Dytë Botërore në Shqipëri dhe se atje kishte vetëm mjerim dhe nuk e kuptonte se pse të burgosurit shqiptarë adhuronin Shqipërinë.

– Babi ia kthen: Ti  ke qenë dhe ke luftuar atje, por ne jemi lindur dhe rritur në Shqipëri.

– Komandanti: Po në dosjen tënde shkruan se je nga Peja?

– Babi: Po mirë, por Peja ku gjendet? Në Shqipëri, ku tjetër.

Babi gjithmonë gjatë kohës kur dëgjonte lajme ecte në banesë. Po kështu, edhe në pritjet mes emisioneve të ndryshme. Sigurisht, kjo shprehi i kishte mbetur nga koha e burgjeve, kur babi në vend të shëtitjeve nëpër oborr të burgut, ka ecur nëpër qelitë e ftohta. Babi dëgjonte edhe emisionet e tjera kulturore dhe artistike dhe momentet më të hareshme ishin kur kishte këngë të vjetra popullore, të cilat i dinte përmendësh. Në ato momente kur transmetohej himni i flamurit gjithmonë na këshillonte se duhet të ngrihemi në këmbë çdo herë sa të këndohet Himni i flamurit shqiptar.

Uppsala nëntor 2013.