Kujtim V. – Nezir Gashi

Kujtim V. – Nezir Gashi

”’RAMADAN SHALA – NDËR MË TË TORTURUARIT NË KOSOVË ”’

Shkruan: Nezir Gashi, Pejë

Foto: Nezir Gashi

 

Ramadan Shalën e kam pasur shok qysh në bankat e shkollës në Karagaç. Për jetën e tij, për guximin e tij, për përkushtimin e tij, për aftësitë e tij organizative dhe teorike, për moralin e tij, duhet kohë dhe hapësirë për të folur për këto gjëra. Aktivitetin e tij revolucionar e ka filluar qysh në shkollën e mesme. Gjithmonë e ka ngritur zërin për çështje kombëtare dhe kundër okupatorit serbo-malazias Ishim gjeneratë e ndjekur dhe e përndjekur në vitet e ‘50-’60-të. Në këtë kohë bisedonim për burgjet e gjeneratave të vjetra, për kontributin e tyre, për vuajtjet, për skamnorët, për gjenocidin, që bëhej  në qytete e fshatra prej okupatorit serb. Kështu erdhëm në përfundim se duhet bërë diçka për çështje kombëtare. Ishte kohë bukur e vështirë. Sepse, okupatori i ka pasur edhe njerëzit e vet në terren.

Ramadan Shala tha se duhet të bëjmë diçka dhe erdhëm në përfundim që të formojmë një komitet lokal për bashkimin e trojeve shqiptare në Pejë. Duhej gjetur njerëzit më besnikë për çështjen kombëtare, njerëzit, që e kishin përjetuar sinqerisht çështjen e kombit.

Në përbërje të Grupit të Ramadanit së pari u aktivizuan Mehmeti, unë e disa të tjerë. Morëm vendimin ta bëjmë mbledhjen te pishina në parkun e madh. Aty e morëm edhe vendimin për ta formuar Komitetin. Ramadan Shala u zgjodh kryetar, anëtarë u bënë: Ejyp Kastrati, Mehmet Krasniqi, Ahmet Zeka, Selaudin Daci dhe unë Nezir Gashi. Kemi përpiluar statutin e komitetit dhe e kemi shpërndarë. Kishim edhe shumë celula të tjera, por ishim shumë konspirativ. Takimet e ndryshme i bënim në të gjitha ambientet e mundshme, në hotele, në trena, në banka parku, në berberhane, në të gjitha vendet, ku mu nd të zhvilloheshin biseda të shkurtra për shpërndarjen e urdhrave për celulat e ndryshme. Pas një kohe kontaktuam edhe me Shefqet Deçanin, i cili neve si grup i vogël na e shtoi kurajon, vetëbesimin, sepse Shefqeti ishte me kualifikime të larta në atë kohë.

Kontaktet me Prishtinën e me Adem Demaçin i mbante Ramadani. Si  grup i Pejës u shkrimë në LRBSH. Pas një kohe, Ramadani bashkë me Ademin shkruan edhe Statutin  e Programin e LRBSH-së. Kur ramë në burg, burgun e bëme dasmë. Asnjëri prej nesh nuk tregonte asgjë për grupet dhe organizimin e celulave në rajon. U takuam edhe me Teki Dervishin, i cili në atë kohë ishte vetëm 17 vjeç. Ai ndërmori një aksion: në qeli i dogj teshat e tija. Kështu, qelia u mbush me tym. Rojet e burgut nuk ia mbyllnin derën e qelisë dhe ai komunikonte me ne të  tjerët në mënyra të ndryshme. Tekiun e maltretuan shumë rëndë.

Pastaj, filluan  torturat dhe marrjet në pyetje të pjesëtarëve të Grupit tonë. Jam i bindur se Ramadan Shala është ndër më të torturuarit në Kosovë. Të rrallë janë ata që janë torturuar më shumë se Ramadan Shala. Ramadan Shala ka qenë organizator numër një dhe qëllimi ishte që të zbulohen celulat dhe grupet e ndryshme. Ramadan Shala u torturua në mënyra të rënda. Të gjitha rrobat i kishte me gjak, sepse ai assesi nuk i tregonte se cilët njerëz, në cilat vende takoheshin ata që ishin kryesorë në këto grupe dhe celula. Edhe organet e UDB-së shumë shpesh kanë thënë se njeri më i fortë se Ramadan Shala  nuk gjendet në këto burgje. Pas një viti na dërguan në burgjet e Nishit. Na lidhën me pranga nga dy vetë. Aty na dërguan në Shtëpinë e Bardhë, e cila ishte për izolim 15 ditor. Aty Ramadani kontaktoi me Ali Aliun, ekonomisti i parë në Kosovë, i cili ishte në izolim. Kur dilte Ali Aliu në shëtitore, në Mrtvi Krug (Rrethi i vdekjes). Ali Aliu ishte legjendë për ne. Në burgun e Nishit ia caktuan Ramadanit një punë shumë të rëndë. Shembull ishte Selahudin Daci, i cili kishte një punë në shkritore.

Një ditë në shëtitore një komandant burgu erdhi dhe u afrua të fliste me Ramadanin. Në këtë rast Ramadani ngriti dorën sipër krahut të tij dhe i tha që “edhe këto grada ne do t’i heqim nga krahu yt”. Ramadan Shala ishte shumë i guximshëm dhe stoik dhe nuk kishte frikë nga asnjë roje e burgut.

Pas një kohe, Ramadani mori një iniciativë, në bashkëpunim me Adem Demaçin, për një grevë urie kundër kushteve dhe rrethanave, që kishim në burg. Edhe pse kishim dije se greva do të na sillte edhe shumë probleme të tjera, sikur që ishin shpërndarja e të burgosurve në burgje të tjera të Jugosllavisë. Vendimi ishte që me këtë grevë të shkonim deri në fund.

Pas tri ditë greve na erdhi urdhëri prej Ramadanit dhe Ademit që ta ndërpremë grevën dhe të hamë bukë e mandej të vazhdojmë grevën pasi që kishim ngrënë. Sapo u ulëm në menza, pas dy-tri kafshatash erdhën rojet e burgut dhe duke bërtitur na dërguan në Shtëpinë e bardhë. Aty u vendosëm nëpër çeli, të cilat u stërmbushen me 6-7 persona në çdo çeli. Aty qëndruam rreth 4 ditë dhe me urdhër të drejtorisë së  kapedomit në Beograd filluan transferimet në kapedomet e ndryshme anekënd Jugosllavisë. Ky grup duhej të shpartallohej.

Ramadani u dërgua në Pozharevc. Por, në burgun e Nishit mbetën edhe Metush Krasniqi, Vezir Uka, Avni Lama, Murteza Nura, të cilët u dënuam rreth dy muaj ditë në qeli.

 

Vizitat në burg

 

Ramadanit i kishte ardhur nëna në vizitë dhe komandanti i burgut kishte dhënë urdhër që Ramadani duhet te fliste në gjuhën serbe me nënën e tij. Këtë vizitë Ramadani normalisht e refuzoi dhe nuk donte ta takonte as nënën e tij për t’iu përkulur pushtetit. Ramadani ka qenë një koleg shumë i mirë dhe në burg kur i vinte ndonjë paketë prej familjes kurrë nuk e hapte para se të mblidheshin të gjithë shokët dhe t’i ndanim ato gjëra,  që i kishin ardhur. Pas burgut u kthyem në Pejë dhe e njëjta garniturë u bashkuam.

 

Martesa e Ramadanit

 

Dasma e Ramadanit ishte madhështore. U organizua me një flamur të madh dhe defiluam qytetit me krushq prej anë e mbanë Kosovës, kishte krushq edhe nga Shqipëria. Ajo dasmë u bë,  jo si dasmë, por si një kongres i vogël, asisoji u bë.

 

Koha pas burgut të parë

 

Pas burgut, Ramadani e kreu edhe Shkollën e Lartë Komerciale  në Pejë. Ilhami Gashi, një djalë i ri, i shkolluar, me kualifikime të larta, kombëtar, ia gjeti Ramadanit një vend pune në Shtëpi të Mallrave, ku zyra e tij u bë një pikë takimi për Grupin tonë. Të gjithë shokët e burgut vinin aty dhe bisedonin me Ramadanin dhe planifikonim aktivitete të ndryshme. Pinim çaj dhe kalonim kohë të mirë aty. Gjatë gjithë kohës kishim edhe vizita nga spiunë të ndryshëm, që ishin të dërguar nga UDB-a për të zbuluar aktivitetet tona. Ramadan Shala ka punuar edhe në komunën e Klinës, diku në Novosellë të Zajmit. Udhëtonte me biçikletë për në Klinë për të dhënë mësim.

 

Burgu i tretë:

 

UDB-a gjithë kohën e konsideronte Ramadan Shalën armik të popullit, të papërmirësueshëm, se paraqet rrezik dhe prap do të organizonte aktivitete kundër pushtetit serb. Kështu që vazhduan edhe ta përndjekin, e mbanin në përcjellje të përhershme. Ramadani burgoset edhe për herën e tretë. Këtë herë bëhet një bastisje e madhe edhe në shtëpitë e vëllezërve të Ramadanit. Në këtë bastisje marrin pjesë më shumë se 100 policë,  të cilët bastisin 6 shtëpi të familjes Shala në Karagaç të Pejës. Ramadani arrestohet në zyrën e tij, më 17 Nëntor. Edhe vëllezërit e tij burgosen: Aliu dhe Musa. Gjithashtu, burgoset edhe vajza e vëllait të madh,  Xhyladija. Ramadan Shala u maltretua shumë më keq se në burgun e parë, me motive të shpifura. Por, Ramadan Shalën, kur ka qenë çështja e Kosovës dhe e bashkimit të trojeve shqiptare, jo torturat, por s’ka pasur forcë që ka mund ta gjunjëzojë.

Gjatë burgut të tretë nusja e tij kaloi një kohë shumë të vështirë, kishte shumë fëmijë, kushtet ishin të dobëta, si ato ekonomike, por ajo edhe u maltretua disa herë nga autoritetet jugosllave. Kur Ramadani doli nga burgu filluan autoritetet e UDB-së të maltretonin edhe djemtë e mëdhenj të Ramadanit, Arbenin dhe Dardanin. E mbaj në mend kur unë dhe Ramadani shkuam në një hotel këtu në qytetin e Pejës dhe kishte njerëz, që u larguan vetëm e vetëm se kishin frikë t’i afrohen dhe të rrinë në të njëjtin lokal, ku ndodhej Ramadan Shala.